Dossier nga Ilir Lluri/ Prilli i përgjakur i vitit 1924 

22
Sigal

Zbardhen korrespondencat e Avni Rustemit për vrasjen e Esat Pashë Toptanit. Dilemat e atentatit të dështuar dhr përse Avniu nuk e vrau Ahmet Zogun. Të pathënat e plagosjes së Avni Rustemit dhe si u prit rënia dëshmor e tij në Vlorë, akuzat e nënës së Avniut ndaj Zogut, paralajmërimi i delegatëve dhe vrasja e dy amerikanëve që theu “mitin e besës shqiptare”

 100 vjet nga vrasja e Avni Rustemit dhe Prilli i përgjakur i vitit 1924 

 Ja të pathënat se përse Avniu nuk e vrau Ahmet Zogun , rrjedha e plagosjeve dhe  vargjet brilante për aktet heroike

 Vrasja e Avni Rustemit 1924 – 2024

Vrasja e dy amerikanëve 1924 – 2024

Gjyqi i parë ndaj një politikani shqiptar


Krisma e parë e Luftës së Vlorës

Kur atdheu po coptohej

dhe kish humbur ç’fardo shpresë!

Kur dhe kombi ish përfytur

përpëlitej si një shpesë

 

Kur vullneti kombëtar

ish i shembur, i dërmuar,

del gjahtori, shkrep mbi djallin;

befas shkrepet drit’ e shquar.

Këto vargje brilante kanë gdhendur aktin heroik të vrasjes së Esat Pashë Toptanit nga Avni Rustemi.

Heronjtë lindin në një shekull. Ishte e thënë që Avni Rustemi kishte lindur me atë detyrë të shenjtë. Ai pati fatin e bardhë të zhdukë frikën e zezë.

Kështu do të shkruante Veli Hashorva pas dy krismave të Parisit në mesditën e 13 qershorit 1920, ku u “shtri” përdhe ana e zezë e fatit të Shqipërisë. Vlerësimin për aktin e Avni Rustemit ai e mbyllte me fjalët:

I dashuri Avni, s’kam si t’ju mburr veçse t’ju përunjem botërisht, duke e çmuar atdhetarinë tuaj, që ju fali atë guxim dhe lartësove emrin shqiptar përpara botës.

Në kujtimet e tij Hashorva nënvizon edhe faktin se Avniu ishte i bindur që vrasja e Esatit nuk e kishte shpëtuar përfundimisht Shqipërinë nga rreziku.

Përse Avniu nuk e vrau Ahmet Zogun?

 Vrasja e Esatit nuk e kishte bindur Avni Rustemin, se të gjitha pengesat ishin larguar nga rruga e shpëtimit të Shqipërisë. Në kujtimet e tij Veli Hashorva pohon se:

Dukej se Avniu e kish vendosur me vete se Zogu duhej zhdukur për të mirë të Atdheut. Ai një ditë më pat thënë: – Po të mos kisha vrarë Esat Toptanin, vetë do t’ja drejtoja koburren Ahmet Zogut. Ai nuk e dëshironte një vrasje të dytë, që të mos quhej vrasës profesionist. Ndoshta për këtë gjeti Beqir Valterin, i cili nuk qëlloi i zoti ta qëllonte Zogun në zemër.

Atentati i dështuar ndaj Zogut u bë në 23 shkurt 1924. Ditën e atentatit, Veli Hashorva qëndronte në tavolinë me Avni Rustemin. Madje kur deputetët, nga restoranti ku qëndronin u nisën drejt sallës së parlamentit, me ata të dy u bashkua edhe Bahri Omari. Krismat e armës së Beqir Valterit mbi Zogun, tronditën sallën e Parlamentit shqiptar. Në këmbim të rrëfimit për të vërtetën Zogu e fali atentatorin. I frikësuar nga organizimi i një komploti të ri, ai filloi të thurrë planin për vrasjen e Avni Rustemit. Sipas Hashorvës,

Zogu  ishte i bindur se pasi të vriste Avni Rustemin, do të flinte rehat, mbasi nuk kishte njeri më si Avniu që t’i prishte gjumin.

Por përpara kësaj vrasjeje, Zogu nxiti një akt vrastar të pashembullt në historinë e Shqipërisë…

Vrasja e dy amerikanëve

Prilli i 1924 hyri me një ngjarje tronditëse për Shqiptarët. Ishte ngjarja e parë kur dikush theu “mitin e besës shqiptare”. Në datën 6 prill të vitit 1924 në Mamuras u vranë dy shtetas amerikanë; Coleman, djali i një amerikani të pasur nga Kalifornia, dhe George De Long nga Neë Yorku. Në vendgjarje mbeti i plagosur edhe shoferi i tyre Lluka Roskoviç. Ngjarja e rëndë u shoqërua nga kjo deklaratë:

“Qeveria Shqiptare është e bindur se ky krim është bërë me qëllim politik, për të na diskretituar përpara të huajve”.

