Detaje nga atentati në Sarandë/ I plagosuri me dy idenitete, me precedent penalë, u qëllua nga persona të maskuar. Dhunimi i policit nga djali i tij, pistë hetimi

Një atentat me armë zjarri është shënuar në mbrëmje në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku objektiv i sulmit ka qenë Thimjo Rubati.

Sipas informacioneve paraprake, dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me një motor, kanë hapur zjarr në drejtim të Rubatit dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja. 50-vjecari ka marrë 3 plumba, ndërkohë po transportohet me urgjencë drejt Traumës për mjekim të specializuar.

NOA

Thimjo Rubati është një person me precedentë të shumtë penalë, i njohur nga autoritetet për vepra penale që lidhen me trafikimin e klandestinëve, kontrabandën, armëmbajtjen pa leje dhe është i skeduar edhe për trafik të mjeteve motorike.

Ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku një natë më parë u dhunua oficeri i Policisë Mihal Velço. Për atë episod dyshohet se janë përfshirë djali i Thimjo Rubatit dhe dy shokët e tij, të tre persona me precedentë penalë.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e atentatit, identifikimin e autorëve dhe sqarimin nëse ekziston lidhje mes dy ngjarjeve të ndodhura brenda pak orësh në të njëjtën zonë.
Raportohet se i plagosuri ka dy identitete, njihet edhe si Sandër Rubati.