Nga Çorovoda në Zaloshnje

1357
Sigal

Enver CAKAJ

Kur do të nisemi e kur do të vemë në Zaloshnje? Kjo pyetje u bë gjithë mëngjesin në Çorovodë. Në Skrapar ka një padurim për të marrë pjesë në përkujtimin e ngjarjeve të luftës. Mes nesh ishte dhe një vajzë me emrin Dea Zeqo,nxënëse e gjimnazit.Ajo mbeti me telefon në vesh për të rikujtuar shokët e shoqet e saj se do të niseshim. Por atë të diel të datës 9-qershor, edhe pse ditë pushimi, rinia mezi ngrihet nga gjumi i ëmbël i mëngjesit. E, megjitëatë dy makina të mbushura u nisën drejt Zaloshnjes. Në të ngjitur të Pirogoshit shoferi e ndaloi makinën pranë dy lisave të vjetër.Aty pati ndaluar vite të shkuara dervish Iljazi me disa udhëtarë nga Tomorica,të cilët kishin uri për ujë,po ujë nuk kishte.Atëherë dervish Iljazi u shkëput nga shokët,u ngjit në Radësh,mblodhi burrat e fshatit dhe bëri një pus.Të njëjtën gjë bëri edhe në Qafën e Devrisë.Këta puse u prishën nga ky system që quhet demokratik,por nevojtarët u rikthyen te puset dhe i bënë siç i la dervish Iljazi. E kaluam Qafën e Devrisë me lot, sepse në anë të rrugës pamë një përmendore kushtuar mësuesit Albert Lajthia,i cili në vitin 1997 shkonte me autobus për të parë nënën e tij në Gjerbës. Bandat rivale tek hanin kokat me njëri-tjetrin, i dërguan një plumb dhe Bertit në sediljen e autobusit. Nipçja im, Paolua, që është ulur pranë meje më pyet për fshatin përballë se si quhet. Udhëtonte për herë të parë në këto anë. Aty m’u kujtua ajo telefonata e mikut tim, skulptorit Fatmir Kalemi, që kishte marrë përsipër riparimin e lapidarit të fshatit dhe ca ndërtime të tjera në Mëlovë, siç bënë biznesmenët e Zaloshnjes për fshatin e tyre. Por ende s’ishte vënë dorë mbi to. Mbase nuk e ka përfunduar bustin e Kahreman Yllit, që do të vendoset në mes të qytetit të Çorovodës. Mbase lexon këtë shkrim dhe niset për në fshatin e tij të braktisur.

 

Kemi zbritur në fshatin Zaloshnje, që dikur e kanë pas quajtur “Moska e Vogël”. Përse zbritëm deri atje? Komiteti Veteranëve të Luftës të rrethit ka në programin e tij përkujtimin e Aktivit të Parë të Rinisë Komuniste, që është mbajtur këtu 75-vjet të shkuara. Në kujtim të kësaj ngjarje, shoqata “Zaloshnja 1990” e ka restauruar lapidarian dhe përmendoren me fondet e Albert Sulës. Atje lexojmë këtë nënëshkrim: “Për ata që u betua: O ndërtojmë botën e re, ose s’mbetet asnjë mbi dhe!” Konferenca zhvilloi punimet nga 9 deri 13 qershor 1943. Kush i strehoi dhe ushqeu ato katër ditë delegatët e rinisë? Këta zaloshnjallinj, që tani janë përhandisur, por atëherë ishin grusht dhe dyertë i kishin hapur për djemtë e luftës nuk të thonë asnjë fjalë. Ata nuk e ndihmuan luftën për të rrahur gjoksin. Pikërisht që këndej Partia i bëri thirrje rinisë për në lufë. Dhe rinia nuk e kurseu as gjakun as jetën. Vetëm nga Zaloshnja mbetën nëpër beteja 12 djem nënash në moshën më delikate të tyre. Ata zaloshnjallinj që ishin u mblodhën para lapidarit, ku kryetari i Oranizatës së Veteranëve të Luftës, Enver Naska, u solli në vëmendje ato ditë të konferencës. Këtu, në Zaloshnje, në shtëpinë e patriotit Hysen Zaloshnja, u hartua plani për shpartallimin e detashmenit të Xhafer Balit në Mëlovë në 31 gusht 1942. I ati i Hyzenit, Mahmut Zaloshnja ishte nga ata burra që këmbente fjalë me personalitete të botës: “Në Berat më 22 të shkurtit viti 1909. Veziri im i nderçëm i mëmëdheut shqiptar Zotit Mitro Brusko në Egjipt! Të përqafoj me shumë mall e me gëzim të zemrës sime, i lus të madhit Zot të fali shëndenë. Në rast se të këput malli për neve, mirë jemi. Po të na shkruaç me ç’postë t’i dërgojmë, Ditroit i duam të na shkruaç me ardhjen e lirisë e jo të nakatosura në francezë, se me zakone të mira po i këndojnë yrneknë të qartë se po të shtyp në këtë letër.

