Ja krimet elektorale në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit

316
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

KSHH/ Raport përfundimtar për monitorimin e procesit të zgjedhjeve parlamentare

Marrëveshja e 5 qershorit cenoi standardet e transparencës dhe gjithëpërfshirjes

Si rezultat i klimës së polarizuar politike, i krijuar kryesisht nga bojkoti parlamentar nga opozita më e madhe në vend, reforma zgjedhore u hartua në një hark relativisht të shkurtër kohor. Kjo reformë u dakordësua në qershor 2020, përmes mekanizmit të Këshillit Politik dhe u votua më 23 korrik 2020, pra në më pak se një vit përpara zgjedhjeve, duke mos respektuar afatet e sugjeruara në praktikat e mira të Komisionit të Venecias. Në tërësinë e saj, reforma zgjedhore nuk respektoi standardet e transparencës dhe gjithëpërfshirjes, veçanërisht me organizatat e shoqërisë civile dhe grupe të tjera interesi. Kuvendi miratoi në një hark të ngushtë kohor dhe pa një studim të thelluar parparak, ndryshimin e neneve 64 dhe 68 të Kushtetutës që sollën ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Fushata zgjedhore e cila filloi përpara afatit të parashikuar në nenin 77 të Kodit Zgjedhor, u mbajt në një atmosferë të polarizuar politike, në cënim të masave dhe protokolleve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së Covid-19, dhe aplikim selektiv të gjobave administrative për mosrespektimin e këtyre masave. Gjithashtu, në disa raste nuk munguan dhe elementët e gjuhës së urrejtjes, në fjalimet e liderëve partiakë. Indicie dhe akuza për shitblerje të votave gjatë procesit parazgjedhor, u sinjalizuan në disa prej Bashkive të vendit. Ashtu si në zgjedhjet e kaluara, KShH vlerëson se hetimi i prokurorisë duhet të jetë më i shpejtë, objektiv dhe i plotë si dhe të informohet me transparencë publiku. Nga institucionet shtetërore të hetimit ende nuk ka informacion lidhur me ecurinë e hetimit të këtyre rasteve, treguesit kryesor në terma përgjithësues të hetimeve të kryera dhe vendimmarrjes së deritanishme të Prokurorisë (nëse ka patur).  Për të luftuar efektivisht rastet e dyshuara të krimit zgjedhor, kërkohet që Policia e Shtetit të forcojë pavarësinë operacionale, paanshmërinë politike, integritetin dhe profesionalizmin si dhe transparencën, parime këto të sanksionuara në nenin 5, të ligjit 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar.

“Përgjatë procesit të votimit, KShH u sinjalizua lidhur me praninë e personave të paautorizuar, brenda ose në ambientet e jashtme hyrëse të QV-së, të cilët orientonin apo shoqëronin zgjedhësit për në qendrat e votimit”

Patronazhistët: Ende nuk ka njoftim për hetimin e tyre

Nisur nga një databazë me të dhëna personale dhe sensitive që qarkullonte në media dhe sinjalizohej se administrohej nga subjekti zgjedhor “PS”, në dt.14 Prill 2021, KShH reagoi me deklaratë publike, duke kërkuar që subjektet zgjedhorë, të respektojnë të drejtën për privatësi dhe fshehtësinë e votës. Subjektet zgjedhore nuk mund të mbajnë të dhëna personale dhe sensitive të zgjedhësve, pa miratimin paraprak të tyre. KShH kërkoi nga organi i prokurorisë të informojnë me transparencë dhe paanshmëri publikun, nëse janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e plotë dhe të paanshëm të përgjegjësve të krijimit të saj dhe nëse janë përfshirë institucione shtetërore për kalimin e të dhënave. Edhe pse kanë kaluar gati 3 muaj, në faqen zyrtare të SPAK, me aq sa jemi njohur, nuk ka njoftim për verifikimet e kryera për këtë çështje dhe vendimmarrjen e tij.

Mohimi i të drejtës kushtetuese të votimit për emigrantët

Garantimi i të drejtës kushtetuese për të votuar i shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë territorit të vendit tonë, me keqardhje vërejmë se, mbeti një zotim i parealizueshëm, për shkak të mangësive në legjislacion dhe infrastrukturë. Në vlerësimin e KShH-së, KQZ-ja do të duhej që të njoftonte Kuvendin për arsyet dhe shkaqet që bënin të pamundur ushtrimin e të drejtës së votës nga emigrantët me vendbanim jashtë vendit, në referim të neneve 24, 25 dhe 46/3 të Kodit Zgjedhor.

