Gëzim Zilja: Qelbësirat

414

“Nga syri i djathtë i rrëshqiti një pikë loti i trashë që as u mundua ta fshijë. Ndjeva një revoltë të brendshme për pazaret për vendin e  punës. Pas dy dekadash demokraci kjo farë e keqe ishte shtuar dhe metastazat e saj kanceroze po përhapeshin me shpejtësi në të gjitha strukturat e shoqërisë.”

Sigal

Aso kohe isha deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe detyra që kisha më bënte të takoja mjaft njerëz, që më tregonin hallet dhe më bënin kërkesa nga më të thjeshtat deri te më të çuditshmet: punësimi i gruas, djalit, nipit, padrejtësitë e gjykatave në dhënien e vendimeve, në regjistrimin e pronave në hipotekë, e gjithfarë hallesh të tjera të shoqërisë në atë tranzicion të pafundmë. Këto më shkaktonin lodhje dhe trishtim. Nuk kuptoja dot (edhe sot nuk e kuptoj) përse zyra e deputetit duhet të kthehej në zyrë të mirëfilltë punësimi? Një ditë në zyrë më vjen shoku im i fëmijërisë Qemali, njeri i drejtë, i ndershëm dhe fare i pangatërruar në atë marramendje të shfrenuar, ku të gjithë rendnin për mbijetesë, për favore e për para.

Dalim jashtë, – më thotë. Nuk mund ta bëj muhabetin në zyrë. Kam një hall të madh. Ngrita kokën dhe e pashë në fytyrë. Pashë dy sy të lodhur, ku trishtimi prej kohësh ishte ulur këmbëkryq.

Dakord, – iu përgjigja. Hajde pas orës katër, se siç e shikon jam i mbytur në punë. Pimë kafe dhe çmallemi se kemi kohë pa u parë. Buzëqeshi hidhur dhe u largua me sytë e ulur që shprehnin haptazi mosbesim. Në orën katër e gjysmë, kur po dilja nga godina, e pashë diku poshtë shkallëve, duke pirë cigare. E thirra në emër dhe pas dhjetë minutash u gjendëm në një nga kafet e bregdetit.

Po hë, – i thashë duke qeshur më shumë për të shtensionuar situatën. Ma thuaj hallin që ke, se ti nuk je nga ata që vjen për t’u ankuar nëpër zyra.

Vallahi nuk di nga ta filloj, – vazhdoi me sytë e ulur.

Filloje nga të duash. Të shikojmë se ç’mund të bëjmë me aq sa kemi në dorë.

Më ka pickuar gjarpri atje ku nuk thuhet. Më duket se në trup më qarkullon vetëm helm e jo gjak. Prapë nuk i ngriti sytë dhe rrinte i menduar. Në një çast ngriti kokën dhe m’u drejtua:

E mban mend atë nipin tim inxhinier, atë djalin e vëllait që më vdiq shpejt, e qysh fëmijë e mbaja pas vetes? Ai tani është bërë goxha burrë dhe ka ca kohë që është martuar. Nusen nuk e ka nga qyteti ynë. Ka mbaruar mësuesi dhe po përpiqeshim ta punësonim në ndonjë shkollë. Nuk të erdha se e di që është shumë e vështirë dhe nuk doja të të bija më qafë. Më thanë që drejtori është i ri, por pa paguar diçka nën dorë nuk bëhej fjalë për punësim. Atëherë mora përsipër një rol që do ta luaja për herë të parë dhe të fundit në jetën time. Kisha ca para mënjanë, që i kisha kursyer ashtu, pak nga pak, ca nga rroga e ca nga ato që më dërgonin fëmijët nga emigracioni. Pa i thënë gjë askujt, madje as gruas, duke dashur të ndihmoja nipin, që ti e di, e kam shumë për zemër, i shkova drejtorit të DAR*-it në zyrë. Ishte një burrë rreth të dyzetave, i veshur bukur, në kostum e kollare, i rruar, i parfumosur dhe energjik në dukje.

Ju çfarë halli keni? – m’u drejtua me një mirësjellje të shtirur.

“Përse zyra e deputetit duhet të kthehej në zyrë të mirëfilltë punësimi? Tre mijë euro, për një vend punë në një nga shkollat e qytetit. Mirë që po na vjedhin paratë, por po na përdorin dhe nuset në këmbim të bukës së gojës!?”

