Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Gishtërinjtë e hirtë të Colette-s

105
Sigal

Në muzgun e vonët,

nën peshën e rëndë të viteve,

ballë “Cour royale”,

Colette vështron duart!

Oh ç’rrugë, ç’dredhëza mbi ato duar,

që kanë krijuar magjinë.

Gishtërinj të kohës së hirtë,

që një jetë u lodhën së shkruari romane

dhe bërë dashuri…

Gishtërinjtë e saj dinin veç të ngrenin harqe

dhe të zgjonin hove burrash,

zjarre përgjërimi në lëndina dhe shtretër.

Ajo vështron gishtërinjtë dhe mbyll sytë

në këtë kohë të vonë.

Gishtërinj të tjerë kujton në errësirën e thellë,

gishtërinj të një jete,

që i kishin zgjuar dëshirën e shkrimit

dhe përhumbjen e madhe të dashurisë…

Gishtërinj të dehur,

puthur mijra herë,

gjithçka shkruan ato duar

për dehjen e një gruaje gjer në natën e mbrame…