Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend nismën ligjore për reformën e re administrativo-territoriale, e cila parashikon një riorganizim të pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Shqipëria do të vijojë të jetë e organizuar në 12 qarqe, ndërsa 28 bashki aktuale do të konsolidohen në 13 bashki më të mëdha.
Në total, 15 bashki me rreth 225 mijë banorë do t’u bashkohen bashkive fqinje, ndërsa 33 bashki të tjera do të mbeten të pandryshuara.
Bashkitë që propozohet të humbasin statusin aktual janë Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi.
Sipas ndarjes, Fushë-Arrëzi i bashkohet Pukës, Klosi Matit dhe Rrogozhina Kavajës. Dimali dhe Poliçani do të përfshihen në Bashkinë Berat, ndërsa Patosi i bashkohet Fierit dhe Divjaka Lushnjës.
Selenica do të bëhet pjesë e Bashkisë Vlorë, Maliqi do t’i bashkohet Korçës, Këlcyra Përmetit, Memaliaj Tepelenës dhe Libohova Gjirokastrës. Cërriku dhe Belshi do të përfshihen në Bashkinë Elbasan, ndërsa Përrenjasi do t’i bashkohet Librazhdit.
Drafti parashikon ruajtjen e disa bashkive si raste të veçanta, për shkak të largësive, përbërjes së popullsisë dhe veçorive territoriale. Mes tyre janë Pusteci, Finiqi dhe Dropulli, bashki me prani të komuniteteve minoritare.
Projektligji do t’u dërgohet bashkive për shqyrtim dhe konsultim me qytetarët. Njësitë vendore do të kenë 60 ditë kohë për të paraqitur mendimet dhe qëndrimet e tyre përpara vijimit të procedurës parlamentare.