Populli shqiptar e përcolli përmes dhimbjes së thellë humbjen e jetës së dy tregtarëve amerikanë. Pesë mijë vetë e pritën në Tiranë makinën ku u transportuan trupat e tyre. Asambleja Kombëtare mbajti 5 minuta zi në nderim të dy viktimave të pafajshme.

 

Qëllimi i vrasjes dhe autorët

Vrasësit ishin katër vëllezër nga “Mali i Bardhë” dhe vinin nga një familje e pasur. Ishin djemtë e Ram Tuf Likës; Demiri, Veliu, Cani e Shabani. Ata kishin rrëmbyen valixhet, varset e floririt dhe kuletat e amerikanëve. Por pavarësisht aktit të plaçkitjes, qëllimi i vrasjes nuk ishte grabitja. Ajo kishte qëllim politik. Gjatë një përpjekje me armë në “Malin e Bardhë” në datën 8 prill, forcat e xhandarmërisë kishin asgjësuar tre prej tyre. I katërti Shabani, mundi të arratisej.

Prishja e qetësisë publike

Qëllimi ishte që i arratisuri Bazi Canit të siguronte influencë për zgjedhjet e ardhshme në funksion të një politikani, i cili në këmbim do t’i falte kriminelit lirinë. Amerikanët u vranë për të diskretituar Qeverinë e Nolit, si të paaftë për të vendosur rendin dhe qetësinë në vend.

Plagosja e Avni Rustemit

 Një javë përpara vrasjes Avniu kishte shkuar në Vlorë. Ai u kthye përsëri në Tiranë i thirrur nga miqtë që të merrte pasaportën për të shkuar në Amerikë, ku do të mblidhte ndihma për organizatën “BASHKIMI”. Ditën e diel të 20 prillit duke qënë nën shoqërinë e tre personave ai u qëllua me armë nga millonai tiranas Sali Isuf Reçi. Megjithëse i plagosur, Avniu shtiu katër herë mbi vrasësin. Por millonai – vrasës mundi të largohej. Plumbi e mori Avniun në krah të majtë duke i kaluar midis brinjës 7 dhe 8. Ai i goditi mushkrinë dhe ndali mbi stomah. Me plagën e rëndë jetoi 40 orë. Avniu vdiq ashtu si jetoi, si një Hero. Atentati ndaj Avniut u gjykua në fillim si hakmarrje, për gjakun e  Esat Pashës. Por më vonë u vërtetua që ai ishte viktimë e një komploti politik.

Lajmi mbërrin në Gjirokastër

Të dielën në mbrëmje në orën 9.30 Veli Hashorva mori një telegram nga Tirana ku u njoftua për plagosjen e Avni Rustemit. E dërgonte miku i tij Bahri Omari. Telegrame u dërguan edhe nga gazeta “POLITIKA” e Vlorës dhe Shoqëria “BASHKIMI” që drejtohej nga Avniu.

  1. Avni Rustemi u qëllua prej një Tiranasi. Plaga e lehtë. Vrasësi nuk u zu

BAHRI OMARI Tiranë 20.4.1924

  1. Sot në Tiranë u plagos tradhëtisht Avniu. Populli i këtushëm shumë i alarmuar. Gazeta “POLITIKA” Vlorë 20.4.1924.
  2. Me hidhërim të thellë lajmërojmë atentatin e bamë kundra jetës dhe plagosjes të rëndë të Avni Rustemit, kryetar i Shoqërisë “BASHKIMI”, Heroit të Kombit dhe shtyllës idealizmës, prej plumbit të një dore tradhëtori. Jeta e tij në rrezik. Gjakësori në mënyrë të çuditshme u arratis. Shoqëria “BASHKIMI” Tiranë 21.4.1924

Ja si e përcillte atmosferën e kësaj ngjarjeje miku i Avni Rustemit, gazetari Veli Hashorva:

Tani nuk kishte mbetur më dyshim. Avni Rustemi, Heroi i Kombit kish rënë viktimë e plumbit të tradhëtarit. Ç’mynxyrë o zot! Ç’ish ajo dorë që u zgjat prapa krahëve të Avniut! Avniu shtylla e idealizmit kombëtar dergjesh në një nga dhomat e spitalit të Tiranës, dergjej si burrë, dhe priste vdekjen tmerrësisht me zemër të fortë, me shpirt të qetë. Gjaku i tij i shenjtë shkruan jetën e tij, dhe rilindjen e një kombi të tërë. Zot shpëto Avninë!

