Frank Shkreli: Dita e Evropës, 2024 dhe shqiptarët. Gëzuar ditën e bashkimit Evropë, qoftë edhe pa Shqipëri e pa shqiptarë!

11
Sigal

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

Urime pra, Evropë ditën tënde 2024, ditën e bashkimit e të paqës, qoftë edhe pa Shqipëri e pa Shqiptarë në radhët tua, por me shpresën që në një të afërme jo të largët, të hapësh portat tua për shqiptarët, porta të cilat Gjergj Kastrioti -Skenderbeu i mbrojti nga hordhitë otomane në kohën e tij…

9 Maji, 2024, shënon Ditën e Evropës, përvjetorin e Deklartës Schuman (9 Maj, 1950), 74-vjet më parë, në bazë të cilës është themeluar Bashkimi Evropian (BE) – enti politik dhe ekonomik evropian që njohim sot.  Deklarata mban emrin e Robert Schuman, ish Ministrit të Jashtëm të Francës dhe ish-Presidentit të Parlamentit Evropian, në bazë të cilës, fillimisht, çoi në themelimin e një tregu të përbashkët për qymyrin dhe çelikun evropian me qëllim për të “bërë të pamundur luftën nga pikëpamja materiale”, por që më vonë e, gradualisht, kjo deklaratë çoi në një bashkim politik dhe ekonomik më të gjërë. Vendet themeluese të këtij enti të ri politik dhe ekonomik në kontinetin evropian ishin Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu dhe Holanda që vendosën themelet e para të një organizate evropiane për një paqë të qendrueshme dhe për një Evropë të bashkuar. Sot BE është një ent politiko-ekonomik prej 27 vendesh anëtare me privilegje dhe përgjegjësi, sipas traktave në fuqi për antarësim.

Gëzuar Ditën tënde të Bashkimit dhe Paqës, Evropë – qoftë edhe pa Shqipëri e pa shqiptarë, në radhët tua. 74-vjetori i Deklaratës së Schumanit, 9 Maj, 2024, për fat të keq, dhe për më shumë se një shekull tanimë, gjenë Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët, ndonëse me dy shtete në Ballkan, gjithnjë të izoluar dhe të përjashtuar nga Evropa e Bashkuar.  Pothuaj, aq të izoluar e të përjashtuar nga Evropa ashtu si edhe 105-vjet më parë kur At Gjergj Fishta i Kombit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris (1919) iu ishte drejtuar para-ardhësve përfaqsues të shteteve evropiane — “Evropës së qytetnueme” — siç u është drejtuar ai atyre me pak ironi në fjalimin e tij klasik mbi të drejtat e mohuara të Kombit shqiptar.

Në Ditën e Evropës, 2024, po i kujtojmë “Evropës së Qytetënueme”, se 6 Maji shënoi ditëlindjen e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve Gjergj Kastriotit -Skenderbe – “Mbrojtësi i Qytetërimit Evropian” – i këtij qytetërimi që shumica e shteteve evropiane gëzon sot, të bashkuar, të pavarur e të lirë, por pa bashkatdhetarët modernë të Gjergj Kastriotit -Skenderbe në mesin tuaj, si pjesëtarë të këtij bashkimi kombesh. “Mbrojtësit të Evropës”– bashkatdhetarët e të cilit i mbani, sot e kësaj dite, jashtë dhe të përjashtuar nga radhët e bashkimit tuaj.

Megjithëse kanë kaluar disa shekuj, ia vlen ndoshta që tu kujtojmë evropianëve modernë të qytetëruar, në këtë ditë kushtuar Ditës së Evropës, se ata e gëzojnë atë qytetërim sot, fal fitoreve të Kryetrimit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe kundër perandorisë osmane që synonte pushtimin e Evropës së asaj kohe – fitore të cilat kishin marrë namin anë e mbanë Evropës, duke e cilësuar Skenderbeun si “Mbrojtësi i Evropës”, por që sot janë pothuaj janë harruar nga evropianët modernë.

Mbrojtësi i Evropës. Me këtë emër, Evropa e njofti dhe e trajtoi gjatë historisë deri në ditë e sotëme nepërmjet qindra sh në gjuhët kryesore evropiane, poema, filma e monumente anë e mbanë kontinetit të vjetër.  Vetëm ditën e 6 majit, 2024, të pakën 5-6 monumente u ngritën anë e mbanë Evropës, nga Italia, në Gjakovë e deri në Hungari, në nder e kujtim të Gjergj Kastriotit, Mbrojtësit të Evropës dhe Prijsit të Shqiptarëve. “Fat i vetëm për çdo burr të madh lufte dhe i rrallë për burrat më të mëdhej të çdo kohe”, do të shprehej dikur, albanologu në zë, At Zef Valentini në një shkrim për famën e Gjergj Kastriotit në Evropë.

Urime pra, Evropë ditën tënde 2024, ditën e bashkimit e të paqës, qoftë edhe pa Shqipëri e pa Shqiptarë në radhët tua, por me shpresën që në një të afërme jo të largët, të hapësh portat tua për shqiptarët, porta të cilat Gjergj Kastrioti -Skenderbeu i mbrojti nga hordhitë otomane në kohën e tij. Hapi portat sot Evropë edhe për Shqipërinë, Kosovën e për Shqiptarët, “si një mundësi e meritim që shqiptarët të jenë element kuptimi dhe paqeje ndërmjet fisesh e gjuhësh të ndryshme”, të Evropës. (Papa Pali i VI –1968).

Shqiptarët kanë dashur, historikisht dhe duan të jenë, aktualisht, pjesë e Evropës së bashkuar e të lirë, jo vetëm gjeografikisht, anëtarë të Bashkimit Evropian, pro-perëndimor me vlera, sjellje e kulturë, në shtëpinë e përbashkët të quajtur Evropë.

Evropa e bashkuar dhe e lirë, në këtë ditë, duhet të shfaq mirënjohjen e saj për fitoret e Gjergj Kastriotit – Skenderbe, për sakrificat e rënda të shqiptarëve gjatë historisë, në mbrojtje të dyerve të Evropës dhe qytetërimit evropian nga sulmet e herë-pas-hershme nga perandoria osmane.  Ndërsa, Gjergj Kastrioti-Skenderbe u tregon shqiptarëve udhën që ata duhet të ndjekin drejtë integrimit të tyre në Evropën e bashkuar e të lirë.