Suplementi Pena Shqiptare/ Mexhit Prençi: Pano Taçi, poet unik, me histori të trishtë

246
Sigal

–      APOLOGJIA E MARTIROLOGJSË TË POETIT –

1 .

Janë të   rrallë ata, që brenda vetes të kenë vetëm vetveten, si Pano Taçi. Ai ishte Ai, Njeri e poet unik: dramatik e lirik, endacak e rrebel, sfidues i frikës..Njëzetekatër vjet hyr e dil në  burgun e zi komunist, në atë Ferr me të gjallët, që ishte më i tmerrshëm se Ferri i Dantes me të vdekurit. “Marrëzisht” i dashuruar me bukuroshen e “djallushen” poezi, që herë e bënte të ngjitej në qiellin e shtatë e të jetonte mrekullinë, herë e zbriste në jetën-ferr.

2.

Vëzhgimi i imtë, përceptimi e përjetimi i realitetit dhe reflektimi i tij shndrruar në realitet poetik, është qasja e duhur  krijuese e poetit: njeriu, drejtësia dhe demokracia të bëhen më të përsosura me kryefjalë lirinë dhe dashurinë njerëzore, shprehur bukur poetikisht  Pano ishte Pano, – vetvetja.

Këto vlera i shquaj në poezitë më cilësore të librave: “Blerim i thinjur”, “Shpirt i zbathur”, “Dhe vdekja do paguar”, “Sa pak qiell”, te poema “Muzg”, drama “Flakë në terr”, etj.

3..

Në tërësi poezitë e Taçit, kanë bërthamë dramatike, liriko-dramatike edhe tragjike.  Poeti me ngjyra të ndezura shpreh poetikisht dramën, dhimbjen, vuajtjen, mjerimin, vetminë, trishtimin, pesimizmin, që e kanë shoqëruar tërë jetën e tij ashtu si dhe qindramijëra bashkëkombas të tjerë. Mënyra si i sheston, strukturon dhe formëson poezitë nuk ngjet me asnjë poet tjetër, as nga përjetimi, shprehja figurative metaforike e simbolike, as nga mesazhet e guximshme, të larmishme dhe të fuqishme. Kjo shpjegohet me dy argumente: Së pari, ka përjetuar maksimalisht  privimin e lirisë brenda  burgut, por edhe  jasht tij, ku liria ishte e kufizuar si në marrëdhënie me punën e shoqërinë ashtu edhe me krijimtarinë poetike. Argumenti i dytë: Talent i tij dhe fantazia e arsyeshme, ka shprehur me art të admirueshëm. përjetimet reale nga jeta nëpër udhët e së cilës është ”zvarritur me rrasën e varrit mbi shpinë” siç thotë vargu metaforik i tij. Realja  dhe imagjinarja janë ngjizur dhe mbrujtur natyrshëm me konkretësi dhe kolorit, sa nga emocioni dhe mendimi inkandeshent, lexuesi ngopet me kënaqësi estetike, artistike dhe mesazhore,

4..

Kjo shfaqet akoma më potente dhe shumëdimensionale në përjetimin e dramës së lirisë e të dhunës, asaj sociale e familjare, të dhimbjes  dhe zhgënjimit. Pano e ka përjetuar thellë këtë realitet të trishtë duke i dhënë shpirt nga shpirti i tij. Me realizëm, thjeshtë e konnkretësi të poezive jepet  tonaliteti emocional, koloristik, polisemantika dhe  tropologjia e  tekstit, çka bën që kumtet të jenë sa të fuqishme e të larmishme, aq dhe të guximshme e tronditëse. Një guxim i çartur në një realitet të egër, ku shpata e Diktatorit të Madh komunist vërtitej mbi kokat e poetëve. Disa prej tyre si: Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Avzi Nela etj., ishin kurbanët e komunistëve terrorristë, që fantazonin armiq e  vrisnin  poetët për mendimet e lira.

5..

Pano Taçi ( ish-debatikas që griste flamurin fashist mureve dhe ngrinte flamurin tonë kuq e zi), i zhgënjyer nga përdhosja e ëndrrave dhe idealeve të lirisë dhe demokracisë, akuzonte  me guxim  të çmendur  më 1956  (nga Savëri i Lushnjes në internim.) me vargje-plumb, kolltukun, si simbol të pushtetit tiranik të  Diktatatorit të Madh dhe komisarëve të kuq.

