Ekzekutimi në Kurbin, policia njoftim zyrtar: Autori i krimit, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit

Policia ka dhënë zyrtarisht detaje në lidhje me vrasjen që ndodhi mbrëmë në Kurbin, ku viktimë mbeti shtetasi Ilir Lika.

NOA

Raportohet se autori i dyshuar është identifikuar si Emiljan Suti, një person me precedent të theksuar kriminal, brenda dhe jashtë vendit.

Sipas policisë, nga verifikimet rezultoi se 40-vjeçari ishte dënuar më parë me 5 vjet burgim për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, si dhe ka precedent penal për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, rezulton i arrestuar në Belgjikë për vjedhje.

Njoftimi i policisë:

 

Kurbin

 

Zbardhet dhe dokumentohet autorësia e vrasjes së kryer mbrëmjen e djeshme, në Kurbin.

Identifikohet autori kryesor i dyshuar i krimit, një 40-vjeçar me precedent të theksuar kriminal, brenda dhe jashtë vendit.

Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e tij.

Si rezultat i hetimeve intensive dhe profesionale, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga ekspertë të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Kurbin, nën drejtimin e Prokurorisë, menjëherë pas vrasjes me armë zjarri të shtetasit I. Gj., alias I. L., alias I. K., alias I. N., rreth orës 22:10 të datës 09.07.2026, në Kurbin, u bë i mundur identifikimi i autorit kryesor të dyshuar të këtij krimi.

Konkretisht, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi E. S., alias A. S., 40 vjeç, banues në Laç.

Nga verifikimet rezultoi se 40-vjeçari ishte dënuar më parë me 5 vjet burgim për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, si dhe ka precedent penal për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, rezulton i arrestuar në Belgjikë për vjedhje.

Për kapjen e 40-vjeçarit, në ndihmë të Policisë vendore janë angazhuar edhe shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Kontrollet vijojnë intensivisht.

Ndërkaq, hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.