 

Edhe haberet e këtejme po t’i rrëfej. Mëso: Në Skrapar, në Backë në teqe vanë ca njerëz, i quajturi Siakja me një shok, rynë në teqet dhe morën plaçka të vjetëruara dhe të reja për në dyqant lirë. Mirë se qeveria është e ndarë mes të fortit edhe po e lënë Skraparin si me mendjen e parë dhe s’kemi ç’i bëjmë të fortit. Kështu u do kresa qeverive të mëdha. Baba Kasëmin e kanë lënë në bujqësi i varfër, që i ardhtë keq të madhit Zot. Po të kam rixha këtë mos e zgjat, ta shkruaç në çdo dritë. Shënim: Sado që jam për kronikën e gazetës, nuk ta çova. Po të na i shkruaç me art si Z. Naim Bej Frashëri. Gazetën të ma dërgoni në Berat te mbesat e Mustafa Nallbanit. Miku Yt, Mahmut Zaloshnja.”

 

Një tjetër zaloshnjalli, Hasan Zaloshnja,me disa patriotë skraparas i janë drejtuar me këtë letër Presidentit amerikan Uillson: “Të nënëshkruarit përfaqësues të popullit të nënprefekturës Skraparit me anën e kësaj telegrame vijmë paraqisim falenderjet tona që jini më i madhi projektor për krijimin e një shteti. Jeni shpëtimtari ynë nga atentatet e imperialisteve të fqinjve tonë që kërkojnë të pushtojnë tokat e huaja dhe duanë të hedhin poshtë lirimin e kombeve të vegjël. Shkëlqesi! Mos merrni parasysh kërkesat e padrejta të imperializmit Greqisë, Italisë përmbi tokat shqiptare se: Shqiptarët janë betuar të derdhin gjakun kundër atyre që duan t’i këmbejnë tokat shqiptare etnografike e gjeografike, që pa dyshim i përkasin Shqipërisë si Kosova dhe Çamëria. Skrapar,25.08.1920” Hyseni kishte marrë titullin bej, por kurrë nuk pranoi të veçohej nga bashkëfshatarët dhe miqtë e tij.Madje kur e pa se po e bezdisnin me bejllëke u ul e shkroi këtë deklaratë publike: “Me qenë se titulli “Bej” është një dhuratë që jepte qeveria turke me dekret të Sulltanit, nër ata njerëz që i bëheshin vegla të vërbëra për madhimin e Perandorisë Osmane e për të shkombëzuar kombet që ndodheshin në gjirin e saj dhe me qenë se në këtë titull bëheshin gjithë të këqiat dhe mizoritë për popujt, i nënëshkruari deklaroj para popullit se, që tani e tutje e kam shkelmuar këtë titull dhe me këtë rast u lutemi të gjithë miqve që kam patur, që kam e që mund të bëj,të mos ma përmendin më titullin “Bej”,qoftë në letërkëmbim, qoftë me gojë.” Zaloshnja ka patur burra që kanë drejtuar çeta partizane,kanë këmbyer letra edhe me Presidenta shtetesh.Servet Zaloshnjes,njërit nga komandantëve të çetave të para,i kanë thurur këto vargje:

Burri vetulla trasha

Që me grusht i binte murit,

Ish Serveti nga Zaloshnja,

Bashkë me Spiron e Kosturit.