“Kush klith si hije nëpër terr / Sa pylli i dushktë gjith’ rrënqethet? / kjo klithmë kujë në mes e prerë / re kobzezë tokës i qepet./…Të vraç nënën me barrë, ç’dorë nuk do gjykohej rreptë në gjyq?… (Dali Ndreu dhe gruaja e tij shtatzëne Liri.Gega, pushkatohen bashkë me fëmijën M.P.)

/“Kush klith me gjëmë natës në terr / sa tok’ e gjaktë rrënqethet krejt / Ku mi  ke shokët, im “Zot” Enver…?/ Këtu m’i ngre, këtu m’i  vret!…” ( Fragment nga poezia “Një varr që mban dy varre” ).

6.

Ndërsa në poezinë Shoku “Zot”, botuar më 1961 në Tiranë, do të bënte thirrje  kundër kolltukut si zgjedhë  e kular në fyt të shqiptarëve.

“Kush s’shef se sot edhe më shpesh / mbi kolltuqet e mëkatarëve / bythët e majme zunë prapë lesh: /  të shokut “Zot” e komisarëve. / Ngrehuni, ju o të mallkuar / o popull që më  ha dhe bar. / Ju trima eunuk poshtëruar: / hoqëm një zgjedhë, vumë një kular.”

(Këto poezi dhe të tjera me këtë frymë, janë marrë nga dosja hetimore, të cilësura: “me përmbajtje armiqësore”, të cilat u përdorën  si dëshmi e dënimit të poetit, më 1965.)

7.

Temën e kolltukut, në një formë më të moderuar, e ka vënë poeti në majën e stilolapsit të trashë blu që mbante përherë me vete edhe në këto dy dekada të demokracisë duke ironizuar e satirizuar kolltukun si simbol i etjes për pushtet të disa Njëshave dhe kopesë që i ndjek pas, të cilët për kolltuk sfidojnë idealin e shqiptarëve “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, duke vënë mbi gjithçka etjen për fronin e lartë. Niçeja, do të thoshte: “Shpesh balta rri mbi fron e shpesh froni rri mbi baltë…”. Nga aventurierët dhe gangsterët ështe arratisur ideali i lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe mirëqenies së popullit. Poeti shpërthen:

“O  kolltuk të rëntë një tenjë/ kaq të ëmbël kush të gdhendi/ ulet djalli e zë rrënjë/ e s’ka vinxh ta zhgul nga vendi./ Vjen një djall, shkon një zullap / Njeri zbrit e tjetri ngjit/ Ne me gisht në gojë prapë / prapë se prapë / me lak në fyt./ Ecim e s’dijmë ku mbrrijmë / me rrasën e varrit mbi shpinë”.

(Marrë nga drama “Flakë në terr”, botuar më 2002)

8.

Si një ndër miqtë më të afërt të Panos, bashkë me Xhevahir Spahiun dhe Pandeli Koçin kemi ndjekur gjithë procesin krijues të poetit. (Spahiu ishte lexuesi e bashkëdiskutuesi i parë i poezive të tij, mbledhësi, përzgjedhësi dhe ruajtësi i tyre për shkak se “harrakati” poet edhe i humbiste; Koçi ishte redaktori i kahhershëm dhe manaxher i botimit të gjithë librave të Panos; Unë, kritiku i preferuar i tij, bashkëdebatues  për vlerat dhe jo vlerat e poezive  edhe para edhe pas botimit të tyre). Kemi jetuar me gëzimet e hidhërimet e tij, me  shqetësimet e vështirësitë, me dramat  dhe  vetminë e frikshme. Në situata të tilla, poezia më shumë se askush, nuk e la të dorëzohej, të rrëzohej. Përkundrazi e lironte nga streset, ankthet e makthet. Shkruante vargje edhe ditën edhe natën; në shtëpi, në rrugë, në Kafe Europa, ku kafetë ia jepte gradis pronari, adhuruesi i poezisë së tij. Pano krijonte poezi edhe kur udhtonte me motor. I klikonte në memorje, pastaj i hidhte në letër. Eh, sa kemi rrugëtuar të dy bashkë mbi atë motor. Ecte me shpejtësi midis makinash, si adoleshent. Do të të vdes ky motor i thashë një ditë kur sa s’u futëm nën rrotat e një foristrade. Nuk ke frikë nga vdekja, i them. Nuk foli. Kur mbërritëm te lokali afër Varrit të Nënës Mbretëreshë, sa u ulëm, pa porositur kafenë, nxjerr një letër shuk nga xhepi dhe më lexon një poezi për vetminë. E bukur, i thashë. por rrënqethëse. Thith çibukun. Shtëllungat e tymit na mbuluan. Picirron sytë. Vështrimi ishte i tymtë. Bëri një “Ë ë ë ë…I lutem  Zotit të vdes mbi motorr se dikush do të më çojë në morg…Nuk dua të vdes në shtëpi fillikat… pas një jave a muaji kufomën time do ta gjenin të dekompozuar”. U trondita. M’u lidh goja… Nuk dija ç’ti thoja… “Je bërë krejt i verdhë, më thotë. Nuk vdes jo, s’më lë poezia.” Rrufeshëm nxjerr një poezi pornografike  dhe ma lexon. U shkulëm së qeshuri. Kaluam në një gjendje krejt tjetër.

