Suplementi Pena Shqiptare/ Niko Gjoni: Ndodhi interesante tek parkingu 

Në periudhën e verës, në plazhin e Durrësit – tek plazhi Iliria apo më tej tek Teuta dhe Ura e Dajlanit – ka një dyndje të madhe plazhistësh. Janë të shumtë ata që vijnë nga Kosova, por frekuentues të shumtë janë edhe italianët. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë dhe vizitorë nga vende të tjera, të cilët jo vetëm që bëjnë plazh, por edhe lidhen me miq të rinj shqiptarë. Të gjithë pothuajse vijnë me makinat e tyre, dhe nuk janë të rralla rastet kur nuk gjen vend për të parkuar. Parkinget private, kryesisht anash rrugës, janë të prenotuara. Makina të veçuara shihen dhe anash pallateve dhe hoteleve, dhe nuk janë pak. Gjatë ditëve dikush sistemon makinën në parking, dhe tjetri e nxjerr prej aty. Është një moment konfuz, sepse autoveturat janë të ndryshme dhe, nga madhësia e tyre, krijojnë vështirësi në dalje apo hyrje. Dikush që e ka parkuar makinën në mesnatë mund ta harrojë vendin ku e la dhe kontrollon me radhë gjithë vargun e makinave të parkuara. Shtimi nga viti në vit i plazhistëve në plazhin e Durrësit krijon shqetësime jo të vogla. Gjatë verës, vizitorët nga Kosova i drejtohen plazheve të Durrësit, Shëngjinit, Velipojës, por edhe Vlorës e Sarandës, sipas preferencave të tyre. Një nga shqetësimet më të mëdha është parkingu për makinat. Kosovarët mbushin makinat e tyre me pajisje për ditët e  plazhit: peshqirë, bluza, kapele, vaj plazhi dhe mangjetofona, prej të cilëve dëgjohen këngë kosovare – Nexhmije Pagarusha, Esat Bicuri, Gili dhe të tjerë – duke u ndjerë më pranë këngëtarëve të tyre të preferuar. Por, nga plazhistët tanë preferohen këngët popullore ose ato të muzikës së lehtë të këngëtarëve shqiptarë të të gjitha kohërave. Në pikun e plazhit, kryesisht në muajt korrik-gusht, problemi i parkimit të autoveturave është i madh dhe ndodh të ketë përplasje mes drejtuesve të mjeteve. Në parkinget private, të cilët janë më cilësorë, ka tarifë më të lartë. Autoveturat ruhen me kujdes, temperatura mbahet konstante rreth 25 gradë për të mos u dëmtuar. Makinat janë të markave të fundit, me ngjyra të ndryshme, vijnë nga Bashkimi Europian, si dhe ndonjë kosovar që e parkon makinën privat. Pronari i parkingut kujdeset që makinat të mos pluhurosen, të jenë të pastra dhe të mos dëmtohen nga zogjtë. Një kosovar kishte parkuar makinën afër një makine me targa serbe, dhe drejtuesi ishte serb.- Ku më ra mua afër! Do të kem shumë vështirësi ta nxjerr makinën, – tha kosovari. Drejtuesi i makinës serbe i kërkoi llogari pse po vonohej nxjerrja e makinës. Kosovari, një djalë i ri, i tha:- Merr çelësin e makinës time dhe vepro si të duash, vetëm të mos dëmtohen makinat! Serbi e shikoi me inat dhe tha se nuk ishte faji i tij që tjetri kishte qenë i pakujdesshëm. Pronari i parkingut i tha djalit se gabimi ishte i tij dhe se tani duhej të manovronte me qetësi për ta nxjerrë makinën.- Të kuptoj… ti mbron serbin, jo mua. Ne të dy jemi shqiptarë.- Po them të vërtetën, – shtoi pronari.  Më në fund, kosovari e nxorri makinën dhe i tha serbit:- Shikoje makinën mos ka ndonjë të gërvishur, se më pas nuk mbaj asnjë përgjegjësi.- Dreq o punë, – u ankua serbi.- Le të ishte makina e një italiani, afrikani, siriani, gjermani, turku apo francezi, por jo e serbit… Pronari qeshi:- Tani po bën humor. Dite e nxorre makinën mirë e bukur, se ndryshe do të vinte keq puna. Serbi u ankua tek shefi i policisë pse u lejua që kosovari ta parkojë makinën afër makinës së tij. Pronari dhe unë shkuam tek kafeneja më pranë dhe qeshëm me këtë ngjarje të çuditshme, ku makinat duhej të ishin parkuar më larg njëra-tjetrës. Pas disa ditësh, një vajzë serbe parkojë makinën e saj në një nga parkinget private ku më parë kishin qenë dy kosovarë. Ajo u ankua se pronari i parkimit nuk i tha që në krah të makinës së saj ishin dy autovetura të bukura nga dy djem kosovarë që kishin ardhur nga Gjermania dhe po pushonin në Durrës.- Më sistemo makinën në një vend sa më larg tyre. Nuk dua të kem përplasje.- Nuk ka pse, secila autoveturë ka vendin e vet, – i tha pronari.- Nuk mund… E dua sa më larg. Kam ardhur të kaloj pushimet, jo të debatoj për vend parkimi, – insistoi vajza serbe. Pronari e qetësoi, duke i thënë se do ta ndryshonte vendin e parkimit me një italian, që nuk kishte problem të parkonte aty afër kosovarit. Zgjidhja e vendparkimeve bëri që shqetësimet e pushuesve të jenë më të pakta. Një vajzë durrsake, studente, po bënte plazh duke patur afër një djalë gjerman. Të dy u njohën aty dhe kaluan bukur disa ditë. Vajza e ftoi Hansin për një vizitë në shtëpi, dhe ai mbeti shumë i kënaqur nga mikpritja:  Shqiptarët janë mikpritës, punëtorë dhe të sinqertë. Në uzinën ku unë jam inxhinier kam tre djem shqiptarë të shkëlqyer që nuk më krijojnë asnjë problem, jo vetëm se janë të saktë në punë, por edhe të sjellshëm e të mirëkuptueshëm. Ndërsa vajza Fjona më tregoi këtë episod me Hansin, mu kujtua debati i mëparshëm për parkimin e makinës nga serbi, që nuk donte të ishte afër kosovarit. Opinionet formohen vetëm kur je në lidhje pune ose miqësie midis dy njerëzve të kombësive të ndryshme. Vitet e fundit, lëvizja e lirë ka bërë që jeta të shihet më ndryshe, më reale, komode dhe private, pa cënuar askënd. Shpresoj që në periudhat e ardhshme të muajve korrik-gusht, kudo ku frekuentohen plazhet në bregdetin tonë të mrekullu eshëm, për parkinget të mendohet më seriozisht, qoftë në rrugë shtetërore apo private. Kjo siguri krijon mundësinë e kalimit të orëve të këndshme gjatë ditëve të pushimeve, pa ndonjë ndodhi apo shqetësim midis pushuesve, qofshin sado të vogla. Një harmoni e tillë krijon miqësi të reja dhe e bën më me kuptim paqen jetësore.

 

NOA