Pasi iu paraqita hyra drejt e në temë. I thashë që e di sesi janë këto punë dhe kam hequr mënjanë tre mijë euro, që nusja e nipit të punësohej në një nga shkollat e qytetit.

Por po u deshën më shumë e shikojmë sërish, – përfundova. Ndjeva sikur kisha hequr një mal nga kurrizi. Kurrë në jetën time as kisha dhënë e as kisha marrë ryshfet. Po ma kishin bërë të lehtë ata që më kishin thënë. Mjafton t’i tregosh paratë dhe mbyllet halli, merr fund. Tashmë pasi nxora ato fjalë nuk isha më i sigurt dhe mendimet filluan të më ngatërroheshin. Po të mos ishin të vërteta ato, që thuheshin për të? Po sikur në një çast të më thoshte:

Me kë flet ti kështu? Hajt qërohu, i pa turp! – Ose mund të më quante provokator, të thërriste policinë dhe të më padiste. Po njeriu që kisha përballë nuk po ndihej. Në një çast shikimet tona u kryqëzuan. Sytë e akullt të atij njeriu po më shikonin gjithandej me gjakftohtësi kriminale. M’u duk vetja si send, që po e çmonte sesa vlente. Nuk më la të hapja gojën.

Do ta rregullojmë xhaxha, – më tha. -Këtë javë kemi konkursin dhe i thuaj të paraqitet. Mori disa të dhëna, që i shkroi në bllokun e tij dhe m’u drejtua sërish me ata sytë e thatë pa kurrfarë lëngu. Bëra sikur e harrova zarfin dhe u ngrita të ikja.

Merri ato merri, – më tha qetësisht. – Këtu do të jemi.- Ato fjalë i kuptova që do të paguaja pasi të më punësonte gruan e nipit.

Jam në pritje, – i bëra shenjë, duke nënkuptuar që paratë mund t’i merrte kur të donte. U ndjeva i poshtëruar, i keqpërdorur, por edhe i lehtësuar. Kisha bërë një pazar të pistë, që për fëmijët e mi të betohem nuk do ta kisha bërë. Vërtet do të paguaja por, ama, nusja e nipit do të punësohej për gjithë jetën! Nipit i thashë që brenda muajit nusja do të fillonte punë, se po më ndihmonte një miku im deputet. Sigurisht që nuk i tregova që punësimi kushtonte tremijë euro dhe, ndoshta, më shumë. Nipi i befasuar më tha:

Xhaxha nuk kam fjalë për të të falenderuar. Ti për mua ke bërë më shumë sesa do të bënte im atë, nëse do të jetonte. Vazhdova të ndiqja me vëmendje tregimin e tij që sipas meje, i dihej tashmë përfundimi: Kishte paguar paratë, ndoshta mund t’i kishte kërkuar edhe ndonjë euro më tepër dhe nusja e nipit kishte filluar punë. Nuk m’u durua dhe e pyeta:

Po pse vjen te mua? Ti vetë i ke vajtur, vetë i ke dhënë paratë dhe tani çfarë kuptimi ka? Në këtë rast ligji ju dënon të dy. Qemali qeshi hidhur, ma bëri me dorë që të kisha durim dhe vazhdoi:

Kaloi një muaj e gjysmë, konkursi ishte zhvilluar dhe megjithëse i dhashë dhe numrin e telefonit nuk më njoftoi për asgjë. Çdo ditë shikoja zarfin me eurot fringo të reja, por telefoni nuk ra. Një ditë, në pritje të telefonatës së premtuar, duke pirë kafen e mëngjesit në klubin e lagjes, dëgjoj pas krahëve të mi:

I fortë paske qenë o Qemal. Paske qenë thëngjill i mbuluar. Po si ore e fute nusen e nipit në punë dhe ku, në mes të qytetit dhe nuk na the një fjalë! Nuk po kuptoja asgjë nga ato që ai po më thoshte, duke bërë të pakënaqurin.

Ç’ne, – i thashë. – Kam bërë një takim me drejtorin e DAR-it, por nuk kam marrë ende përgjigje.

Ore lëri ato, se ata kanë qenë me drejtorin e madh për ekskursion andej nga bregdeti, me shkollën, – vazhdoi me paturpësi. U ndodha krejt i papërgatitur. Ato fjalë më ranë rëndë dhe gjithçka m’u errësua.

Ti këtë punë ke, llapaqen ke qenë gjithë jetën, por lere atë muhabet se do të zemërohem e pastaj nuk ndahemi mirë bashkë, – i thashë për të dalë nga gjendja e sikletshme, që më vunë fjalët e tij.