Përfshirja e administratës publike dhe përdorimi i burimeve shtetërore në fushatë zgjedhore

Përgjatë periudhës 4 mujore para datës së zgjedhjeve, në disa raste nga vëzhguesit dhe koordinatorët lokalë të pozicionuar në 14 Bashkitë e vendit, sinjalizuan raste për shpërdorimin e burimeve publike, për shkak të disa veprimtarive nga ana e institucioneve në nivel vendor në kundërshtim me nenin 3, pika 1, gërma a) dhe ç) të Vendimit nr.9/2020 të Komisionit Rregullator. Ndër sinjalizimet e referuara më së shumti nga ana e vëzhguesve konsistonte në përfshirjen e punonjësve të administratës publike në mbledhjet apo takimet e realizuara nga përfaqësues të ndryshëm të subjekteve zgjedhore. KShH vlerëson se këto sinjalizime duhet të ishin shoqëruar me një hetim pro-aktiv, më të thelluar, objektiv dhe të paanshëm nga KQZ.

U regjistruan raste të intimidimit, kërcënimit apo pengimit të ushtrimit të funksionit të vëzhguesve nga persona të paautorizuar, të pranishëm brenda ose afër ambienteve të jashtme të QV-ve”

Kodi Zgjedhor nuk duhet të ndryshohej nga parlamenti

Lidhur me marrëveshjen e 5 Qershorit, KShH nuk e ka quajtur të drejtë dhe as parimore përmbajtjen e pikës 10 të marrëveshjes së 5 qershor 2020, ku në pikën 10 thuhej se “projekti i shtesave dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nuk duhet të ndryshohej nga parlamenti”. Sipas praktikave të mira të Komisionit të Venecias, “Elementet themelore të legjislacionit zgjedhor, në veçanti të sistemit të duhur zgjedhor, anëtarësimit në komisionet zgjedhore dhe përcaktimit të kufijve elektoralë nuk duhet të jenë të hapur për ndryshime në më pak se një vit para zgjedhjeve”. Por praktika në Shqipëri, si rezultat i krizës dhe vonesës për konsensus politik e bëri të pamundur respektimin e këtij afati. Reforma zgjedhore u dakordësua në qershor 2020, përmes mekanizmit të Këshillit Politik dhe u votua më 23 korrik, pra në më pak se një vit përpara zgjedhjeve. Në tërësinë e saj, reforma zgjedhore u përcoll në një atmosferë të polarizuar politike, e cila cenoi standardet e transparencës dhe gjithëpërfshirjes veçanërisht me organizatat e shoqërisë civile dhe grupe të tjera interesi.  Ndryshimet e dakordësuara adresuan vetëm pjesërisht rekomandimet kyç ose prioritare të OSBE/ODIHR-t, si dhe disa prej dispozitave të ndryshuara në Kodin Zgjedhor vendosën në pikëpyetje parime të rëndësishme kushtetuese, sikurse është parimi i respektimit të hierarkisë së akteve normative, parimi ndarjes dhe balancimit të pushteteve apo parimi i përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve para ligjit, etj. Rekomandimi prioritar i OSBE/ODIHR-it për depolitizimin e organeve të administrimit zgjedhor të të gjitha niveleve nuk gjeti zbatim në ndryshimet e dakordësuara për Kodin Zgjedhor.

Shpërdorimi i burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve

Gjatë fushatës zgjedhore, ndër denoncimet e referuara më së shumti nga ana e vëzhguesve konsistonte në përfshirjen e punonjësve të administratës publike në mbledhjet apo takimet e realizuara nga përfaqësues të ndryshëm të subjekteve zgjedhore, gjatë orarit zyrtar të punës.

Paraqitja e listave shumë-emërore të kandidatëve

Në kuadër të reformës zgjedhore, ndryshimi që ju bë nenit 67 pika 4 e Kodit Zgjedhor, konsistonte në dhënien e të drejtës për kryetarët e partive (subjekteve zgjedhore) apo të partive udhëheqëse të koalicionit që të konkurrojnë si kandidatë për deputetë deri në 4 zona zgjedhore. KShH reagoi publikisht kundër këtij ndryshimi (përjashtimi) që binte ndesh me parimin e barazisë dhe që ishte diskriminues. Cënimin e këtyre parimeve e evidentoi dhe Komisioni i Venecias në opinionin e muajit dhjetor 2020, madje rekomandoi që kjo dispozitë pas Zgjedhjeve të Kuvendit të rishqyrtohej. Pas këtij opinioni, KShH reagoi përsëri dhe sugjeroi që kryetarët e partive edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021, ta vinin kandidaturën vetëm në një zonë.

