Qeni “Stela” i përdorur në operacionin e Shkodrës kishte dalë në shitje për mungesë nuhatje

660
Nga burime brenda Policisë së Shtetit, dje në redaksinë e Gazetës “Telegraf” ka ardhur një lajm “i sa i “çuditshëm” edhe komik, që gjithsesi duhet verifikuar, ndaj dhe po e publikojmë si “pistë verifikimi”. Bëhet fjalë për operacionin policor, të organizuar në alpet e Shkodrës, për kapjen e vrasësit Aleksandër Dushaj. Siç dihet, policia njoftoi se kishte nisur dhe po vazhdonte kërkimet për kapjen e tij, duke angazhuar në operacion, përveç forcave të policisë së shtetit e forcave speciale edhe 1 qen “me erë” dhe 1 helikopter special për operacione kërkim-zbulimi. Prej 4 ditësh, 400 forca policie e speciale, 1 helikopter dhe 1 qen policie “me erë”, nuk lanë shteg pylli e rrëzë shkëmbi pa kërkuar, por nuk ranë dot “në erë” të vrasësit Dushaj. Ndërsa policia me qen e me helikopter e kërkonte në malet e veriut të Shqipërisë, vrasësi u vetë-dorëzua në Tiranë! Sipas burimit të informacionit, shkak i dështimit nuk ishte përkushtimi i forcave të policisë, por helikopteri “special” dhe qeni “me erë” i policisë. Helikopteri u ngrit në fluturim dhe u vërdallis disa xhiro mbi alpe e nëpër lugina, por nuk zbuloi dot asnjë shenjë të vrasësit, mbasi siç thonë burimet policore që ishin në aksion, ai nuk ishte i pajisur me aparaturat speciale, por vetëm me policë që shikon malet e fushat me “dylbi turistike” nga ajri. Ndërsa qeni i futur në aksionin policor, nuk mund ti binte “në erë” të gjurmëve të vrasësit Dushaj, mbasi ishte vet “pa erë” dhe bridhte kot, duke marrë pas vetes edhe policët! Ajo që përbën skandal nëse lajmi është i vërtetë, qëndron në faktin, që qeni “Stela” i cili ishte marrë në aksion, kishte dalë në shitje që 1 muaj më parë, mbasi kishte humbur nuhatjen. Këtë e vërteton edhe njoftimi zyrtar i bërë në “Buletinin e Prokurimeve Publike”, ku qeni “Stela” i datëlindjes 19. 03. 2008, njoftohet se ka dalë në shitje me çmim 8000 lekë. Aq komike ka qenë kjo puna e qenit të policisë, sa brenda forcave policore kanë plasur edhe barcaletat, sikur qeni i policisë, ndërsa lëshohej për të gjetur e kapur vrasësin, kërkonte lepuj! Ose barcaleta tjetër, sikur qeni që ishte futur në aksion për të gjetur vrasësin, nga mungesa e nuhatjes nuk gjente dot as policët kujdestar, veçse ktheje kur i vërshëllenin policët e i thërrisnin në emër “Stela”, për ta ndjell që të kthehej.
Sigal