Makinat e shtetit si makina private, nga mëngjesi deri në darkë përdoren nga familjarët

1300
Makinat e shtetit duket se nuk konsiderohen të tilla edhe pse ka një VKM, e cila shprehet qartë për përdorimin e tyre dhe limitet e harxhimit të karburanteve prej muajit tetor 2015. Por sikur të mos ndodhë asgjë, zyrtarët e të gjitha institucioneve, duke nisur madje nga policia, organet e drejtësisë dhe gjithë institucionet e tjera, përdorin makinat e shtetit si “lopët” e komshiut, duke harxhuar qindra litra karburant në muaj plus harxhimeve të tjera. Futja e dorës në paratë e shtetit nis nga mëngjesi, kur makinat e shtetit (çuditërisht edhe ato me stemën e policisë, tatimeve dhe ushtrisë) mbushen me nxënësit e shkollave, parkohen vend e pa vend dhe pasi kanë zbrazur fëmijët radha u vjen familjarëve, pasi edhe ata do të shkojnë në vendet e punës me makinat e shtetit. Pas orarit të mëngjesit, vjen paraditja. Edhe ajo mbushet me makinat e shtetit, të cilat përdoren nga familjarët e shefave për të mbaruar hallet dhe problemet e ditës apo qoftë edhe për një kafe relaksi. Makinat e shtetit përdoren për halle të vogla dhe deri tek ato të mëdha familjare, si për të shlyer faturat e energjisë elektrike, ujit të pijshëm, telefonisë, për të marrë pllakat e apartamentit, për të blerë tortat e ditëlindjeve, për të drekuar me miqtë dhe kushërinjtë jashtë qytetit, fejesa, dasma etj. Nuk ka të mbaruar vargu i punëve të mbaruara me makinat e shtetit. Dhe kjo ndodh edhe kur institucionit të shtetit i nevojitet automjeti për raste urgjente, defekte, avari të ndryshme, urgjenca mjekësore, policore etj. Ka pasur raste kur punonjësit e institucioneve të shtetit kanë përdorur makina të rastit apo edhe taksi për të mbaruar punët e zyrave, pasi makinat e institucionit ishin në dispozicion për “djalin apo gruan e shefit”. Jo vetëm harxhimet e mëdha të karburantit, por më kryesorja mbetet nxirja e imazhit të institucionit, kur qytetarët shohin se si në rrugicën e tyre, në pallatin e tyre, në shkollën e fëmijëve të tyre, vijnë, parkohen dhe mbushen me familjarë, makinat e shtetit qysh në ora 07:30 të mëngjesit dhe derisa vjen darka. Por, sikur të mos mjaftonte kjo edhe fundjava mbetet sërish një tjetër “variant” për zbavitjen e familjeve me pushtet, duke përdorur natyrisht makinat e shtetit. Por, sa vjen pasditja e të premtes, makinat e shtetit me stema të institucioneve të shtetit, mbushen me familjarë dhe nisen drejt vendeve më të qeta, bregdetare apo malore, por edhe atyre fqinje. Kthimi bëhet të dielën pasdite apo edhe të hënën paradite, dhe java nis me ardhjen ora 10:00 në zyrë për “kapot” dhe fëmijët e tyre në shkolla e vende pune. Një skandal që ndoshta ka vite, që edhe pse dënohet dhe publikohet nga media dhe opinioni qytetar, duket se nuk ka shanse të ndalet. Sipas një burimi të besueshëm nga një institucion shtetëror mësohet se, “nuk ka muaj që drejtorët e rretheve të mos zhyten në borxhe te pikat e karburanteve dhe tek serviset, duke u premtuar atyre shlyerjen e tyre, pasi tu jepen tollonat nga ministria e linjës”. Prej 3 muajsh, qysh nga data 21 tetor 2015, sipas një VKM “institucionet e shtetit në rrethe duhet të kyçin makinat zyrtare, qysh pasditen e të premtes dhe të dërgojnë çdo muaj sasinë e harxhuar të karburantit dhe destinacionin”, madje duke reduktuar nga tre në një makinë apo nga katër në dy makina sipas inventarit. Por, VKM duket se janë bërë si letra bakalli për disa prej “kapove” të institucioneve në rrethe, pasi pas afro 3 vitesh në poste ata ndjehen të fuqishëm financiarisht dhe nuk pyesin shumë për shkarkimin apo transferimin nga detyra. Abuzime ka edhe me serviset e makinave të shtetit, të cilat çdo 4-5 muaj bëhen “sallatë”, pasi përdoren non-stop 24 orë, duke mos u kursyer as në rrugët e dhive. Edhe me serviset e tyre, zbatohen preferencat e “kapove” dhe faturat e kripura u shkojnë degëve të financave, duke harxhuar miliona për “ndërrimin” e pjesëve të këmbimit me gjoja origjinale. Këto dhe abuzime të tjera më katastrofike nga pikëpamja financiare, ndoshta nuk kanë shansin të bëhen ndonjëherë objekt i punës së hetuesve, pasi në “garën” e abuzimeve edhe njerëzit e drejtësisë janë konkurrentë të pashembullt. 
Alma JONUZI
Sigal