Nga Gjirokastra në mes të natës u nisën dy telegrame urgjente drejt Tiranës, por përgjigjet e tyre ishin shumë trishtuese. Avniu kishte fare pak shpresë.

Gjirokastra në ankth

Pas përhapjes së lajmit populli i Gjirokastrës u mblodh ditën e hënë në një meting në mes të tregut të qytetit. Janë brilante fjalët e gazetarit Veli Hashorva drejtuar popullit, ku ankthi dukej sikur mbante pezull çdo frymëmarje njeriu.

Aleksandri i Madh kur vizitoi varrin e Akilit thirri: Lum ti o Akil që gjete një Homer, i cili këndoi për trimëritë e tua… Në vënd që edhe për Avniun të gjëndesh një vjershëtor që të këndonte trimëritë e tij, e plagosën rëndë, si “shpërblim” të shërbimit të madh që ai i bëri Shqipërisë.

Fjala e Veli Hashorvës u pasua nga një poezi e shkruar për të nga Ramiz Harxhi. Populli shprehu me zë dakortësinë e tij për telegramet që do ti bëheshin Qeverisë dhe Kryesisë së Asamblesë. Mes tyre dënohej akti i plagosjen tradhëtisht të Heroit të Kombit dhe kërkohej arrestimi i atentatorit. Telegrame u nisën edhe nga disa qytete:

 Shkodra proteston

Një plumb tradhëtar plagosi shokun tonë, fatosin e madh, Avniun në atë moment kur shokët e tij u larguan për pak pushim. Ky plumb qëllon jo vetëm Avniun tonë, shpëtimtarin e Atdheut po ul përtokë nderin e gjithë përfaqësuesve të Kombit. Protestojmë me zëmërim kundër këtij atentati të kobshëm. Kërkojmë të merren masa kundër këtyre ngjarjeve të përgjakshme, vijimi i të cilave e çon shtetin në greminë.  

 

 Zyra e shtypit të qeverisë

Vetëm zyra e shtypit pranë Qeverisë qëndroi indiferente ndaj ngjarjes së rëndë. Ajo shkroi vetëm tre ditë pas plagosjes së Avniut, kur Heroi mbylli sytë. Por edhe në këtë rast, ngjarja e dhimbshme përcillej përmes një teksti të thatë.

Antari Kushtetues Avni Rustemi, i cili të dielën u plagos prej një farë Isuf Reçi nga Tirana, vdiq sot në spitalin e Shtetit. Për varrimin e tij pregatitet një ceremoni e madhe. Dervish Hima Tiranë 22.4.1924

Ky telegram kaq i ftohtë për humbjen e jetës së Avni Rustemit e detyroi Veli Hashorvën t’i tërhiqte vëmendjen ashpër ish shokut të tij të Çetës “Studenti” të 1912, Dervish Hima.

Po cili ishte Avniu mor i uruar; vetëm antar i Kuvendit? Jo mor jo! Avniu ish ai që i detyrojmë jetën të gjithë; ai që sakrifikoi jetën e tij për të mirën e lumturinë e Kombit. Telegrame të thata si ky bëhen kur vdes në burg ndonjë tradhëtar, e jo kur martirizohet Avniu ditën, në rrugën e kryeqytetit prej duarsh barbare. 

Atmosferën e vërtetë që mbizotëronte pas vdekjes së Avniut e dhanë telegramet e Ali Këlcyrës dhe shoqërisë “Bashkimi”.

Shtylla e idealizmës Kombëtar Avniu vdiq viktimë e plumbit të tradhëtisë. Populli, burra, gra manifestoi përpara Ministrisë. Ngado vinë protestime të rrepta për zbulimin e atentatit që goditi nacionalizmën në zemër. Ali Këlcyra Tiranë 22.4.1922

Me hidhërim e dëshpërim të plotë ju lajmërojmë se Avni Rustemi, lulja e djelmërisë shqiptare tash u vyshkë dhe u rrëmbye prej mortjes së pamëshirshme. Shoqëria “Bashkimi” sek. H. Stërmilli

 Prindërit e Avniut

Ditën që Avniu mbylli sytë, prindërit e tij që nuk e dinin gjëmën e ndodhur, kishin mbërritur në Gjirokastër për t’u nisur drejt Tiranës. Me justifikime të ndryshme i rikthyen në Libohovë. Aty e mësuan lajmin e rëndë.