“Në cënim të parimit të fshehtësisë së votës, nga vëzhguesit e KShH-së u raportuan raste të votuesve të cilët u shoqëruan dhe u asistuan në dhomën e fshehtësisë nga vëzhguesit e subjekteve zgjedhore apo anëtarët e KQZ-së”

Përmbajtja e fletës së votimit

Konstatohet se fleta e votimit në këndvështrimin e qytetarëve nuk ka përmbushur plotësisht kërkesat ligjore të përcaktuara në nenin 98 KZ, në pikëpamjen e qartësisë, kuptueshmërisë dhe orientimit të duhur të zgjedhësit. Ndërkohë që zgjedhësve iu është dashur shumë kohë për t’u njohur me emrat dhe numrat e renditjes së kandidatëve, të afishuara në në një listë në formë posteri. Sa i përket afishimit të kësaj liste- poster në QV, objekt monitorimi, është konstatuar se nuk ka qenë e unifikuar kjo praktikë. Disa kanë zgjedhur t’i vendosin këto lista në ambientet e brendshme të QV, ndërsa disa të tjerë kanë zgjedhur që 1 listë ta vendosin në ambientet e jashtme të QV, pranë derës së hyrjes. Për këtë mënyrë afishimi, nuk konstatohet që KQZ të ketë publikuar ndonjë udhëzim apo manual konkret.

Fushata zgjedhore dhe incidentet

Fushata zgjedhore e cila filloi përpara afatit të parashikuar në nenin 77 të Kodit Zgjedhor, u mbajt në një atmosferë të polarizuar politike, të shoqëruar me akuza reciproke midis përfaqësuesve të forcave politike kryesore, si dhe në cënim të masave dhe protokolleve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Gjithashtu, në disa raste nuk munguan dhe elementët e gjuhës së urrejtjes, në fjalimet e liderve partiakë. Situata e pandemisë, por edhe mënyra se si subjektet realizuan fushatën zgjedhore, kufizuan deri në një farë mase, njohjen e zgjedhësve me platformat elektorale dhe profilet e kandidatëve.

Nga monitorimi i vendimmarrjeve të kryetarëve të Bashkive për afishimin e materialeve propagandistike u konstatua se, Bashkitë Tiranë, Korçë, Elbasan, Durrës dhe Dibër, nuk respektuan detyrimin ligjor për publikimin e këtyre vendimeve në faqet e tyre zyrtare.  Në Bashkinë Tiranë dhe Bashkinë Gjirokastër, u konstatua cënim i vendimit nr. 6, datë 23/03/2021 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, pasi në fasadat e Universitetit Politeknik ose Pallatit të Sportit, u afishuan materiale propagandistike të subjekteve zgjedhore. Zyrat zgjedhore në Bashkitë Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Elbasan u ngritën para afatit ligjor të fushatës zgjedhore dhe përmbanin elementë të fushatës si logot, posterat dhe motot e subjekteve zgjedhore, në kundërshtim me nenin 79 të Kodit Zgjedhor ku parashikohet afishimi i materialeve propagandistike pranë zyrave zgjedhore vetëm përgjatë fushatës zgjedhore (duke filluar nga data 26 mars). Ndërkohë në bulevardin Republika të Bashkisë Berat, një zyrë zgjedhore u ngrit dhe ushtroi funksionin e saj rreth 150 m pranë KZAZ nr. 65.  Indicie dhe akuza për shitëblerje të votave gjatë procesit parazgjedhor u sinjalizuan në disa prej Bashkive të Vendit. Në rastin e incidentit të regjistruar në Bashkinë Berat, Prokuroria përcolli pranë SPAK kallëzimin e depozituar nga subjekti zgjedhor PD ndaj zyrtarëve lokalë nën akuzën e  “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 K.Penal. Arrestimi në flagrancë i 2 shtetasve për veprat penale ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’ kryer në bashkëpunim dhe ‘Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore’ u shënua në Bashkinë Dibër, ndërkohë që çështja u referua pranë organeve proceduese. KShH vlerëson se hetimi i prokurorisë duhet të jetë pro-aktiv, i gjithëanshëm, i shpejtë, objektiv si dhe të informohet me transparencë publiku, nëse mbarëvajtja e këtyre hetimeve nuk cenohet apo pengohet. Gjithashtu, kemi mendimin se duhet të forcohet puna e organeve ligjzbatuese për parandalimin dhe goditjen e veprimeve të dyshuara që dënohen penalisht dhe që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike, veçanërisht e Policisë së Shtetit, e cila duhet të udhëhiqet nga parimi i paanshmërisë dhe profesionalizmit, në përmbushjen e misionit të saj.