9.

Ky është njeriu dhe poeti Pano Taçi, si në raport me veten, miqtë, kolegët, shoqërinë dhe me realitetin. Kalon nga një gjendje në tjetrën, nga gëzimi në hidhërim, nga  dramatikja në komike.  Poezitë e tij rrokin tema të ndryshme e motive të larmishme epike, lirike dhe satirike. Herë të integruara në njera-tjetrën, herë veçmas. Kur epiko-liriko-satirikja shkrihen, forca shprehëse e saj është shumëdimensionale,- sfiduese e fobisë, nga ata që kanë pushtet dhe atyre papushtet; sfiduese e djajve, puthadorëve, njeriut me shumë fytyra, të cilët i fshikullon pa frikë e pa zori me hostenin e poezisë.

***

(Vitet e fundit të jetës i kaloi në një dhomë përdhese karrakatinë te Bregu i Lumit midis komunitetit rom, mbasi shtëpinë ku banonte ia rrëmbyen me marifete të babëziturit, ata që ngrejnë  pallate me shumëkate.)

10..

… Pano Taçi është poet kompleks si në rrafshin e mendimit, të ndjenjës, përjetimit, dyzimit, mëdyshjeve, lëkundjeve, rënies shpirtërore apo optimizmit, ku e bukura dhe e shëmtuara, e keqja dhe e mira bashkëjetojnë e shfaqen herë veçmas, herë sëtoku, herë qartë e herë të mjegulluara e në forma të ndryshme e të larmishme, me intensitet, ritëm e dinamika të ndryshme, çka  personalja poetike është e veçantë, origjinale, e spikatur. Nga poezia “Krah dashurie” citoj: “Nëpër ethe mërzie / e me xhepat trokë / sa herë urrejtja më bie / me çekan në kokë / i qep dy flatra dashurie/  e më bëhet zog”.

11.

Urrejtja dhe dashuria jetojnë brenda vetes poetike. Kur urrejtja ndizet e do të shpërthejë në hakmarrje duke e goditur me çekan në kokë, zemra brenda kraharorit rreh më fort, gjaku ushqen dashurinë dhe fisnikërinë. Shuhet dalngadalë ndjenja e urrejtjes e shndërrohet në dashuri, bëhet zog, simbol  i paqes, lirisë dhe dashurisë.

Nga një poezi tjetër citoj: “ Mbi strall të udhës së Ferrit / Hapi i lodhur m’u gjakos /  Hyr e dil te skuta e ferrit/  Shpirti i dlirë  m’u burgos./ Me gurin Sizif mbi shpinë, / Bëj të dal në Purgator./ Sa mbrrij majën, prapë më shtyn / në Ferr, e mallkuara dorë./ Hyr e dil, e s’ka të sosur./ M’u lodh këmba, dil e hyr./ Ah, ky shpirt i mavijosur / S’di përse, mendon për mirë?!”

Në shpirtin dhe zemrën e poetit nuk ka Kain.

Semantika e vargut “S’di përse, mendon për mirë?!” kur shpirti i tij është i mavijosur, nuk mund të kuptohet pa njohur njeriun dhe poetin Pano; botën e tij humane, shpirtin e madh poetik, por edhe pesimist edhe optimist, edhe absurd e kaotik, edhe  i qartë e realist me zemër poeti, por gjthsesi synon për të mirën e të bukurën në sfidë me të keqen dhe të shëmtuarën, çka  rrëmbimi emocional vetfrenohet e përparësi merr racionaliteti.

  1. 12. .

