Prof. Dr. Kristaq Kume: Gjykata Kushtetuese duhet të kishte marrë vendim për 30 qershorin 2019, që të rriste autoritetin e saj

392
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Komisioni i Venecias nuk është shprehur për 30 Qershorin 2019

Për të gjykuar dhe për të marrë vendim në lidhje me kërkesën e bërë nga Shoqata e bashkive të Shqipërisë, e përfaqësuar nga zj. Voltana Ademi, për pavlefshmërinë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, të zhvilluar në 30 qershor 2019, Gjykata Kushtetuese, pas një seance të gjatë, ku dëgjoi kërkuesit dhe të tjerë të interesuar për këtë çështje, vendosi t`i drejtohet, për opinion Komisionit të Venecias.

“Çështja që i është kërkuar Gjykatës Kushtetuese të gjykojë, në thelb ka lidhje me kushtetueshmërinë e vendimeve të marra nga Kuvendi, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, që kanë vepruar në kushtet e pamundësive ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve”

Gjykata Kushtetuese duhet të kishte marrë vendimin e saj

Në rrafshin formal dhe referuar edhe rregullimeve ligjore që Gjykata Kushtetuese duhet të mbajë parasysh dhe duhet të zbatojë në procesin e shqyrtimit dhe gjykimin të një çështjeje, marrja e një opinioni të tillë, amicus curiae, është veprim që nuk mund të qortohet. Referuar rastit, por akoma edhe më shumë pritshmërive të qytetarëve, ky veprim i Gjykatës Kushtetuese nuk është mirëpritur. Bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese, është vlerësuar dhe konsideruar si kapërcimi i një situate aspak normale në funksionimin e shtetit ligjor. Ndërkohë është e rëndësishme të thuhet se, pavarësisht nga mënyra se si mund të arsyetohet, pavarësisht nga qëllimi dhe/ose se çfarë synon të realizojë anëtarësia e Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet kërkesës për opinion nga Komisioni i Venecias, i gjykuar ky veprim, duke iu referuar pritshmërive të qytetarëve ndaj kësaj Gjykate, efektet e tij nuk janë pozitive. Ky veprim i Gjykatës Kushtetuese mbarte me vete mundësitë për të gjeneruar perceptime negative në lidhje me cilësinë e produkteve të reformës në sistemin gjyqësor. Shumë u shprehën, se me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias,  anëtarët e Gjykatës Kushtetuese u treguan të paaftë nga ana profesionale, të pazotë që të gjykojnë tema me ngarkesa të mëdha politike.  Ndaj dhe, për mendimin tim, duke patur parasysh këtë situatë, do të ishte shumë më mirë që çështja të ishte mbyllur me një vendim përfundimtar. Nëse Gjykata Kushtetuese do të merrte vendimin, kështu ajo të rriste edhe autoritetin dhe prestigjin e saj në pritshmërinë që kanë të gjithë ndaj kësaj Gjykate Kushtetuese. Duke patur parasysh sesi vepron dhe gjykon Komisioni i Venecias, unë shpreh mendimin se, opinioni i saj do të shprehet diku, nga mesi i muajit tetor.

Zgjedhjet e 30 Qershorit 2019 u zhvilluan pa dekret, pa akt ligjor

Natyrisht kjo e thënë kështu, duhet të lexohet si një dëshirë dashamirëse për procesin e reformës në sistem gjyqësor por, në asnjë rast nuk duhet të interpretohet si pohim për lehtësinë e gjykimit të çështjes dhe panevojshmërinë për opinion të Komisionit të Venecias. Çështja është komplekse, me ngarkesa, sa juridike, aq edhe politike dhe, për të, nuk ka një opinion të Komisionit të Venecies.