I bastisën fshatin,

Po dot nuk e zunë,

Këndonte qitapet,

Tok me Mahmunë.

Këtu, në Zaloshnje ka qenë mësuesi i parë Kahreman Ylli, që u la atyre kulturën e tij, por mori prej tyre mikpritjen dhe ndershmërinë. Të mos harrojmë as shkrimtarin Moisi Zaloshnja, që nuk la ngjarje të Skraparit pa i pasqyruar. Ditët e fundit të jetës së tij ai botoi librin me titull: “Deti nën Tomorr”. Tomorricarët që nuk e kuptuan, se ata ishin deti e miniera, u tronditën. Por këto male paskëshin patur dhe një det tjetër, që nisi shfrytëzimin vitet e fundit. Nga këto male nxirret e dërgohet në të gjithë botën mermeri dhe pllakat e gurit. Tetë firma e kanë sulmuar malin, ku janë punësuar qindra njerëz. Por kur e shikon aq të laturisur malin e Tomorrit me vargmalet e tjerë të Tomoricës, të vjen të qash. Këtu në Zaloshnje kam patur një mik, me emrin Nevruz Ismailaj. Një ditë ishim ulur te Grurrëza, një burim, me të cilin nuk ngopesh kurrë, Nevruzi i kishte hedhur sytë çantës time, por i vinte rëndë të më pyeste. Pasi u freskuam dhe një herë ai më pyeti: “More djalë, kam parë disa si ti, që jeni kapardisur me ato çanta, po nuk e di, çfarë mbani në to?” Xha Nevruzi, ndjesë pastë, të godiste me qitje të largët. Për të shuar kurreshtjen ia hodha çantën mbi prehër. Unë mbaja vetëm dy romane dhe dekumentet e punës sime. Kur pa që kisha vetëm libra m’i nguli sytë e qeshur e më tha: “Paske ca mend, paske!” Atëherë punonte në kooperativë, po në një bisedë në rreth të ngushtë, ai u shpreh: “Mirë që i bashkuam, po si do t’i ndajmë këto tokat?” Për atë kohë kjo shprehje ishte e dënueshme, por të gjithë e kishin kuptuar rënien e ekonomisë. Çuditërisht nuk e denoncoi njeri. Por këtu, në Zaloshnje ndeshesh me një fenomen të çuditshëm. Pyjet mbi fshat janë mbushur me arrë, të cilat janë natyrale. Por edhe pse i do vendi dhe mund të merren të ardhura të mira, nuk kujtohet kush të krijojë blloqe me arrë.

E lamë në fund, po ajo është e para. E kemi fjalën për shoqatën “Zaloshnja 1990”, që është ngritur me kujdesin e Albert Sulës dhe Bujar Qatos. Në të vërtetë ata kanë ikur nga Zaloshnja, po kur duhet i gjen atje. Dihet që shoqatat nuk kanë të ardhura, por biznsmentët e fshatit, që nga Amerika, Anglia e kudo ndodhen, kanë lënë lekë mënjanë dhe po e rindërtojnë fshatin e tyre. Pas riparimit të lapidarit pamë një mur të gjatë në hyrje të fshatit, ku mund të krijoheshin rrëshqitje. Ata kanë shumë synime afatmesme e afatgjata dhe ne do t’i rikthemi edhe një herë Zaloshnjes.