Ministrja Shahini, në fushatën e ndërgjegjësimit të votuesve për herë të parë

707
Sigal

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Besa Shahini ka qenë e pranishme në shkollën e mesme “Ismail Qemali” në Tiranë për të ndjekur nga afër ushtrimin e votimit të maturantëve në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës dhe ambasadës zvicerane për edukimin e votuesve të rinj për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit 2019.

Qëllimi i kësaj vizite ishte jo vetëm vëzhgimi i procesit, por edhe transmetimi i mesazheve sensibilizuese për nxënësit dhe të rinjtë në përgjithësi mbi rëndësinë e pjesëmarrjes në votim si dhe evitimin e fenomeneve negative që janë shfaqur në zgjedhjet e kaluara.

Në fjalën e saj, Ministrja Shahini duke nënvizuar rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit të maturantëve që votojnë për herë të parë në këto zgjedhje, theksoi faktin se procese të tilla jo vetëm edukojnë qytetarët e rinj, por i bëjnë ato edhe më të përgjegjshëm për rolin e tyre në shoqëri.

“Është shumë e rëndësishme sivjet që të dilni të votoni e të merrni pjesë në këtë proces”, nënvizoi Znj. Shahini duke theksuar rëndësinë e votimit si një proces që e çon Shqipërinë deri në fund të periudhës së tranzicionit dhe i jep udhë rrugës së zhvillimit, duke shmangur kështu edhe rastin e paprecedentë të kohëve të fundit të partive opozitare.  

Ndërsa Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, zbatuese e këtij programi, z. Erjon Tase, falënderoi në fjalën e tij Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për bashkëpunimin e afruar. “Sot, po finalizojmë programin e edukimin dhe ushtrimit praktik të votimit për rreth 35 mijë maturantë në të gjitha shkollat e vendit. Shpresojmë, që ndërgjegjësimi për rëndësinë e zgjedhjeve dhe evitimi i fenomeneve negative të shit-blerjes së votës apo delegimit të saj, të ketë mbërritur nëpërmjet nxënësve tek çdo familje edhe në zonat më të largëta”.

Më pas ministrja Shahini ndoqi nxënësit 18 vjeçarë, votues për herë të parë, të cilët organizuan një proces të simuluar votimi në klasën e tyre për tre kandidatë dhe morën role përkatëse si komisionerë, vëzhgues etj.

Nëpërmjet këtij ushtrimi synohet praktikimi i tyre me procedurën e votimit duke evituar ngatërresat apo këshillimin e tyre të gabuar ditën e zgjedhjeve, momente të cilat sjellin pavlefshmërinë e votës së tyre apo edhe konflikte mes komisionerëve të forcave të ndryshme politike.