“Nëse Gjykata Kushtetuese do të merrte vendimin, kështu ajo të rriste edhe autoritetin dhe prestigjin e saj në pritshmërinë që kanë të gjithë ndaj kësaj Gjykate Kushtetuese”

Venecia u shpreh për dekretet e Presidentit, jo për 30 qershorin

Komisioni i Venecias ka shprehur opinionin e tij, pas kërkesës së bërë nga Kuvendi, në lidhje me kushtetushmërinë vendimeve të Presidentit të Republikës për çdekretimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Ndërkohë çështja që i është kërkuar Gjykatës Kushtetuese të gjykojë, në thelb ka lidhje me kushtetueshmërinë ose jo të vendimeve të marra nga institucionet si Kuvendi i Shqipërisë, KQZ dhe/ose Kolegji Zgjedhor, që, sipas kërkuesve kanë vepruar në kushtet e pamundësive ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve, të rrjedhura nga dekreti i Presidenit të Republikës për anulimin e datës 30 qershor, dekret që u botua edhe në Fletoren zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Si theksohet edhe në Raportin e Misionit të Vëzhguesve Ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, që vëzhgoi zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, 30 qershor 2019: “Dekretet për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore dhe për caktimin e datës 13 tetor 2019 si ditë e zhvillimit të  tyre, deri në ditën e sotme, nuk janë kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jopolitik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë, përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor, si dhe nuk janë ndryshuar, nuk janë anuluar dhe nuk janë shfuqizuar nga asnjë gjykatë tjetër në Republikën e Shqipërisë e, as nga Kolegji Zgjedhor”. Ndaj dhe Gjykata Kushtetuese është përpara detyrës për të gjykuar kushtetueshmërinë e gjithë veprimeve dhe vendimeve të marra dhe të realizuara, në kushtet kur, dekretet e Presidentit të Republikës, nuk iu nënshtruan gjykimit të kushtetueshmërisë së tyre, sepse, si theksohet edhe në Raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë, gjykimi i tyre ishte e drejtë vetëm e Gjykatës Kushtetuese, e cila në atë kohë ishte jo funksionale.

Cilat pyetje duhet t’i dërgohen Komisionit të Venecias

Unë besoj se pyetjet që do t’i drejtohen Komisionit të Venecias nga Gjykata Kushtetuese do të jenë krejt të ndryshme, në kushtet kur jemi në situatën që në procesin zgjedhor të 30 qershorit 2019 nuk ka një akt, një dekret për të zhvilluar proces zgjedhor, se realisht ato zgjedhje u zhvilluan kur nuk kishte dekret presidencial, sepse dekreti i mëparshëm u shfuqizua, madje edhe u botua në Gazetën Zyrtare, duke u bërë ligj. Pra, sipas Kushtetutës, ato zgjedhje nuk duhet të ishin zhvilluar, ndërsa tani subjekti i pyetjeve duhet të jetë sjellja e institucioneve, sikurse Kuvendi, KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor, në këtë process zgjedhor, pa akt ligjor për zgjedhje. KQZ-ja mori përsipër të administronte procesin zgjedhor, në kushte kur nuk kishte bazë ligjore që ta mbështetëte këtë. Kësaj pyetje nuk i është përgjigjur Komisioni i Venecias kur iu kërkua nga Kuvendi, nëse Presidenti i Republikës kishte shkelur rëndë Kushtetutën me aktet e tij ligjore. Ndërkohë shtrohet pyetja që procesi zgjedhor i 30 qershorit, a ishte në kushtet e një shteti ligjor? Sepse kishte edhe subjekte zgjedhore, që nuk kishin të drejtën ligjore të regjistroheshin si subjekte zgjedhore, siç ishte Bindja Demokratike dhe kjo besoj, se do t’i kërkohet për opinion Komisionit të Venecias. E rëndësishme është çështja e hartimit të pyejtje që do t’i drejtohen Komisionit të Venecias. Pra, është e rëndësishme që t’i kërkohet opinin Venecias për sjelljen e institucioneve, si Kuvendi, KQZ, Kolegji Zgjedhor dhe subjekteve zgjedhore, si Bindja demokratike, si u sollën në procesin zgjedhor në mungesë të akteve ligjore, të dekretit të Presidentit të Republikës për zhvillimin e zgjedhjeve. Për mospërfundimin e gjykimit nga Gjykata Kushtetuese, në opinion publik janë shprehur  konsiderata të ndryshme, të cilat në jo pak raste, marrin si reference interesin politik të partive, që lidhet me zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të parakohëshme apo jo.