Edhe në poezinë  liriko-komike  origjinaliteti ka veçori  e nuanca ku aplikohen edhe mjete të larmishme në një unitet harmonik me ato lirike e dramatike duke i dhënë poezisë së tij klasiko-realiste ngjyrime moderne. Ndërsa poezia pornografike e Pano Taçit është unikale. Që në librin e parë “Hukama e Venuesit”  (botuar me psedonimin Burgim Pata) (nga “frika” që mos e lexonte mbesësa e vogël), – suksesi ishte i menjëhershëm, ndonëse ishte libër i diskutueshëm. Fanatikët i lexojnë fshehtas poezitë, qeshin e aty për aty shajne poetin: “skandaloz”, “maskara”. Ca të tjerë e pëlqenin librin  gajaseshin së qeshuri. Ndërsa janë ca që sa marrin librin në dorë dhe lexojnë titullin, e flakin si të ishte lëndë plasëse. Por poeti as që do t’ia dinte: “Dikush – thotë Pano – e përtyp këtë gjellë  që kam gatuar unë duke i hedhur edhe erëza pikante, që e ka prashitur vetë jeta përplot me tharm. Dikush do t’i vjellë meqë s’ia honeps dot mideja. Punë oreksi. Një tjetër mban dietë dhe rrezikohet po të guxojë të gëlltisë nga ç’i servir unë, përveçse të lëpijë buzët…Unë shkruaj edhe poezi  lakuriqe (thotë në librin poetik “Lakuriq”), ashtu siç kanë lindur femra dhe mashkulli, pa i mbuluar me gjethe. Dua të emocionoj të tjerët. T’iu japë kënaqësi. Kush më pëlqen  më pranon, kush s’më pëlqen më refuzon. Kështu jam unë, s’mund të bëhem tjetër ”

13.

Taçi aq sa ishte poet lirik, hokatar e plak ashik, aq ishte poet, që kultivon dramatiken e tragjiken në pjesën më të madhe të poezive, veçanërisht në poemën “Muzg”, e cila është sa tronditëse aq dhe akuzuese. Britmat poetike të heroit liriko-dramatik ( është vetë Pano),- janë rrënqethëse, pikëllim e dhimbje brenda vetes e jashtë saj për dashurinë e nëpërkëmbur, përdhosur, tradhëtuar e zhgënjyer. Një akuzë-piskamë në muzg ndaj diktaturës më çnjerëzore, që e burgosi për poezinë e lirë, i gjakosi ëndrrat, rininë, i shkatërroi, familjen, jetën…. Gruan… Tërë jeta e poetit ashtu si e heroit të poemës ka qenë muzg, një muzg i një nate të gjatë komuniste, të një nate të tmerrshme me ankthe, tmerre, vuajtje e mundime, duke u zvarritur si një kufomë e gjallë me dramën e lirisë, të dashurisë, mjerimit dhe zhgënjimit, që e shoqëruan në ecjen e gjatë, duke kërkur lumturinë si personazh i teatrit të absurdit.  Apologjinë e martilogjisë të jetës së trishtë dhe krijimtarisë e shprehin me ngjyra te ndezuara poezitë e tij,    

Sipas meje Pano Taçi, është poet i elitës së poetëve të kombit.

Profesorët, Doktorët, Akademikët dhe Profesorët e Historisë së Letërsisë  Shqipe, sipas meje, nuk kanë dalë prej steriotipisë së gjykimeve rutinore e paragjykimeve të tjera, për ta vlerësuar  Pano Taçin ashtu siç e meriton si poet me personazhe artistike UNIKE.

14.

NË VEND TË KONKLUZËS

Isuf Luzaj, filozof dhe poet, në letrën që i dërgon nga Amerika poetit pasi kishte lexuar librin “Blerim i thinjur” shkruan: “Zotit Pano Taçi Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Tiranë, Albania. I dashur bashkëatdhetar, jo pak herë në jetë më ka rrjedhur loti si për fëmijën time, miq, shokë, dashamirë, atdhe dhe popullin tim, siç më dogji faqet e rrudhura dhe më kripi buzët memece, leximi i librit poetik “Blerimi”. Të paskëshe lindur italian, emri yt do të udhëtonte nëpër shekuj me Silvio Pelliço e Giacomo, Leopardi austriak, me Rilkerin e Milton  anglez; me spanjolin Kalderon; argjentinasin Borges, me Nerudën dhe  francezët Hugo e Lamartin, me amerikanin Prosti. Figura  jote do të udhëtonte kohët nëpër enciklopeditë euro-amerikanë. Vazhdo apologjinë e  martirologjisë, e cila do të vlejë si Edukatë Historisë sonë fatzezë.

Të përqafoj.

10 qershor 1996 ”