Dritëroi i vërtetë, në letrat e dashurisë!

760
Sigal

Kadri Tarelli

Kritikët dhe autorë studimesh, shprehen se, në letërsinë shqipe ka pak shembuj të letërkëmbimeve, sidomos kur bëhet fjalë për letra dashurie. Po ja që Sadija, e dashura dhe bashkëshortja e Dritëro Agollit, thyen akullin dhe na sjell librin: “Dashuri në moshën e Krishtit”, një titull ngacmues, për një përmbledhje të letërkëmbimit dashuror, mes dy të dashuruarve. Ka shumë sinqeritet dhe dashuri bashkë, për të treguar atë pjesë të pathënë; dashurinë si ndjenjë, që lind e madhohet, forcohet e shuhet bashkë me njeriun, si për t’u bashkuar me Platonin e lashtësisë, që thotë: “Nëse nuk të ka prekur nga dashuria, ecën nëpër terr…”. Në këtë libër, fatmirësisht janë shkrirë në një të vetme, dashuria dhe letërsia, si kumt që i përcillet jetës që kur lind. Libri në vetvete, është një përmendore në mbretërinë e letërsisë shqipe, që i ngrihet dashurisë, e cila frymon e lartohet në shenjtërim, sepse njerëzit dashurojnë pa dallim, shpesh deri në marrëzi dhe flijim. Për t’i dhënë të drejtë shkrimtarit dhe poetit Shpendi Topollaj, që shprehet: “Kanë dashuruar mbretër e perandorë dhe, po me atë fuqi shpirti, kanë dashuruar edhe shërbëtorët e ushtarët, druvarët e minatorët, bujqit e blegtorët”. Vetë Dritëroi shkruan:

“…dua të mbaroj një artikull…..

Nuk më punojnë mentë.

M’u kujtove ti dhe,

në vend të artikullit,

po të shkruaj këtë letër.

Sikur ta merrte vesh kryeredaktori,

 ç’komedi do të ishte!”.

Sa sinqeritet ka në këto pak fjalë. Ky është njeriu dhe shpirti i pa treguar i tij, për të kaluar në një përkufizim filozofik, kur thotë: “…Ambientimi është si uji i fjetur, bile fare i palëvizshëm… këtij unë i kisha frikë, frikë si djalli…” Çdokush, që do të ketë kënaqësinë të lexojë sado pak radhë të këtij libri magjik, do të çuditet, kur të lexojë të shkruar nga dora e vetë shkrimtarit: “E, si vajti kjo punë….. E di ti, se unë nuk di të shkruaj letra dashurie? Është çudi për t’u çuditur, sepse qenka e vështirë të rrëfesh atë që ndjen së thelli. Kjo “sëmundje” hyjnore, ka prekur edhe Dritëroin tonë, megjithatë ai shkruan qetë, pa psherëtima e ngashërime, pa fjalë të mëdha e thirrje bubullimë. Në çdo letër në faqet e këtij libri, pavarësisht se është nisur e bitisur, si të gjitha letrat, autori përcjell frymëzimi poetik, i shfaqur natyrshëm, pa rënë në romantizëm, për të qenë i vërtetë dhe i drejtë me vetveten dhe me të dashurën, Sadijen. Poeti ynë Dritëroi, mbase mendonte si Faik Konica, që thotë: “Dashuria është dhembje nga të zemrës, që zgjat ndonjëherë për shumë kohë dhe është një dobi e madhe për pjekurinë e mendimit”. Lexuesi mund ta quajë me të drejtë librin, “Ditar dashurie”, titull që mund t’i shkonte goxha mirë, sepse renditja dhe datat shumë të shpeshta, na japin përshtypjen e ditarit pa ditar. Nëpër letra, duket sikur takon e bisedon me dikë, që të dëgjon e të beson, që e ke larg, por e ndjen afër, i qan një hall, i shfryn një brengë apo një mall. Këtu Driteroi është vetvetja, përdor pak figura letrare fluturuese. Ai është mbështetur mbi truall të fortë, ku ecën me çap të sigurt dhe mendim të pjekur. – “Do të të shkruaja më parë, – thotë diku Driteroi, – por pata frikë se nuk do të ishe në shtëpi… Në Tiranë bie shi dhe unë mendoj për ty”. Sa njerëzisht, thjesht, bukur e madhërisht. Diku poeti Vladimir Masallov, shkruan: “Në do të jetosh prej dashurisë, duhet të jesh i pushtuar prej saj”. Dritëroi ishte i pushtuar prej saj, aq sa edhe Sadija e ndjente që larg nga Shkodra, shiun dhe psherëtimën e “princit” të saj. Nuk di si do t’i përjetojë lexuesi këto pak rreshta të shkruara çiltërsisht, në një tjetër letër: “Nuk di se ç’ka ndodhur me mua. Në moshën e Krishtit të bëhem kaq i papërmbajtur në shfaqje e ndjenjave? Në mesditë të jetës, dashuria qenka e çuditshme”. Nëpërmjet dy gjetjeve të tilla letrare, shprehet një rrëfim malli, përkëdhelje shpirti dhe prehje në krahët e tërheqjes universale të dashurisë, ndaj shkruan: “…. E di ti, se më pëlqen qeshja jote”. Një vend të rëndësishëm në libër, zenë letrat e Sadijes, që i përgjigjen aq thjesht dhe letrarisht, bukurisë së letrave që merrte nga Driteroi. Aty, përmes një romantizmi jo të ndezur, ndjehet shpirti i butë dhe delikatesa femërore e pleksur në ëndrrat dashurore. Ajo që bën përshtypje, duke lexuar nëpër rreshta, janë cikërrimat e zakonshme, që e mbushin ditën, javën dhe kohën, të sjella aq lirshëm, si biseda me dy shokëve. Aty flitet, për thashetheme, qepje kostumi, dolli e dehje rakie, udhëtime, çanta, këpucë, blerje valute, transferime, çaste pune dhe teshtitje gripi, lexime, shkrime e botime, kritika letrare…. Aq sa çdo kush, vetiu njihet dhe jeton me problemet e kohës, kur ka mbirë ky çift i dashuruar. Na duket sikur po bisedojmë me Dritëroin, ballë për ballë pranë oxhakut, për punë e halle, duke pirë kafe, shoqëruar edhe me një gotë raki, për ta zgjatur muhabetin. Këtu qëndron edhe madhështia e Dritëroit, si shkrimtar, poet e mendimtar, sepse çdo letër është një krijim i mirëfilltë letrar, me kumt njerëzor të papërsëritshëm, të dobishëm e frymëzues. Gjykoni vetë këto pak fjalë, që i drejtohen Sadijes: “Unë në përgjithësi, kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, por tani i kam mbyllur fare. Kudo vetëm ty të shoh”. Të moshuarit ngazëllehen kur lexojnë të tilla letra. Kujtojnë kohën dhe “heroizmat” e tyre në Dashuri. Të rinjve, mbase do t’u vijë “pak marre”, siç thotë shkodrani, që me telefona në dorë dhe portale interneti, po e zhveshin shpirtin nga magjia e dashurisë dhe gudulisjet intime, të fshehta për sytë e botës ngatërrestare. Letrat e Dritëroit dhe të Sadijes, zbulojnë një botë të vërtetë jete në dashuri, për t’u kujtuar e lakmuar. Askujt nuk i del keq, nga ky mësim, mbushur me magji dashurie. Mjafton të kujtojë këto fjalë të Dritëroit: “Ngrive ti sot tek autobusi, moj e dashur; dimri është stinë e vështirë për dashnorët”.