Vlora nën peshën e rëndë të lajmit

Me mijra vlonjatë u mblodhën përpara Bashkisë duke derdhur lotë për atë që shpëtoi në 1920 Shqipërinë. Populli mallkoi shtytësit e vrasësit. Po atë ditë kryetari i bashkisë Q. Kokoshi deklaroi;

Mbas dëshirës së popullit të Vlorës dhe në mbështetje të autorizimit të prindërve të Avniut, trupi i Heroit të Kombit, dëshmorit të Idesë-Kombëtare, do të varroset në Vlorë pranë Ismail Qemalit. Funerali do të bëhet të martën datë 29. Është detyra e çdo kombëtari të urdhërojë në Vlorë dhe të marrë pjesë në funeralin e Avni Rustemit.

Nëna e Avniut akuzon Zogun

Sipas Veli Hashorvës, nëna e Avni Rustemit akuzoi Ahmet Zogun për vrasjen. Ajo kërkonte gjakun e të birit. Sipas zakonit shqiptar, Zogu duhej të shfajësonte veten përpara prindërve të Avni Rustemit, por kjo nuk ndodhi. Qeveria duhet të zbulonte organizatorët e këtij komploti, të zinte vrasësin të gjallë dhe të dënonte fajtorët. Vrasja e dy amerikanëve dhe e Avni Rustemit shënoi nivelin më të lartë të pasigurisë në Shqipëri, si për të huajt ashtu edhe për vendasit.

Ceremonia mortore

Ceremonia mortore e Avni Rustemit filloi në orën 14.20. Në të morën pjesë 10.000 vetë. Në këtë ceremoni lamtumire madhështore, kishin dërguar përfaqësues 300 krahina. Folën 16 oratorë. Në emër të ushtrisë foli Major Ibrahim Prishtina. Ceremonia zgjati katër orë. Mbi varrin e Avniut u vendosën 200 kurora. Ashtu si në rastin e njoftimit të vdekjes edhe ceremonia e varrimit të Avni Rustemit u përcoll krejt ftohtë nga Zyra e Shtypit të qeverisë.

Lajmërohemi se në Vlorë me një shumicë të madhe u varros dëshmori Avni Rustemi. Mbi varrin e tij u vendos një sasi e madhe kurorash dhe u mbajtën ligjërata mbi jetën dhe veprimtarinë e tij. 

Por vrasja e Avniut nuk i siguroi qetësinë që priste, Ahmet Zogut.

Paralajmërimi i delegatëve

Në datën 2 maj Delegatët e të gjithë krahinave të ardhur në Vlorë, në një mbledhje të përgjithshme ku ishin të pranishëm edhe antarët e Asamblesë Kushtetuese, i shfaqën Qeverisë indinjatën për mos arrestimin e vrasësit të Avni Rustemit. Kjo vonesë sipas tyre do të shtonte egërsimin e popullit dhe mund të kishte zhvillime të rrezikshme, përgjegjësia e të cilave do t’i ngarkohej drejt për drejt Qeverisë. Në krye të vendit duhet të jenë ata që e meritojnë e që janë të zotët ta sigurojnë jetën e qytetarëve shqiptarë dhe të mysafirëve të huaj.

Emrat e Asamblistëve: Fan Noli, Pietër Ambroz Marllaskaj, Sulejman Delvina, Sejfi Vllamasi, Qazim Koculi, Spiro Koleka, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Rasim Babameto.

Përshpejtimi i ndryshimeve në qeveri u pralajmërua nga një telegram që mbërriti në Vlorë po atë ditë:

Ceno Begë Jakova, kunati i Ahmet Zogut, kryetar i Bashkisë së Jakovës dhe agjent i famshëm i huaj, i cili po punon për shkatërrimin e Shtetit Shqiptar, me një shumicë mercenarësh të armatosur, ka hyrë në Krumë, kryeqyteti i Prefekturës së Kosovës, dhe nga lëvizjet e tij merret vesh që do t’i turret Tiranës. Toleranca e Qeverisë edhe pas vrejtjeve që i janë bërë në Asamble, përbën një akt antikonstitucional dhe antikombëtar. Vazhdimi i shkeljes së Statutit ka për të autorizuar e për të detyruar popullin të aplikojë nenin 127 të Statutit, për mbrojtjen e shpëtimin e Atdheut. 

Kështu nisi lëvizja popullore që mori emrin “Revolucioni Demokratiko – Borgjez i qershorit” që solli në krye të qeverisë Fan Nolin.

VIJON