“Unë besoj se pyetjet që do t’i drejtohen Komisionit të Venecias nga Gjykata Kushtetuese, do të jenë krejt të ndryshme, në kushtet kur jemi në situatën, që në procesin zgjedhor të 30 qershorit 2019, nuk ka një akt, një dekret, për të zhvilluar proces zgjedhor”

Për mendimin tim, të kërkosh në këtë veprim të Gjykatës Kushtetuese, arsye që lidhen me sjelljen ose preferencën politike të anëtarëve të kësaj Gjykate, është e vështirë të arrish në përfundime objektive shpjeguese. E vlerësoj të vështirë, sepse e kam të vështirë të vlerësoj se cila parti është e interesuar për zgjedhje vendore të parakohshme ose jo, ndërkohë që vendimi i gjykatës do të sjellë pasojë edhe në lidhje me këtë çështje. Aktualisht, e rëndësishme është që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, si ajka e profesionistëve të fushës, t`i japin qytetarëve të këtij vendi, atë që ata presin prej tyre.

Kur duhen bërë zgjedhjet e ardhshme vendore dhe ndryshimet e duhura në Kod Zgjedhor?

Kjo Gjykatë ka detyrën dhe aktualisht është e përballur me sfidën për të treguar se si duhet të funksionojë shteti i të drejtës. Vendimi i saj për këtë çështje, më shumë se sa është i lidhur me “fatin” e të zgjedhurve vendorë aktualë është vendim që do të mirërregullojë marrëdhëniet e punës, detyrat, të drejta dhe kufizimet ligjore, që duhet të respektohen nga të gjithë institucionet,  që aktivizohen dhe kanë detyra në kuadër të proceseve zgjedhore.

Për sa i takon zgjedhjeve të ardhshme për organet e qeverisjes vendore mendoj se shumë e rëndësishme është jo koha kur ato do të zhvillohen, por legjislacioni, sipas të cilës ato do të zhvillohen. Duke iu referuar cilësisë së përfaqësimit të qytetarëve në organet e zgjedhura vendore dhe cilësisë së shërbimeve që këto organe ju ofrojnë komuniteteve që administrojnë, është e domosdoshme të rikonsiderohen çështje, që lidhen me reformën territoriale -administrative, ligji për vetqeverisjen vendore dhe Kodi Zgjedhor, dispozitat që trajtojnë çështje të zgjedhjeve vendore.

E rëndësishme është se çfarë do të bëhet, pasi të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili nuk mund të ndërpresë dot mandatin e organeve vendore. Mazhoranca duhet të fillojë përgatitjet për procesin e zgjedhjeve vendore. Kush është më shumë e interesuar për zgjedhje të parakohshme vendore? Opozitës nuk i intereson, derisa nuk janë bërë përgatitjet e duhura në Kodin Zgjedhor dhe në Reformën Territoriale, sepse duhet thënë hapur, që reforma territoriale e 2015, favorizoi shumë mazhorancën. Së dyti, duhen bërë ndryshime të tilla në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet vendore, në mënyrë të tillë, që të kemi një përfaqësim më cilësor të qytetarëve në organet bashkiake. Me këtë Kod aktual, partia fituese emëron të gjithë përfaqësuesit e saj në organet vendore, ndërsa qytetarët në zonat rurale nuk përfaqësohen aspak. Kjo duhet të ndryshojë, në mëyrë të tillë, që kryetari i zgjedhur i bashkisë të mos ketë monopol emërimet në të gjithë piramidën e administratës vendore, por qytetarët të zgjedhin se kush do t’i përfaqësojë ata.

Është e domosdoshme që Kuvendi i zgjedhur në 25 prill 2021, të trajtojë me prioritet këto çështje, për të cilat, natyrisht më shumë e interesuar për t`u kryer, duhet të jetë opozita. Nga këndvështrimi i qytetarit, e vlerësoj si të domosdoshëm këtë proces legjislativ, i cili duhet të jetë pjesë e fillimit të veprimtarisë së Kuvendit të ri. Fillimi i një procesi të tillë do të jetë edhe pjesë e fillimit të konkretizimit të vullnetit të shprehur nga mazhoranca, sipas të cilit, gjatë legjislaturës që fillon në shtator, 2021, ajo do të angazhohet për të kryer një proces të thellë legjislativ, të cilin do të përfshihet e gjithë piramida legjislative, nga Kushtetuta e deri në ligje të veçanta si përshembull, ligji për financimin e partive politike.