“Në ambientet e disa prej KQV-ve u vërejtën vëzhgues të subjekteve zgjedhore, të cilët mbanin shënim emrat e zgjedhësve, në momentin e referimit me zë, nga anëtarët e KQV-së”

Krimet elektorale

U regjistruan raste të intimidimit, kërcënimit apo pengimit të ushtrimit të funksionit të vëzhguesve nga persona të paautorizuar, të pranishëm brenda ose afër ambienteve të jashtme të QV-ve. Gjatë ditës së votimit, u evidentuan raste të shumta të pezullimit të procesit të votimit për shkak të problemeve me funksionimin e pajisjes PEI. Për rrjedhojë, në disa prej QV-ve të monitoruara, procesi i identifikimit të zgjedhësve u krye në mënyrë manuale, duke verifikuar letërnjoftimin biometrik të paraqitur me anë të listave të zgjedhësve. Kjo solli mungesë të unifikimit të praktikës nga KQV-të, të cilat përdorën vetëm praktikën e heqjes së vizës në listën e zgjedhësve sipas nenit 105, gërma c) të Kodit Zgjedhor, dhe disa prej QV të tjera në të cilat u përdor vetëm sistemi i regjistrimit të zgjedhësve nëpërmjet pajisjes PEI, por nuk u zbatua paralelisht dhe praktika e parë.

Në rastet ku verifikimi i identitetit të zgjedhësve u bë nëpërmjet pajisjes PEI, KQV nuk udhëzoi zgjedhësit të nënshkruanin përbri emrit të tyre në listën e zgjedhësve19, apo t’i hiqej vizë emrit të tyre. Gjithashtu, u raportuan raste kryesisht të zgjedhësve të moshuar, ku shenjat e gishtërinjve të zgjedhësve, nuk janë identifikuar nga pajisja PEI. Vëzhguesit e KShH-së evidentuan raste të mosfunksionimit të kamerës së vëzhgimit në QV, ndërkohë që disa zgjedhës që u paraqitën për të votuar në disa QV, nuk u timbrosën nga ana e anëtarëve të KQV-së, apo nuk u kontrolluan paraprakisht nëse ishin timbrosur, përpara se t’i jepej fleta e votimit.

Përgjatë procesit të votimit, KShH u sinjalizua lidhur me praninë e personave të paautorizuar, brenda ose në ambientet e jashtme hyrëse të QV-së, të cilët orientonin apo shoqëronin zgjedhësit për në qendrat e votimit. Përdorimi i bexhave në format të fotokopjuar dhe jo sipas modelit të miratuar nga ana e KQZ-së është vërejtur në rastin e vëzhguesve të subjekteve politike, bexhat e të cilëve janë nënshkruar nga kryetari i KZAZ. Anëtarët e KQV-ve rrallë herë morën masa për largimin e personave të paautorizuar nga ambjentet e QV-së, nëpërmjet njoftimit të oficerëve të policisë.

Në cënim të parimit të fshehtësisë së votës, nga vëzhguesit e KShH-së u raportuan raste të votuesve të cilët u shoqëruan dhe u asistuan në dhomën e fshehtësisë nga vëzhguesit e subjekteve zgjedhore apo anëtarët e KQZ-së. Gjithashtu, në ambientet e disa prej KQV-ve u vërejtën vëzhgues të subjekteve zgjedhore të cilët mbanin shënim emrat e zgjedhësve, në momentin e referimit me zë, nga anëtarët e KQV-së.

Votimi familjar është lejuar nga disa anëtarë të QV-së, të cilët e ngatërronin duke e konsideruar si ndihmë ndaj zgjedhësve të cilët nuk votojnë vetë, sipas nenit 108 të Kodit Zgjedhor. Vëzhguesit e KShH-së raportuan raste të votimit familjar në disa Bashki të vendit, ndërkohë që vërejtjet me shkrim të vëzhguesve, në rast se do të ishin pranuar nga ana e anëtarëve të KQV-së do të passillnin parandalimin e këtij fenomeni.

Monitorimi i procesit të numërimit të votave

Parashikimi ligjor për mbërritjen në VNV-ve të kutive të votimit të të gjitha QV-ve në juridiksionin e KZAZ-së, brenda 3 orësh prej mbylljes së votimit, përgjithësisht, nuk u respektua.

Procesi i numërimit të votave u ndesh në zvarritje të herëpashershme, të shkaktuara në disa raste nga lodhja e komisionerëve por dhe nga ndërhyrjet e vazhdueshme të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, të cilët ishin në numër të konsiderueshëm në ambientet e vendeve të numërimit. Megjithë, thirrjet e vazhdueshme të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për përshpejtim të ritmit dhe mosndërprerje të panevojshme të procesit kontribuan pozitivisht në këtë drejtim. Përgjatë procesit të numërimit, vazhdimisht u raportua për prani të personave të paautorizuar në ambjentet e VNV-ve. Këta shtetas jo të pajisur me bexha akreditimi identifikuese ndërvepronin në mënyrë të rregullt me anëtarët e GNV-ve apo të KZAZ-së përkatëse32, duke krijuar premisa për të ndikuar në vullnetin e anëtarëve të administratës zgjedhore dhe rrjedhimisht edhe në funksionin e tyre që duhet të pasqyrojë paanshmëri dhe respektim rigoroz të ligjit zgjedhor. Vëzhguesit e KShH-së raportojnë se praktika e ndjekur për vlerësimin ose jo të pavlefshmërisë së fletës së votimit nuk reflektoi një qasje të unifikuar në disa prej VNV-ve të monitoruara.

“Përgjatë procesit të numërimit, vazhdimisht u raportua për prani të personave të paautorizuar në ambjentet e VNV-ve. Këta shtetas ndërvepronin në mënyrë të rregullt me anëtarët e GNV-ve apo të KZAZ-së”

Rezultati paraprak i zgjedhjeve dhe ankesat

Subjektet zgjedhore kanë paraqitur në KAS një numër të konsiderueshëm ankesash duke përfshirë dhe ato me objekt: pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve. KAS, pas shqyrtimit të çështjeve ka konstatuar që në disa raste ka pasur shkelje të ligjit, mungesa dhe të meta të natyrave të ndryshme, por ato nuk kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve (d.m.th. në mandatet) si pasojë KAS ka refuzuar kërkesat për pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve. Në disa rastet, debatet dhe diskutimet mes anëtarëve të KAS janë shoqëruar me nota të ashpra, ku nuk kanë munguar dhe akuzat e ndërsjellta midis anëtarëve. Edhe në këto vendimmarrje, nuk kanë munguar ndasitë midis anëtarëve, 3 me 2, të cilat janë tregues të influencave potenciale politike tek KAS.

Sugjerime dhe Rekomandime

Në të ardhmen do të sugjeronim që mbikqyrja dhe kontrolli i KQZ-së në të gjitha fazat e procesit zgjedhor të ushtrohet në kohën e duhur, ndërsa në shkeljet e vërtetuara të tregohet më proaktiv, i paanshëm dhe rigoroz në zbatimin e ligjit. I sugjerojmë KQZ-së në rastet e sinjalizimeve të verifikuara për shkelje të ligjit zgjedhor (përfshi këtu votimin familjar, shpërdorimin e burimeve shtetërore, lejimin e qëndrimit të personave të paautorizuar brenda perimetrit të jashtëm të QV ose në brendësi të saj, etj) të zbatojë sanksionet e parashikuara në ligj.

Në parandalimin e shitblerjes së votës rëndësi të veçantë ka ndërgjegjësimi i zgjedhësve por edhe veprimtaria parandaluese dhe goditëse e strukturave të policisë së shtetit, të cilat duhet të kenë efektivisht pavarësi operacionale, paanshmëri politike, integritet dhe profesionalizëm. Gjithashtu, KShH sugjeron që Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Posaçme, veç njoftimeve periodike që kanë të bëjnë me denoncimet e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, (gjë që është praktikuar edhe për Zgjedhjet e 25 prillit 2021), të angazhohet në publikimin në kohë, të treguesve kryesorë që kanë rezultuar nga hetim i çështjeve të tilla.

KShH mendon se njohja me specifikimin e shkaqeve që kanë sjellë pavlefshmërinë e një pjese të fletëve të votimit ka rëndësinë e saj. Prandaj do të sugjeronim që kjo çështje, pas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, të ishte objekt diskutimi.