Dominon Shkodra në prodhimin e bimëve medicinale me 72% të peshës

Prodhimi i bimëve medicinale dhe erëzave në Shqipëri ka vijuar rritjen edhe gjatë vitit 2025, duke arritur nivelin më të lartë të dekadës së fundit.

Të dhënat e INSTAT, tregojnë se gjatë vitit të kaluar u prodhuan gjithësej 21 mijë tonë bimë medicinale dhe erëza.

Sigal

Krahasuar me vitin 2024, kur prodhimi ishte 19.2 mijë tonë, rritja përllogaritet në 1,841 tonë më shumë brenda një viti.

Rritja e prodhimit është shoqëruar edhe me zgjerimin e sipërfaqeve të kultivuara. Në vitin 2025, sipërfaqja e evidentuar me bimë medicinale dhe erëza arriti në 8,251 hektarë, nga 7,508 hektarë një vit më parë. Kjo përfaqëson një rritje prej afro 10%.

Prodhimi është i përqendruar kryesisht në qarkun e Shkodrës. Gjatë vitit 2025, ky qark prodhoi 15,199 tonë, duke përbërë mbi 72% të prodhimit të përgjithshëm të vendit.

Vetëm brenda një viti, sipërfaqja e kultivuar në Shkodër u rrit nga 5,400 në 6,200 hektarë, ndërsa prodhimi u zgjerua me më shumë se 2 mijë tonë. Kjo rritje shpjegon pothuajse të gjithë shtimin e regjistruar në nivel kombëtar.

Në Fier u regjistrua një rritje e ndjeshme e prodhimit, nga 300 në 413 tonë, pavarësisht një uljeje të lehtë të sipërfaqes. Në të kundërt, në Korçë prodhimi ra nga 651 në 431 tonë, paralelisht me tkurrjen e sipërfaqes së kultivuar.

Këto shifra i përkasin kategorisë statistikore të bimëve të arave dhe lidhen me sipërfaqet dhe prodhimin e evidentuar nga institucionet bujqësore. Ato nuk duhet të interpretohen automatikisht si e gjithë sasia e bimëve medicinale që mblidhet në territorin e vendit.