Mirë ore mirë, po pyet një herë se ti nuk e ditke fare që ka një javë që është futur në punë?

“Zoti ministër! X-i, drejtori i DAR-it në qytetin Y, të pushohet menjëherë nga puna për imoralitet! Të qërohet! Ministrin e arsimit e njihja mirë. Në ngjarjet e vitit 1997 ia kishte mbathur në Gjermani familjarisht. Tetë vjet më vonë, si mik i kryeministrit ishte kthyer dhe ishte emëruar ministër i Arsimit. Ministrinë e kishte kthyer si dyqan mallrash, ku shiste leje e lincenca për shkollat private të arsimit parauniversitar dhe sidomos të arsimit të lartë. Tashmë kishte shtëpi të tijën në Gjermani dhe nja dy a tre në Shqipëri.”

Fjalët e tij më kafshuan si ata qentë, që nuk lehin, veç kur ndjen dhëmbët e futura në pulpën e këmbës dhe ulërin i tmerruar nga frika e dhimbja. Pastaj kërkon të shpëtosh dhe t’ia mbathësh sa më parë, duke u ulur instinktivisht, për të kapur një hu a një gur për ta trembur. Nuk vajta në shtëpi derisa të mblidhja veten, por si duket paskësh qenë e vështirë. Dikur aty nga pasditja hyra në shtëpi. Gruaja me atë humorin e saj të veçantë, duke më parë të vrenjtur e të menduar, më thotë:

E nga ka rënë gjithë ai shi, që je bërë qull se këtej nga ne diell ka bërë gjithë kohën. E pashë në sy, por e dija se nuk mund ta gënjeja dot.

Ashtu është një punë, por nuk ka lidhje me familjen tonë. Punë llafazanësh e pijanecësh, – u përpoqa ta kaloja gjendjen. Ajo nuk e zgjati, e sigurt se si zakonisht do t’ia thosha më vonë, nëse ishte një ndodhi që mund t’i interesonte. Tani, pas një jave pa gjumë erdha te ty, për të qarë hallin meqë merresh me politikë dhe të dëgjohet llafi.

E ç’mund të bëj unë? – iu përgjigja krejt i papërgatitur.

Nuk e di se ç’mund të bësh ti. Po unë të kam shok dhe nuk mund t’ia thosha dot gruas dhe mendova të ta tregoja ty. Tani më duket se kam hequr një mal nga shpina. Sinqerisht ndihem i lehtësuar.

Po nipi të ka thënë gjë? – më shpëtuan fjalët për të cilat u bëra pishman sa i nxora nga goja.

E ç’rëndësi ka? Pastaj ti e di që ai është njeri shumë i ndershëm, por i plogët. Ai mendon se e shoqja e meriton, ndërhyrja ime ka ndikuar dhe ka fituar konkursin. Se zhvillohen dhe konkurse e kupton ti? Unë e besoj atë që ka ngjarë më shumë me instinkt sesa me logjikë. Logjika ime mund të gjejë shtigje sa të dojë për të shpëtuar nderin e nipit, por instinkti dhe vetëdija më bëjnë të jem fare i qartë. Ajo ka ndodhur. Në këmbim të një vendi pune, nusja e nipit ka ngritur këmbët përpjetë me qejf apo e detyruar, këtë nuk e them dot. Pastaj llogje mund të bëjmë sa të duam. Prandaj nuk më telefonoi më mua ai bir kurve dhe nuk m’i mori paratë? Nuk di si janë takuar e si janë marrë vesh apo si e kanë bërë pazarin. Ç`mu desh mua të merresha me këtë punë! Kisha dëgjuar plot nga këto histori me ryshfete e kurvërira, ca i kisha besuar e ca jo, por kur të ndodh te shtëpia jote qenka e rëndë plumb, jo vetëm e beson, por bota fillon e rrotullohet krejt ndryshe e kurrë si më parë. Mirë që po na vjedhin paratë, por po na përdorin dhe nuset në këmbim të bukës së gojës!?

Nga syri i djathtë i rrëshqiti një pikë loti i trashë që as u mundua ta fshijë. Ndjeva një revoltë të brendshme dhe kuptova që në atë ngjarje isha i përfshirë në një ose tjetër mënyrë. Pas dy dekadash demokraci kjo farë e keqe ishte shtuar dhe metastazat e saj kanceroze po përhapeshin me shpejtësi në të gjitha strukturat e shoqërisë. Pa u menduar fare mora në telefon sekretaren e kryeministrit.

