Ministrja Pirdeni prezanton ndryshimet ligjore: Mbyllim kapitullin e reformës së administratës publike

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni prezantoi në Kuvend ndryshimet dhe shtesat në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.

Në fjalën e saj në seancë plenare, Pirdeni theksoi ky është një ndër ligjet kyçe që Shqipëria duhet të plotësojë për të garantuar mbylljen e kapitullit të reformës së administratës publike.

NOA

Sipas saj, “me miratimin e këtij projektligji jemi një hap më afër finalizimit të gjithë këtij procesi për këtë kapitull”.

Pirdeni nënvizoi se projektligji është rezultat i një pune të gjatë më se dyvjeçare me të gjitha institucionet e qeverisjes qendrore dhe ato të pavarura.

Ministrja theksoi se ndryshimet janë dakordësuar me Komisionin Evropian dhe Sigma-n, si dhe janë diskutuar gjerësisht në tryeza të dedikuara me ekspertë dhe grupe interesi, gjatë konsultimit publik.

“Koha e miratimit të këtij projektligji përkon me një moment shumë të rëndësishëm historik ku ne po përgatitemi për mbylljen e kapitujve të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Reforma në administratën publike është një nga kushtet horizontale që Shqipëria duhet të plotësojë për avancimin e mëtejshëm të procesit të negociatave në të gjithë sektorët”, theksoi Pirdeni.Ministrja solli në vëmendje vlerësimet që Shqipëria ka marrë nga OECD-Sigma, si lider rajonal në fusha kyçe të qeverisjes publike, në menaxhimin e financave publike, në zhvillimin dhe koordinimin e politikave, në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe në qeverisjen dixhitale.