Nga Rajna Kovaçi – Garda e Amazonkave: Truprojat elitare të Muamar Gadafit

Që nga kohërat e lashta,  e deri në ditët tona luftëtarët më elitarë, më trima dhe më të stërvitur mirë janë zgjedhur  roje personale të sundimtarëve.

Kjo është traditë  që vazhdon edhe sot. Ish-udhëheqësi libian Muamar Gadafi nuk bënte përjashtim. Ai krijoi të ashtuquajturën Garda e Amazonkave, që kujdesej për sigurinë e tij personale. “Garda e Amazonkave”, të njohura zyrtarisht si “Murgeshat Revolucionare”, ishte një grup elitar truprojash i përbërë tërësisht nga gra. Amazonkat duhet të betoheshin që të ishin të dëlira, besnike deri në vdekje, të ndershme dhe të mos lidheshin  kurrë me burra as kur bënin truproja zyrtare. Arsyeja pse ato ishin një grup tërësisht femëror ishte sepse Gadafi besonte se personat e armatosur arabë do të kishin vështirësi të qëllonin gratë. Ai gjithashtu besonte se gratë do të kishin më pak gjasa të rebeloheshin. Një teori tjetër është se kjo ishte pjesë e shfaqjes ekscentrike të diktatorit.

Sigal

Muamar Gadafi formoi grupin elitar të sigurisë në fillim të viteve 80 të shekullit të kaluar: Në vitet e mëparshme, shërbimet sekrete të Gjermanisë Lindore e mbronin Gadafin. Shumica e rojeve të tij ishin Bullgar, Gjerman dhe Polak. Kur udhëheqësi libian udhëtonte, ai merrte me vete të paktën 15 amazonka. Detyrat e tyre përbëheshin nga siguria dhe punët e shtëpisë. Kur situata në vend u bë kritike dhe Gadafi filloi të kishte frikë për të ardhmen e tij si udhëheqës, e prishi Gardën e Amazonkave. Shumica e zonjave u zhdukën dhe u fshehën për arsye sigurie. Gjatë sundimit të Gadafit, rreth 400 gra ishin anëtare të Gardës së Amazonkave.

Gratë në Libi gjatë sundimit të Gadafit. Në vitin 1975, Gadafi shkroi “Librin e Gjelbër”, që përmbante filozofinë e tij politike. Gjatë sundimit të tij nga viti 1969 deri në vitin 2011, mësuesit përdornin librat e tij në shkolla dhe citimet e tij u përhapën në të gjithë Libinë. Në një nga kapitujt e njërit prej librave të Gadafit kishte shkruajtur për gratë dhe rolin e tyre në shoqëri. Sipas Gadafit, burrat dhe gratë lindin të barabartë, por ka dallime natyrore mes tyre. Prandaj, ata kanë funksione të ndryshme dhe të sakta në jetën e përditshme. Udhëheqësi libian shkruante gjithashtu se gratë kanë të drejtë të punojnë, por puna nuk mund të ndikojë në bukurinë e tyre dhe duhet të jetë për gratë, jo për burrat. Pavarësisht asaj që është shkruar në “Librin e Gjelbër”, udhëheqësi libian beson fuqimisht se gratë duhet të stërviten në luftime në mënyrë që të mos bëhen pre e lehtë për armiqtë e tyre. Ai deklaronte se prania e truprojave femra ishte një hap drejt emancipimit të tyre. Gjatë sundimit të Gadafit, gratë kishin qasje në shkolla dhe universitete.

Ato mund të bashkoheshin me policinë ose të bëheshin mjeke, infermiere ose inxhiniere. Nën sundimin e Mbretit Idris, paraardhësit të tij, rreth 15% e popullsisë femërore ndiqte shkollën fillore. Kur Gadafi mori pushtetin në vitin 1969, arsimi u bë i detyrueshëm deri në moshën nëntë vjeç dhe niveli i shkollimitt tek gratë u bë më e larta në rajon. Në vitin 1990, 48% e popullsisë femërore ndiqte shkollën fillore, dhe në vitin 1996, 43% ndiqte shkollën e mesme. Kur Gadafi vdiq në vitin 2011, më shumë se gjysma e studentëve të universitetite ishin gra.

