Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Shqiptarët nuk mund ta presin demokracinë si dhuratë nga ndërkombëtarët

358
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

– Prof. Sherifi, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës paraqiti raportin e vëzhguesve të saj për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri. Sipas jush, a pasqyron ky raport realitetin?

– Zgjedhjet në Shqipëri u monitoruan nga disa institucione ndërkombëtare. Raportet e OSBE-ODIHR dhe  Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kanë peshë të veçantë për të gjykuar, se sa dhe si u plotësuan standardet, që ka vendosur vetë Këshilli i Evropës, në Kopenhagë, 28 vjet më parë, në qershor 1993. Standardet konsiderohen si plotësim i kushteve nga vendet që pretendojnë të bëhen institucionalisht pjesë e BE-së. Në ruajtjen dhe perfeksionimin e qeverisjes demokratike, zgjedhjet e lira konsiderohen kushti më themelor. Deri tani kemi raportin paraprak të OSBE-ODIHR-it dhe atë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Sipas gjykimit tim, raportet kanë vetëm vlerë protokollare arkivore, përderisa SHBA dhe drejtues të lartë të insticioneve të BE-së e uruan kryeministrin Rama për fitoren e mandatit të tretë. Shqiptarët e dinë shumë mirë se zgjedhjet u zhvilluan me një legjislacion të miratuar vetëm nga mazhoranca dhe institucione që u krijuan vetëm nga ajo. Kjo më duket më reale, se sa raportet mbi zgjedhjet.

“Për Ballkanin Perëndimor, shtetet vlerësojnë më shumë “stabilitetin”, se sa standardet e qeverisjes së mirë”

– Sipas jush, pse ka 2 realitete midis raportit të Asamblesë Parlamentare të KiE dhe denoncimeve të Opozitës Shqiptare që bën fjalë për masakër zgjedhore në 25 prill?

-Opozita bëri shumë denoncime dhe të gjitha u rrezuan nga institucionet, që administruan procesin zgjedhor, si edhe nga institucionet që kanë kompetencë të shqyrtojnë, si Gjykatë, ankesat ndaj vendimeve të administratës zgjedhore. Shqipëria është shumë larg standardeve të zgjedhjeve të lira, të barabarta e të drejta. Nëse shqiptarët dhe opozita, do t’a presin zgjidhjen e shqetësimeve reale, nga raportet e institucioneve ndërkombëtare, rruga drejt “drejtësisë së kulluar”, ka për të mbetur një ëndërr e parealizuar.

“Nëse shqiptarët dhe opozita, do t’a presin zgjidhjen e shqetësimeve reale, nga raportet e institucioneve ndërkombëtare, rruga drejt “drejtësisë së kulluar”, ka për të mbetur një ëndërr e parealizuar”

A mendoni se Këshilli i Europës është pragmatist, sa të pranojë edhe standarde të tilla zgjedhore, si në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, ku qeveria përdori pushtetin, burimet shtetërore, në shërbim të votës për partinë në pushtet,   shkeli të drejtat e njeriut me vjedhjen dhe përdorimin e të dhënave personale të shqiptarëve nga patronazhistët, etj.?

– Institucionet ndërkombëtare si BE, Këshilli i Evropës, apo Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me vendimet e tyre kontradiktore, po e “zbehin” gjithnjë e më shumë “portretin e tyre demokratik”, jo vetëm te shqiptarët. Le të bëjmë një pyetje për vendimin që Këshilli i Ministrave mori në Luksemburg, për të mos caktuar një datë për Konferencën Ndërqeveritare për fillimin e negociatave. Shqiptarët besoj nuk e kanë harruar ceremoninë e zhvilluar në Tiranë, hapjen e shampanjës, dhe vendosjen e dekoratave në qafë të drejtuesve më të lartë të BE-së, me pretendimin se negociatat u “hapën”, që në 2019. Më 2020-ën u propagandua se negociatat do të hapeshin për Maqedoninë e Veriut, por jo për Shqipërinë. Ndërsa më 2021, negociatat mund të hapeshin për Shqipërinë, por jo për Maqedoninë e Veriut! Kjo është Evropa e Bashkuar, modeli nga duhet të frymëzohemi. Le ta themi pa ndrojtje. Të gjitha vendet nga pretendojmë të marrim modelet, i kanë përkeqësuar standardet e qeverisjes së mirë, në vendet e tyre. A nuk ishin ndihmës sekretarët e Shtetit të Departamentit Amerikan të Shtetit që inkurajuan qeverinë për të zhvilluar zgjedhjet për vetëqeverisjen vendore, pa opozitën? A nuk e vendosen institucionet e BE-së, si një nga kushtet për organizimin e Konferencës Ndërqeveritare, vërtetimin e legjitimitetit të zgjedhjeve për vetëqeverisjen vendore? Pra, përse ka optika e qëndrime të ndryshme për të njëjtën çështje, nga SHBA dhe BE? Besoj se po kuptohet nga ata që aspirojnë për shtetin e së drejtës dhe për garantimin e elementit më të qenësishëm të demokracisë funksionale që mundësohet me  zgjedhje të lira e demokratike parlamentare, se për Ballkanin Perëndimor, këto shtete vlerësojnë më shumë “stabilitetin”, se sa standardet e qeverisjes së mirë. Mendoj se është kjo arsyeja madhore që ato “nuk shikojnë” dhe as nuk paraqesin në raportet e tyre monitoruese, deformimet e mëdha të cituara në pyetjen tuaj. Si “rrugë zgjedhje”, nuk duhet konsideruar “dorëzimi” para fakteve të kryera, por mospajtimi me to, dhe rritja e vendosmërisë për të mbërritur tek e vërteta e drejtë, me rrugë kushtetuese e institucionale. Ajo që sot duket “kala e pathyeshme”, mund të rrëzohet nga pesha e saj e stërmadhuar, dhe ato elemente që  nuk vlerësohen e konsiderohen pa “asnjë peshë”, nga ata që janë “dehur nga pushteti” dhe i ka kapluar, mendjemadhësia, vetësiguria dhe mendësia autoritare e qeverisjes.