Ja krimi “monumental” tek “Ushtari i Panjohur”

1885
Sigal

Skandali/ Përshëndetja etnike serbe me 3 gishta e gdhendur në monumentin e “Ushtarit të panjohur”

Krimi “monumental” në qendër të Tiranës

Petro Luarasi

A është kryer një krim këtu?!

Nuk mund të thuhet që kurrgjë nuk ka ndryshuar tek shqiptarët në këto tre dekada rrumpalle demokratike, ku mbi çorganizimin e organizuar flatron krenarisht Fjala e Lirë Shqipe. Mbi të gjitha arritjet spikat zhvillimi i turizmit, cilësia dhe numri në rritje i të huajve edhe nga vende të largëta. Dhe sa befasohen ata me kontrastet e vendit të skamur me emigracion të lartë që ka bollëk resursesh dhe natyrë përrallore, me vlerat dhe antivlerat tona, ku lartohen njëlloj Heroi me Tradhtarin edhe tek monumentet…

Këto enigma përpiqesha t’ia sqaroja një të njohurit tim, eksplorator i shquar italian, teksa shëtisnim apo i servirja mikpritjen bujare me ushqime vendase: bozë, djathë kaçkavall gjirokastre, ullinj e simite. Pastaj erdhi koha ta qerasja edhe me raki Skrapari e peshk të skuqur tek “Markata e peshkut e Pazarit të ri”. Kaluam gardhin prej dërrase, u ulëm për freskllëk në një tavolinë në të majtë, kur mikut i vajtën sytë, për dreq, tek ai biçim monumenti sajuar dy heronjve antifashistë në vend të lapidarit madhështor të dikurshëm. Sapo ia shpjegova, brofi më këmbë e u turr rrëmbimthi jashtë gardhit duke sharë e mallkuar: “Il figlio di puttana ha commesso un crimine!”

Vërtet si mund të hanim e pinim atje ku dy heronj lanë jetën për liri?! Epo ne kemi lartuar edhe monumente për të qenë, në nderim të dëshmorëve tanë, ndaj e çova me një frymë tek “Partizani çlirimtar”, gatita celularin, i thashë të mos e zinte pamjen e basorelievit jugor dhe, kur e përqendrova shikimin, shtanga, nuk u besova syve: Kapo i luftëtarëve, mes tyre dhe një i plagosur, po më nderonte me tre gishtat lart!… Hej, o ters e poshtërsi, sa po na poshtëron tek miku i huaj! Epo rroftë monumenti i “Heroit Kombëtar”, Gjergjit të Lumnueshëm, që më nderoi faqe mikut.

“Partizani çlirimtar” apo “luftëtari i panjohur”

Në lindje të qendrës së kryeqytetit, ballas monumentit të themeluesit të Tiranës, Sylejman Pashë Bargjinit, lartohet ai i “Partizanit çlirimtar”, vepër në bronz e skulptorit të shquar Andrea Mano. Sikurse për çështje të tjera edhe ky emërtim zyrtar është bërë mollë sherri, quhet sipas midesë: herë luftëtari, herë ushtari apo partizani “i panjohur”. Në një diskutim bajagi të ashpër sekush ia plasi: “t’i sajosh Shqipërisë të tillë “ushtarë të panjohur”, qoftë nga padija, qoftë nga papërgjegjshmëria, nuk fyen ndonjë forcë politike: fyen vetë Shqipërinë”. http://www.gazetadita.al/dita-e-clirimit-te-tiranes-luan-rama-partizanin-clirimtar-ta-quajne-ballisti-clirimtar/

Ky monument i vitit 1949 njihet si i pari i ngritur pas Luftës së Dytë Botërore. Ai u vendos, së pari, në një piedestal 4 metra të lartë gurësh të gdhendur, porse, më 2008-n, gjatë një rikonstruksioni, u vendos në një piedestal 2.80 metrash veshur me pllaka. Ai që u mërzit më shumë nga ky modelim i çuditshëm qe ai mjeshtri gurgdhendës përmetar, që ia tretën emrin dhe dëshminë e historisë së basorelieveve. Sepse përmendet vetëm që ky monument paskësh qenë i shoqëruar “me një basoreliev që riprodhon pamje nga beteja për çlirimin e Tiranës”. Por në jug të këtij bazament gjendet edhe një basoreliev tjetër, pikërisht ai që do të shtangë shikimin dhe zemrën e çdo qytetari atdhetar shqiptar.

