Një denoncim të fortë bëri deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji nga Roskoveci ku mori pjesë në një takim me simpatizantët demokratë të këtij qyteti. Salianji ka denoncuar se në qarkun e Fierit kryeministri Rama nuk zgjedh personat më të mirë për të drejtuar në radhët e socialistëve, duke theksuar në Fier, Lushnjë dhe Roskovec ka persona që kanë probleme me drejtësinë në krye. Ai u shpreh më konkretisht se kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi “është me 100 të zeza” dhe se makinat që blihen në emër të bashkisë përdoren si taksi droge. “Pse Edi Rama nuk ka frikë kur rrit taksat fermerëve, rrit sigurimet shoqërore fermerëve, krijon monopole dhe u rrit pesticidet, farat, plehun, etj? Sepse edhe në një zonë që tradicionalisht që e ka quajtur të majtë si Fieri, Rama nuk zgjedh më të mirët të socialistët. Shikoni qarkun e Fierit, Bimbashi i Fierit me dhjetëra procedime penale mbrohet nga Rama, nga SPAK. Ky tjetri i Lushnjës, një që kishte bashkë me PS, me drejtuesit kryesorë të PS në burg për korrupsion, Bufi këtu me 100 të zeza. Në vend që të përdorë edhe këtë makinën që e blen në emër të bashkisë që të udhëtojë rehat, e keni parë që i përdorin makinat si taksi droge. Ne nuk mund t’i harrojmë këto. Si mund të votohet kryetare bashkie kur makinat e bashkisë janë po këta njerëz problematikë në krye të sistemit dhe krye të bashkive e çdo institucioni publik në këtë vend. Janë njerëz që paguhen nga taksat e qytetarëve, por kthehen në shërbëtorë të krimit“, -tha ai.