Av. Marash Logu: Gjyqtarët kushtetues duhet të japin drejtësi

222
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në seancat plenare të 11-12 tetorit 2019, Komisioni i Venecias, miratoi Opinionin Nr. 959/2019 mbi kompetencat e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Ky opinion u përgatit pas kërkesës së kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, në kushtet kur Partia Socialiste ngriti një komision hetimor për shkarkimin e Presidentit. Anëtarët e Komisionit të Venecias arritën në konkluzionin se, pavarësisht se anullimi dhe shtyrja e datës së zgjedhjeve mund të ishin në tejkalim të kompetencave kushtetuese të Presidentit, këto akte nuk përmbushnin kriteret e shkeljeve të rënda të Kushtetutës për nisjen e procedurave të shkarkimit.  Megjithatë, ajo që vihet re përgjatë gjithë Opinionit është se, Komisioni rezervohet në shumë aspekte, duke u shprehur se intepretimi përfundimtar i Kushtetutës dhe vendimi mbi rastin konkret, i takonte Gjykatës Kushtetuese. Pra, Komisioni kujdeset që të mos marrë përsipër të zëvendësojë gjyqtarin tonë kushtetues. Duket se kujdesi dhe vetëpërmbajtja e Komisionit, nuk është kuptuar drejtë nga Gjykata, e cila vendosi pardje, t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion mbi kushtetueshmërinë e zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Opinion, i cili, pavarësisht se në mënyrë indirekte, tashmë iu është dhënë institucioneve shqiptare, dhe Gjykata Kushtetuese mund t’i shfrytëzonte gjetjet e tij.  Por, Komisioni i Venecias nuk mund të zëvendësojë as Gjykatën Kushtetuese dhe, as ndonjë gjykatë tjetër shqiptare. Fatkeqësisht, mungesa e kurajos profesionale të njerëzve që janë emëruar/zgjedhur në institucionet tona, veçanërisht e njerëzve të drejtësisë, shpeshherë është kthyer në burim padrejtësie për qytetarin. Krahas të tjerave, mungesën e integritetit dhe kurajos profesionale e hasa thuajse çdo ditë në KAS dhe Kolegj Zgjedhor, ku komisionerë dhe gjyqtarë, nuk guxuan të bënin transparencë mbi zgjedhjet e 25 prillit.  Zbatimi i Kushtetutës dhe ligjit me përpikëri, kërkon kurajo dhe guxim. Ato janë vlera që duhet ta shoqërojnë në përditshmëri njeriun e drejtësisë, gjyqtarin. Nëse nuk je i pajisur me to, atëherë mbase është koha që vendin t’ia lirosh dikujt që ka integritetin, profesionalizmin, por edhe kurajon e guximin për t’u përballur me paligjshmërinë, kudo ku shfaqet dhe për të realizuar atë që është misioni parësor i sistemit gjyqësor: dhënien e drejtësisë. Në këtë kuptim, është për të ardhur keq, që gjyqtarët kushtetues nuk patën guximin dje, të jenë në lartësinë e detyrës së nderuar, që qytetarët shqiptarë iu kanë besuar, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre.