Klajda Gjosha: Institucionet ndërkombëtare në raportet e tyre për zgjedhjet, detyrohen të ruajnë edhe balancat mes palëve

316
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

-Zonja Gjosha, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, paraqiti raportin e vëzhguesve të saj, për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri. Sipas jush, a pasqyron ky raport realitetin?

– Raporti i KiE mundohet të pasqyrojë realitetin, duke prekur disa nga problemet thelbësore të zgjedhjeve në Shqipëri, siç janë blerja e votës dhe presioni ndaj zgjedhësve. Ajo ç’ka është e vështirë të kuptohet nga instancat ndërkombëtare, është mekanzimi i përdorur për t’i arritur ato. Duhet të jesh shumë brenda mentalitetit shqiptar të implementimit të zgjedhjeve, që të kuptosh realisht se, zgjedhjet blihen gjatë orëve të natës, pak ditë para shkuarjes drejt kutive të votimit, apo përdorimi i patronazhistëve për të skanuar problemet e qytetarëve dhe për t’i shantazhuar ata se, nëse nuk japin votën, mund të mos gjejnë kurrë zgjidhje. Përdorimi i pushtetit, financave publike, institucioneve shtetërore, shfrytëzimi i statusit të nënpunësve civilë për të qënë ushtarë të partisë në pushtet dhe mbi të gjitha, kultura e krijuar si nga politika, ashtu edhe nga qytetarët, se momenti i zgjedhjeve është momenti i shfrytëzimit për të zgjidhur interesat personale, janë fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhë një shteti dhe demokracisë!

“Duhet të jesh shumë brenda mentalitetit shqiptar të implementimit të zgjedhjeve, që të kuptosh realisht se, zgjedhjet blihen gjatë orëve të natës, pak ditë para shkuarjes drejt kutive të votimit”

“Instancat ndërkombëtare janë gjithmonë më të moderuara dhe shpesh herë të detyruara të ruajnë edhe balancat mes palëve, duke pritur më shumë të flasë drejtësia shqiptare, se sa ato vetë!”

Sipas jush, pse ka 2 realitete midis raportit të Asamblesë Parlamentare të KiE dhe denoncimeve të Opozitës Shqiptare që bën fjalë për masakër zgjedhore në 25 prill?

– Besoj që thelbi i çështjes mbetet i njëjtë, por është normale, që opozita e ndodhur gjatë gjithë kohës në terren dhe nën presion të drejtëpërdrejtë nga mazhoranca të ketë fakte, denoncime, por edhe një qëndrim më radikal ndaj mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet. Kushdo, që ka qenë pjesë e terrenit, këtë fushatë nuk e fsheh dot masakrën elektorale të këtyre zgjedhjeve. Instancat ndërkombëtare janë gjithmonë më të moderuara dhe shpeshherë të detyruara të ruajnë edhe balancat mes palëve, duke pritur më shumë të flasë drejtësia shqiptare, se sa ato vetë!

“Derisa të kuptohet qartë nga instancat ndërkombëtare se, në kulturën shqiptare është e pamundur t’i kemi të dyja paralelisht, do jetë një çështje që do të krijojë probleme për regjimin që po instalohet në vend!”

– A mendoni se Këshilli i Evropës është pragmatist, sa të pranojë edhe standarde të tilla zgjedhore, si në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, ku qeveria përdori pushtetin, burimet shtetërore, në shërbim të votës për partinë në pushtet, shkeli të drejtat e njeriut me vjedhjen dhe përdorimin e të dhënave personale të shqiptarëve nga patronazhistët, etj.?

– Nuk mendoj se vendimi i tyre ka të bëjë me pranimin e standardeve zgjedhore, pasi problematikat janë të renditura më së miri. Problemi më i madh sot, është diskutimi mes  ruajtjes së stabilokracisë dhe zhvillimi i demokracisë në mënyrë paralele. Derisa të kuptohet qartë nga instancat ndërkombëtare se, në kulturën shqiptare, është e pamundur t’i kemi të dyja paralelisht, do jetë një çështje që do të krijojë probleme për regjimin që po instalohet në vend!