Stërvitja dhe Detyrat e Amazonkave, detyra e tyre  kryesore ishte – mbrojtja e udhëheqësit të  Libisë  për 24 orë në ditë. Zonjat kishin edhe detyra të tjera, të tilla si argëtimin e tij, leximin e  kapitujve nga Libri i Gjelbër dhe mirëmbajtjen e shtëpisë së tij. Muamar Gadafi i zgjodhi personalisht të gjitha gratë për Gardën e Amazonkave. Ato duhej të ishin rreth 20 vjeç, të bukura, dhe të pamartuara. Ato gjithashtu duhej të bënin një betim dëlirësie përpara se të fillonin stërvitjen e tyre zyrtare. Stërvitja e “Murgeshave Revolucionare” përbëhej nga mësimi i arteve marciale dhe kurse të gjera me armë zjarri. Pjesa më e madhe e stërvitjes së tyre zhvillohej në Akademinë e Policisë së Grave në Tripoli. Pas përzgjedhjes, ato betoheshin për të mbrojtur Gadafin me çdo kusht, madje edhe me jetën e tyre. Amazonkat vishnin uniforma ushtarake, duke përfshirë taka të zeza, një rrip të kuq dhe një beretë të kuqe. Ato lejoheshin të vendosnin bizhuteri dhe të kuq buzësh si dhe të lyenin thonjtë. Stërvitja e Amazonkave zakonisht fillonte në orën 4:30 të mëngjesit dhe 90 minuta ushtrime fizike. Pas kësaj, ato kishin trajnime në taktika mbrojtje dhe sulmuese. Stërvitja e tyre zgjaste rreth tre vjet. Gjatë kësaj periudhe, ato fitonin aftësi në luftime trup më trup, në përdorimin e armëve të zjarrit dhe madje edhe në pilotimin e një aeroplani.

Amazonkat në Veprim. Paraqitja e parë ndërkombëtare e Amazonkave ishte në vitin 1981 në Siri. Gjatë këtij udhëtimi, Gadafi u takua me Hafez al-Assad, presidentin e atëhershëm sirian. Në vitin 1998, një grup fundamentalistësh i zunë pritë autokolonës së Gadafit në Derna të Libisë. Për të shpëtuar jetën e udhëheqësit libian, një nga rojet qëndroi përpara tij dhe u plagos për vdekje. Shtatë të tjera morën lëndime të lehta. Amazonka e ndjerë quhej Aisha. Ajo ishte truproja më e lartë në sigurinë personale të Gadafit në atë kohë. Në nëntor 2006, udhëheqësi libian mbërriti në aeroportin e Abujas në Nigeri me rreth 200 truproja të armatosur rëndë. Me mbërritjen e tyre, rojet e sigurisë së aeroportit refuzuan t’i linin të hynin nëse ishin të armatosur, gjë që e zemëroi Gadafin. Pas një konfrontimi të shkurtër midis truprojave dhe rojeve të sigurisë, udhëheqësi i tërbuar libian u përgatit të shkonte në këmbë drejt kryeqytetit. Situata u përmirësua falë ndërhyrjes së presidentit të atëhershëm nigerian Olusegun Obasanjo. Gjatë udhëtimit të tij në Itali në qershor 2009, Gadafi udhëtoi me rreth 300 truproja. Gjatë vizitës së tij, ai qëndroi në një tendë gjigante beduine të vendosur në një park në qendër të Romës.

Polemika. Shumica e grave që iu bashkuan Gardës së Amazonës u braktisën dhe u refuzuan nga familjet e tyre. Në vitin 2001, Dr. Seham Sergeeva, një psikologe libiane, filloi të hetonte procesin e përzgjedhjes për Gardën e Amazonkave. Vetëm tetë gra u paraqitën për përzgjedhje për shkak të frikës nga dhënien e dëshmive. Ato kishin frikë se mos vriteshin nga fundamentalistët dhe ndonjëherë nga anëtarët e familjes së tyre. Edhe pse shumë gra e përshkruan Gadafin si një “emancipues të grave”, pas vdekjes së tij ato e akuzuan atë për përdhunim dhe abuzim. Shumë gra thanë se ose u shantazhuan për t’u bashkuar me njësinë ose u kërkuan favore seksuale për t’u zgjedhur. Ato dëshmuan se Gadafi dhe disa anëtarë të tjerë të rrethit të pushtetit të udhëheqësit i përdhunuan ato. Historitë e tyre tregojnë për anën e errët të procesit të përzgjedhjes për personelin në sigurinë personale të udhëheqësit libian. Pra me pak fjalë ishte si haremi personal i Gedafit.