Vullnet Bilbilaj: Shqipëria është e të gjithëve!

26

Shqipëria jonë nuk është pronë e asnjërit. Ajo iu përket të gjithë shqiptarëve. Krijimi i një klime të qetë dhe të pranueshme për të gjithë shqiptarët, nuk është vetëm përgjegjësi e qeverisë , por është edhe e opozitës. Populli është i lodhur nga zgjatja pa kufi e tranzicionit politik, i cili si pa e kuptuar, po barazohet me vitet që qeverisi diktatura komuniste.

  • Ish-ët e politikës!
Sigal

Në asnjë vend të botës, qoftë edhe në botën e tretë, një ish kryeministër, ish president, ish ministër, ish ambasadorë, apo persona të tjerë të administratës së lartë shtetërore, nuk shprehen dhe nuk sillen kurrë si njerëz të zakonshëm, por shqetësohen dhe kujdesen ende për shtetin e tyre. Ka një kod etik, i pashkruar në Kushtetutën e çdo vendi për të gjithë ata që gëzojnë statusin e “burrit të shtetit”.

Ky kod etik presupozon se këta “burra shteti” japin edhe jetën (larg qoftë këta tanët) për të ruajtur themelet e brishta të shtetit shqiptar dhe jo të nxitojnë vetë të parët për t`i shkatërruar ato. Nuk është e pranueshme që ish presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Meta, të kërcënoj prokurorët e SPAK-ut. Edhe sikur zoti Meta të ketë të drejtë, ai duhet të shkojë në prokurori dhe le të mbrohet ndaj akuzave që i bëjnë duke i rrëzuar ato me gjuhën e fakteve, nëse ka të tilla. Kështu, ish Presidenti dhe ish Kryeministri i Shqipërisë jep shembullin e tij se si duhet të respektohet shteti ligjor nga çdo shqiptar tjetër. Kërcënimet e drejtuesit të SPAK-ut janë sjellje të një joshtetari.

II- Administrata shtetërore

Funksionimi si duhet i administratës shtetrore është pjesa më e dobët e qeverisë. Administrata është ende larg pritshmërive të shqiptarëve. Cilësia e shërbimeve, që sot ofrohen për qytetarët nuk është ajo e duhura. Niveli profesional i nëpunësve lë për të dëshiruar. Ky nivel jo vetëm që nuk u shërben qytetarëve, por dëmton rëndë edhe imazhin e qeverisë, e cila nga ana e saj ka bërë me qindra punë të mira. Është nevojë urgjente që qeveria të vendosi kritere të drejta për të përzgjedhur nëpunës të zotë. Vetëm ata që i plotësojnë kriteret ligjore duhet të pranohen në shërbimin civil dhe jo ata që plotësojnë kriteret e shefit. Subjektivizma do ketë gjithmonë, ato janë të pashmangshme, por jo të kalohen kufijtë e të “moralshmes”. Të gjithë e dimë se një shtëpi nuk e ndërton dot një opingar, por një ndërtues po. Edhe një palë opinga nuk i bën dot një ndërtues, por një opingar po. Ende dhe sot vazhdojnë të përzgjidhen në krye të institucioneve individ me formim të ulët profesional, gjë që duhet dhe mund të evitohet. Duhet të tregohet vëmendje për evidentimin dhe nxitjen e punësimit të studentëve të sapo diplomuar. Qeverisjet vendore të planifikojnë fonde për nxitjen e mendimit të kësaj fashe shoqërore për hartimin e projekteve për zhvillimin urban dhe ekonomik të qytetit. Kështu jo vetëm që rigjenerohen ide të reja për zhvillimin e qyteteve tona, por evitohen edhe largimet e tyre jashtë shtetit për t`u punësuar.

III- Shqipëria është e të gjithëve

 

Shqipëria jonë nuk është pronë e asnjërit. Ajo iu përket të gjithë shqiptarëve. Krijimi i një klime të qetë dhe të pranueshme për të gjithë shqiptarët, nuk është vetëm përgjegjësi e qeverisë , por është edhe e opozitës. Sa më shumë zhurmë politike që bëjnë partitë politike (në shumicën e rasteve bëhen debate të padobishme për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarve) aq më pak zhvillohet vendi dhe ekonomia e tij. Partitë politike që janë të regjistruara në librin e gjykatave shqiptare, duhet të mblidhen dhe të hartojnë një program politik afatgjat ku të përcaktohet qartë dhe prerë nevojat strategjike të vendit, të detyruara për t`u zbatuar nga çdo qeveri që fiton me vote të drejtën për të qeverisur Shqipërinë dhe shqiptarët. Populli është i lodhur nga zgjatja pa kufi e tranzicionit politik, i cili si pa e kuptuar, po barazohet me vitet që qeverisi diktatura komuniste. Vetëm ky fakt duhet të na skuqi faqen dhe të na bëjë me turp. Shqipërinë do ta bëjnë të gjithë shqiptarët që e duan dhe që derdhin qoftë edhe një pikë djersë për ndërtimin e Saj dhe jo ata që rrinë nën hije e kuvendojnë. Shqipëria nuk bëhet kurrë nga politikanët dhe ish-ët e saj që e kanë përbuzur dhe vazhdojnë ende ta përbuzin atë.