Prof. Dr. Mehmet Spahiu: Organizimi me standarde i Botërorit dhe fitorja e Rusisë, një fillim i bukur për një rrugë të gjatë

726
Sigal

Nga Agron KAJA

Nisën dje ndeshjet finale të Kupës së Botës “Rusi 2018”, pas ceremonisë së hapjes, rusët tregojnë “dhëmbët”, ja si e përshkruan specialisti i futbollit ditën e djeshme në “Luzhniki”

Këngë, muzikë e spektakël koreografik në çeljen e Botërorit

Ceremonia e Kupës së Botës dje në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, nisi me muzikë klasike nën tingujt e Çaikovskit, si dhe me shpalosjen e një pjesë të kulturës së pasur ruse, për të vazhduar në stadium me parakalimin e modeleve të veshura me ngjyrat e 32 skuadrave pjesëmarrëse në kompeticion. Një ceremoni që nisi sipas traditës, ku Iker Kasijas dorëzoi trofeun e Kupës së Botës, ndërsa 800 persona morën pjesë në shfaqjen e dhuruar në skenën gjigante të ngritur në fushë. Më pas, Robie Uilliams dhe Aida Garifulina, këngëtari anglez dhe mezosoprano ruse, dhuruan një spektakël të vërtetë në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, me disa nga këngët më të bukura nga repertori i ish-yllit të Take That. Uilliams nuk e këndoi atë që është kënga më e famshme e tij në Rusi, “Party like a Russian”, por të pranishmit në stadium kërcyen nën tingujt e “Rock DJ”, “Feel” dhe “Angel”, madje duke kënduar në kor bashkë me të. Koreografia në fushën e stadiumit, ishte pjesa tjetër më tërheqëse në këtë ceremoni, ku edhe “Fenomeni” Ronaldo ishte një nga të ftuarit e kësaj ceremonie, e cila në orën 17:00 ja la vendin ndeshjes hapëse Rusi-Arabia Saudite 5-0.

Një ceremoni e bukur, ndoshta ishte edhe një paralajmërim për standarde të reja në futbollin rus?

Në përgjithësi, në të tilla evente, mënyrat e organizimit kanë të bëjnë me standardet, traditën e kulturën e shteteve organizatore. Dje Rusia ishte në kornizën e saj festive, por në tërësinë e saj ishte shumë e bukur.

Mund të themi se pamë një ndeshje të mirë, apo një ndeshje hapëse të zakonshme në një Botëror?

Mendoj se ka qenë një fillim i bukur për të dyja skuadrat, por niveli i lojës ishte larg pritshmërive të një Kampionati Botëror. Sepse nga të dyja skuadrat, pritej një lojë më e mirë, për tu treguar më të denja në këtë event.

Si ndeshja e parë e këtij Botërori, çfarë veçoni në Rusi-Arabia Saudite: rezultatin apo lojën?

Natyrisht që rezultatin, sepse si ndeshja e parë që ishte, vetëm ky mbetej synim final. Rusia u duk se luajti ndaj një skuadre modeste, sepse u pa që Arabia Saudite kishte si qëllim një rezultat të barabartë, por nuk kishte potenciale për ta arritur.

Ku ishte më superiore Rusia dje në këtë sfidë të parë?

Duhet thënë se Rusia spikati për motivimin dhe grintën në fushën e lojës për ta administruar sa më mirë atë, por kundërshtari u shfaq shumë modest. Kjo fitore, ndoshta nuk do të jetë një garanci që Rusia të mendohet që tani si gjysmëfinaliste e Botërorit.

Po sauditët çfarë treguan më pak nga performanca e tyre në eliminatoret e Azisë për këtë Botëror?

Sauditët e filluan me besim lojën, e qarkulloi mirë, por që gradualisht u dorëzua. Si pjesëmarrëse në Botëror nuk tregoi nivel në këtë ndeshje të parë, por nuk duhet nënvleftësuar për dy ndeshjet e tjera, sepse edhe mund të ndryshojë.

Si e përshkruani fituesen në të dyja pjesët, në këtë ndeshje të parë të Botërorit “Rusi 2018”?

Në totalin e 90 minutave zyrtare, dhe të 98 minutave lojë efektive, mendoj se Rusia e dominoi ndeshjen dhe e meritoi fitoren, për të gjitha argumentet që shpreha më sipër. Por kualitetet nuk i ka në lartësinë e një Botërori, kjo vlen për tu parë në dy ndeshjet e radhës për të.