Jam Tanush Hyseni, – i thashë sekretares. – Dua një takim urgjent me kryeministrin. Pas pak nga ana tjetër më erdhi zëri miklues i sekretares, të cilën e njihja në rrethana pune.

Kryeministri ju pret në zyrë kurdo që të vini sot ose nesër.

Nesër, nesër në mëngjes, – arrita të artikuloja.

Të nesërmen Kryeministri më priti dhe më ofroi kafe.

Apo do një raki, – shtoi, – se ti e heq nga pak.

Një raki më mirë, por nuk di sesi do të qetësohem.

I rashë shkurt, duke folur qartë dhe shkoqur. Më dëgjoi me vëmendje duke u nxirë në fytyrë, të paktën ashtu m’u duk atëherë.

Më lidh me ministrin e Arsimit menjëherë! – iu drejtua sekretares së vet. Pa dhënë asnjë sqarim artikuloi këto fjalë.

Zoti ministër! X-i, drejtori i DAR-it në qytetin Y, të pushohet menjëherë nga puna për imoralitet! Të qërohet! Ministrin e arsimit e njihja mirë. Në ngjarjet e vitit 1997 ia kishte mbathur në Gjermani familjarisht. Tetë vjet më vonë, si mik i kryeministrit ishte kthyer dhe ishte emëruar ministër i Arsimit. Ministrinë e kishte kthyer si dyqan mallrash, ku shiste leje e lincenca për shkollat private të arsimit parauniversitar dhe sidomos të arsimit të lartë. Tashmë kishte shtëpi të tijën në Gjermani dhe nja dy a tre në Shqipëri.

Ashtu u bë. E hoqën nga puna si drejtor të DAR-it, brenda ditës dhe e çuan në një shkollë tjetër si mësues të thjeshtë. Gjeta një lloj ngushëllimi, por gjithë ai nxitim i Kryeministrit dhe lënia e drejtorit në arsim nuk më la shije të mirë. Gjithsesi ai ishte hequr si drejtor. Gjashtë muaj më vonë u riemërua në po atë detyrë si drejtor i DAR-it dhe vazhdonte të merrej me ryshfete e kurvërira si më parë. Këtë radhë shkova te ministri. Gjashtë vjet në kolltukun e ministrit të arsimit vazhdonte të kujdesej vetëm për tenderat, për dhënien e licencave në arsim, dhe qoka të tjera ndaj qeveritarëve e deputetëve në të dy krahët.

Më thanë që keni riemëruar sërish në detyrë atë klyshin e kurvës.

As mori mundimin të më sajdiste, duke më thënë të paktën të ulesha në karrige, siç bëri kryeministri para gjashtë muajsh. Ngriti kokën katërcepëshe me flokët e rralluar, më hodhi një vështrim hetues mbi syzet e shtrenjta prej miopi me skelet floriri, që rrinin fiks mbi hundën krrute dhe m’u përgjigj:

Po! – duke më parë tashmë në një mënyrë të tillë sikur të më thoshte: Kjo nuk është puna jote, ç’më çan kokën e më vjen në zyrë?

E mban mend që e ke pushuar nga puna me urdhër të kryeministrit?

Si nuk e mbaj? – qeshi me ironi.

E atëherë?

E atëherë, e morëm sërish në punë se kishim nevojë për të tani para zgjedhjeve të reja. Doja t’i thoshja nuk mund të gjenit dot një burrë tjetër, por nga goja më dolën fjalë të tjera.

E di kryeministri që ti e ke riemëruar në detyrë?

Po ti si thua që unë e kam emëruar sërish pa dijeninë e tij? Gjë tjetër keni zoti deputet, se kam edhe punë…

Jo nuk kam zoti ministër, por dije që ti je një qelbësirë, një cop mut,- i thashë duke përplasur derën. Tashmë nuk dija se ku e kisha unë vendin. M’u duk vetja si ai pushi i bezdisshëm i plepit, që mbush rrugët dhe hendeqet qyteteve e fshatrave në çdo fund pranvere, duke lëvizur në mënyrë kaotike sipas drejtimit të erërave. Kartoni i deputetit që e mbaja gjithmonë me vete filloi të më rëndonte aty në xhepin e brendshëm të xhaketës. Nuk po kuptoja përse më duhej dhe çfarë mund të bëja me të…