Jam në Gjeorgji, në një mbledhje të parlamentarëve dhe ish-parlamentarëve të vendeve të Detit të Zi. Kërkova të takoja një ish-kolegun tim gjeorgjian, David Seganalidze, por nuk gjendej më aty rrotull. M’u kujtua takimi i parë me të, para shumë vitesh, kur në sheshin tonë “Skenderbe” kalohej ende me makinë. Sapo u futëm në shesh, nga ana e rrugës së Durrësit, ai pa monumentin e Heroit tonë Kombëtar dhe, shumë i habitur, më pyeti:
– Uau! Po Akaki Horavës pse i keni ngritur monument?! Buzëqesha.
– Është Skenderbeu, Heroi ynë Kombëtar, – i thashë. – Por aktori juaj i madh, Horava, ka luajtur rolin e tij, në filmin “Skenderbeu”, në 1953, dhe, natyrisht, ngjajnë. Buzëqeshi edhe miku im, Davidi.
Meqenëse Davidin nuk e takova dot, pyeta disa njerëz në rrugë nëse e njihnin aktorin e tyre të madh që perjetësoi në film Skenderbeun tonë. Ai kishte luajtur edhe rolin e një heroi gjeorgjian, të ngjashëm me heroin tonë. Të parën pyeta një vajzë, rreth të njëzetave. “No,no…”, tha ajo dhe u largua e habitur nga pyetja ime. Pastaj një djalë a burrë rreth të tridhjetave.
-Emër i dëgjuar,-më tha,- më duket se është sportist, futbollist a diçka e tillë.
I treti qe një burrë mbi të dyzetat.
-Akaki Horava? Po si jo? Atë e njeh e gjithë Gjeorgjia; është aktori ynë i madh! Krenohemi me të. Ka vdekur në vitin 1972 dhe, nëse doni të vini një tufë me lule në varrin e tij, është në varrezat shtetërore, pranë nënës së Stalinit. Dhe u largua i kënaqur që një i huaj po kujtonte aktorin e tij të adhuruar.





