Për tifozerinë në stadium, dje ishte nota më e lartë?

Patjetër që po, por unë them se spektatori dje ishte pjesa më e madhe e bukurisë së ndeshjes Rusi-Arabia Saudite 5-0. Do të uroja që të vazhdojnë kështu, edhe pse jashtë shkallëve të stadiumeve nuk mund të themi se situata do të jetë e tillë.

Po gjykimi i kësaj ndeshjeje të parë në Botëror, çfarë vlera teknike tregoi?

Gjykimi dje ishte shumë komod, sepse nuk ishte ndeshje që atyre tu hapte probleme. Asnjëherë arbitri dhe asistentët e tij nuk u vunë në vështirësi për marrjen e vendimeve.

Nesër (sot) luhen tre sfida, cilën veçoni si më interesante?

Patjetër që ndeshjen e Grupit B, Portugali-Spanjë. Luajnë një Kampione Bote (Spanja) dhe një Kampione Evrope (Portugalia). Janë dy skuadra që synojnë majat në këtë Botëror, dhe unë e pres si një ndeshje finale të parakohshme. E vështirë, por Spanjën e shikoj më favorite.

Nisur nga rezultati i thellë në ndeshjen Rusi-Arabia Saudite 5-0, mendoni se do të shohim “bollëk” golash në këtë Botëror?

Unë them se gola do të presim në këtë Botëror, edhe për faktin se FIFA i ka kushtuar rëndësi interpretimit të rregullores në lojën jokorrekte, e cila i jep më shumë mundësi spektaklit dhe shënimit të golit.

E enjte 14 qershor 2018, ora 17:00 në stadiumin “Luzhniki” të Moskës/ Ndeshja Grupi A

RUSI-ARABIA SAUDITE 5-0

Shënues: Gazinski 12, Sherishev 43’, 90+1’, Dziuba 72’, Golovin 90+4’

Formacionet

Rusia (1-4-2-3-1): Akinfejev; Fernandez, Kutepov, Ignjaseviç, Gazinski; Dzagoev (Sherishev 24’), Smolov (Dzuba 70’); Zobnin, Golovin, Zhirkov; Samedov (Kuziaev 64’). Trajner: Stanislav Çerçesov.

Arabia Saudite (1-4-5-1): Abdullah; Osama, Omar, Alburayk, Selman; Yahia (Hatan 72’), Alsalhavi (Muhanad 85’), Jaser, Otaif (Fahad 64;), Taiser; Salem. Trajner: Pici Huan Antonio

Gjyqtarë: Nestor Pitana (Kryesor), Hernan Miranda, Huan Pablo Belati (Asistentë) (Argj),

Sandro Riçi (I katërt) (Brazil)

Kartonë të verdhë: Golovin/ Taiser

Temperatura: 17 gradë

 

Të dhëna

Topi i parë:

Faulli i parë: Rusia

Rivënie anësore: A Saudite

Korne e parë: Rusia

Gjuajtja e parë: Rusia

Goli i parë: Rusia

Kartoni i parë: Rusia

 

MINUTAT E GOLAVE

12’ GOL 1-0/ Pas një krosi në zonë nga Zhirkov, topi kalon te Gazinski, i cili brenda zonës me kokë shënon golin e parë në këtë Botëror, të parin ndaj Arabisë Saudite.

43’ GOL 2-0/ Kur mendohej se pjesa e parë do të mbyllej 1-0, Rusia gjen golin e dytë. Pas një aksioni shënon Çerishev, i vetëm përballë me portierin saudit.

72’ GOL 3-0 Dziuba shënon me kokë golin e tretë për Rusinë, vetëm dy minuta pasi hyri në fushë si zëvendësues.

90+1’ GOL/ Dopietë e Çerishev në këtë sfidë të parë të Botërorit, njëherësh shënon edhe golin e katërt ndaj Arabisë Saudite.

90+4’ GOL 5-0/ Golovin gjen edhe golin e pestë, ndërsa është edhe i vetmi futbollist i Rusisë që u ndëshkua me karton të verdhë në këtë sfidë.

Gishti i mesit nga Uilliams, kujt i drejtohet?!

