Suplementi Pena Shqiptare/ Bledar Koçi: Vendlindje…

Ç’dëshirë e çmendur të nisem tek ti
kur malli si malit fryhet me zjarr.
Xhadenë e gurtë në rëntë dhe shi,
ashtu si at’herë me këmbë do e marr.

Mallkuar qytetet, dy gjunjët që mpinë,
dhe mpaken e plaken një moti vrastar.
Si kec do marr vrapin në luadh e lëndinë
me hovin drejt teje të vij si manar.

Sigal

Të ç’lodhem mes rruge pllakishtës i ulur,
të ha një kafshitë, të ndez një duhan,
këmishën të zhvesh nga djersa e qullur
mbi supe t’a hedh si djalë azgan.

Këmbora e cjapit më thotë se mbërrita,
dhe zhurmë e përroit e njohur për mua.
Shkurrishtës me qofkla ku gracka u ngrita,
një ferrë të më çjerrë kaq shumë e dua.

Tutje një shkëmbi me kulpra harbuar
shtegun do gjej brezares me lisa,
lëvoret e thara t’ia prek i malluar
si herën e fundit kur njomë i braktisa.

Me mallin sa mali, sa pyjet me drurë,
ç’dëshirë e çmendur të nisem tek ti.
Me këmbë do e marr ashtu si dikur,
xhadenë e gurtë, në rëntë dhe shi.