Në këto vite rrumpallë janë kryer shumë krime, por ka krime e krime. Ndër krimet më të rënda është të vrasësh identitetin, trashëgiminë, idealet dhe personalitetet me vlera kombëtare që normalisht duhet të mbrohen me ligj. P.sh. Ligji nr. 27/2018 për trashëgiminë kulturore dhe muzetë: https://kultura.gov.al/wp-content/uploads/2018/07/Ligji.nr27-_dt.17-05-2018.pdf

Dikur “u çudit” dynjaja kur INUK “gjeti” lapidarin e dëshmores Mine Peza të “strehuar” në një objekt dy katësh pa leje që shërbente si ambient qoftesh dhe bastesh, pikërisht përballë Komisariatit të policisë nr. 3. Ndërsa tani u englendisën “arkitektët e talentuar të projekteve të Bashkisë” tek “Markata e Peshkut e Pazarit të ri” ndërsa familjarët e dy heronjve nuk kanë se si të venë lule në përkujtim të tyre “Gjaku nuk bëhet ujë, por edhe ndë u bëftë nuk pihet në dolli!”, “Telegraf”, 17 maj, 2019).

“Anormalia” e basorelievit jugor tek “Partizanit çlirimtar” është “e çuditshme”… Ndoshta, ka “sy të shtrembër” që kur u shkatërrua xhamia gjatë luftimeve për çlirimin e Tiranës… Sepse si mund të shpjegohet që prej 75 vitesh, atje ku janë zhvilluar ceremoni solemne me plot personalitete shtetërore, familje dëshmorësh e veteranësh, plot tubime sindikatash dhe protesta opozitarësh, atje ku zënë radhë nga mëngjesi në darkë edhe të papunët që kërkojnë të nxjerrin bukën e familjes me djersën e ballit, për çudi, askush nuk e ka vënë re këtë mallkim e tradhti, e cila maskon aludimin e ndyrë: “të pushtimit sllavo-komunist antishqiptar pro-serb.”

Edhe pedagogu Arlind Qori i “Organizatës Politike” në një fjalim përpara monumentit e ithtarëve të tij, tha: “Populli i Tiranës e quajti “Partizanin e Panjohur” për të përfaqësuar popullin e tij. Por “Partizani i Panjohur” nuk e njeh më qytetin e tij. Përpara tij ecin punëtorët e kërcënuar nga vdekja në punë nga paga mjerane, kalojnë studentët e mendjes, të papunët e sotëm dhe të nesërm. Përpara tij kalojnë ata që e mbajnë frymën me lëmoshë”. Ndërsa unë po theksoj se këtu kanë vendosur kurora edhe plot qorra!

Sapo e pikasa këtë “mallkim” e denoncova tek Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve dhe Organizata e Veteranëve të LANÇ-it, më pas tek një burokrate e Bashkisë, e cila pas këmbënguljes sime “të marrë” e bisedoi me një nga nënkryetarët e saj, i cili nga ana e tij “e lau ndërgjegjen” duke më çuar haberin se nuk u përkiste atyre kjo “patate përvëluese”, por ndonjë institucioni tjetër. Por e dija mirëfilli që “Bashkia e Tiranës (Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore dhe Turizmit) ka përgatitur një draft për Strategjinë e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore, i cili u diskutua në dëgjesën e parë publike të organizuar me grupet e interesit dhe në datën 06/02/2019 u zhvillua takimi i parë për dëgjesën publike të Draft Strategjisë së Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në sallën e trajnimeve të Bashkisë Tiranë”. Më kot u ngjira duke ua kujtuar këtë fakt apo t’iu mbush mendjen se institucioni i tyre është shtetëror, ka informacione, ndërlidhje e komoditetin të lehtësojë zgjidhjen shpejt e mirë të këtij “mallkimi madhor”, qoftë edhe me një telefonatë në destinacionin e duhur. E ç’më mbetej mua, qytetarit të thjeshtë: Të bridhja për të gjetur zyrtarin e duhur që “të më ndihmonte” apo t’i besoja Fjalës së Lirë ndër media?

Shënim: Disa nga fotot janë marrë nga faqja elektronike nën përkujdesjen e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke shpresuar që ta shenjtërojë sa më shpejt tempullin e heronjve dhe idealin e tyre të nëpërkëmbur padrejtësisht nga një basoreliev “ushtarësh të panjohur”