Nuk dha vetëm spektakël dje, sepse këngëtari britanik Robi Uilliams është kapur duke ngritur gishtin e mesit gjatë ceremonisë së hapjes. Në një video që qarkulloi dje në mbrëmje në rrjetet sociale, tregon këngëtarin që ngre gishtin e mesit, drejtuar kamerës teksa këndonte. Ky veprim duket i çuditshëm, dhe nuk dihet arsyeja pse është bërë nga ana e këngëtarit, që po jepte spektakël gjatë performimit të tij. Këtë ndoshta vetë Uilliams do ta tregojë më pas.

Reagimi i Putin në golin e parë të Rusisë

Ka qenë një gjest që tregon bashkimin midis këtyre dy vendeve. Vladimir Putin presidenti i Rusisë dhe Princi i Kurorës Muhamed bin Salman, e ndoqën së bashku ndeshjen që luajt në “Luzhniki Arena” mes Rusisë dhe Arabisë Saudite. Ishte Putin që i dha dorën Princit Arab, ku ndoshta mund ta këtë ngushëlluar dhe duke i thënë që është vetëm futboll dhe asgjë më shumë. Një gjest ky që jep shumë mesazhe, kryesisht në misionin e futbollit në bashkimin e popujve.

Sot në Ekaterinburg, policia me masa ekstreme për banorët

Dje është dhënë një lajm shumë ekstrem për banorët që jetojnë në blloqet e apartamenteve pranë stadiumit në Ekaterinburg. Ata janë paralajmëruar se mund të qëllohen nga snajperët e policisë, nëse do guxojnë të dalin në ballkonet e tyre gjatë ndeshjeve. Për këtë, është ndërtuar një gardh i lartë metalik prej tre metrash, i cili kalon nëpërmjet një blloku apartamentesh, duke bllokuar kalimin dhe hapësirat e parkimit të makinave. Synimi i organizatorëve është për të mbrojtur personalitetet dhe tifozët e shumtë që do të jenë të pranishëm në katër ndeshjet e grupeve që do organizohen në qytetin e katërt më të madh në Rusi, duke nisur nga ndeshja e sotme Egjipt-Uruguait.

Lajmi i fundit, Kuper: Salah 100% i gatshëm për Egjiptin

Mohamed Salah është “pothuajse 100% i gatshëm që të luajë në Botëror, dhe ai do të jetë në fushë në ndeshjen e parë kundër Uruguait, ndeshje e cila luhet sot në ora 14:00 në stadiumin e Ekaterinburg. Ky lajm është pohuar edhe nga trajneri i Egjiptit, Hektor Kuper, duke e bërë edhe më tërheqëse atmosferën e tifozerisë egjiptiane në këtë Botëror. “Ende do shikojmë sesi do të performojë në stërvitje, por jam pothuajse 100% i sigurt se Salah do të jetë në fushë, veç nëse ndodh ndonjë e papritur në minutat e fundit”, kështu deklaroi dje trajneri Kuper. Kujtojmë se Salah i dëmtoi ligamentet e krahut në finalen e Ligës së Kampioneve, Real Madrid-Liverpul, pas një ndërhyrje të rëndë të mbrojtësit Serxhio Ramos. Për gati një muaj ai nuk ka luajtur asnjë ndeshje, dhe dje, frika më e madhe se nuk do të luante dot në Botëror ka kaluar.

 

KALENDARI PËR RREGULLIM

GRUPI A

NDESHJET NË GRUP

Moskë/ Dje, 14.06.2018

Rusi-Arabia Saudite    5-0

Ekaterinb./ Sot, 15.06.2018

Egjipt-Uruguai            14:00

Shën Petersburg/ 19.06.2018

Rusi-Egjipt                  20:00

Rostov/ 20.06.2018

Uruguai-Arabia S        17:00

Samara/ 25.06.2018

Uruguai-Rusi               16:00

Volgograd/ 25.06.2018

Arabia S-Egjipt           16:00

RENDITJA

Skuadrat          Nd       P

  1. Rusia 1 3
  2. Egjipti 0 0
  3. Uruguai 0 0
  4. Arabia S 1 0

 

GRUPI B/ SKUADRAT

Portugalia

Spanja

Maroku

Irani

NDESHJET NË GRUP

Shën Petersb/ Sot, 15.06.2018

Marok-Iran                  17:00

Soçi/ Sot, 15.06.2018

Portugali-Spanjë          20:00

Moskë/ 20.06.2018

Portugali-Marok          14:00

Kazan/ 20.06.2018

Iran-Spanjë                  20:00

Saransk/ 25.06.2018

Iran-Portugali              20:00

Kaliningrad/ 25.06.2018

Spanjë-Marok              20:00