Av. Lisenko Moçka/ “Interpretimi i Kontratës”, udhërrëfyes dhe kontribut për drejtësinë shqiptare. Redaktore shkencore, gjyqtare Elbana Lluri

1998
Sigal

Intervista/ Flet për “Telegraf”, avokat Lisenko Moçka, autor i përkthimit të librit: “Interpretimi i Kontratës”

“Interpretimi i Kontratës”, udhërrëfyes dhe kontribut i rëndësishëm për drejtësinë shqiptare

Deniz TUFINA

Lisenko Moçka, është lindur më 10 qershor 1951, në Kuçovë. Ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike, Dega Drejtësi. Aktualisht ushtron profesionin e lirë të avokatit, anëtar i Dhomës së Avokatëve të Tiranës. Është specializuar në Itali për të drejtën civile dhe tregtare. Është autor i shkrimeve të ndryshme dhe, në shtator 2014, paraqitet para lexuesit shqiptar me punimin e përkthimit të Kodit Civil Italian, i cili ka shërbyer si një kontribut i vlefshëm për punën e gjyqtarëve, magjistratëve, avokatëve dhe të interesuarve të tjerë të fushës, studiuesve, sipërmarrësve, etj. Gazeta “Telegraf”, në shtator të vitit 2014, i ka kushtuar këtij evenimenti të rëndësishëm një shkrim, nisur nga vlerësimi që i bëri kësaj vepre. Avokati Lisenko Moçka paraqitet përsëri përpara lexuesit shqiptar me përkthimin e një tjetër vepre të rëndësishme të së drejtës italiane, atë të “Interpretimit të Kontratës”, si një ndër veprat e botimeve në seri të Profesorit Piero Guido Alpa, nën kujdesin e të cilit punuan Prof. Giorgio Resta dhe Prof. Gianluca Fonsi, për realizimin e kësaj vepre.

Redaktore shkencore gjyqtare Elbana Lluri:

Vepra”Interpretimi i Kontratës” ka karakter të theksuar utilitar, pasi në të trajtohen gjerësisht, jo vetëm nga ana teorike parimet e interpretimit të kontratave, por edhe mënyrat e aplikimit të tyre në praktikë, duke marrë kështu përsipër funksionin e një udhërrëfyes, jo vetëm për interpretuesin (gjyqtarin), por edhe të gjithë studiuesit dhe të interesuarit e tjerë. Në të shpjegohet gjerësisht dhe konkretisht,

Ç’është rreziku kontraktor dhe cilat janë teknikat e interpretimit,

Cilat janë rregullat që duhet të respektojë interpretuesi (gjyqtari) në riformatimin e vullnetit dhe qëllimit të përbashkët të palëve dhe

Cilat janë hapësirat ligjore të gjyqtarit në interpretimin e kontratës.

 

Çfarë përfaqëson vepra e përkthyer nga Ju?

“Vepra sjell evoluimin historik, doktrinor e jurisprudencial të rregullave të interpretimit të kontratave, parashikuar në Kodin Civil Italian, përkatësisht nenet 1362-1371 (korrisponduesa, nenet 681-689, të Kodit Civil Shqiptar), orientimet dhe teknikat e jurisprudencës, në nivelin më të lartë të mendimit juridik italian, nëpërmjet vendimeve më të spikatura të Gjykatës Supreme (Kasacionit), me dy drejtime kryesore, atë të interpretimit të kontratave për probleme të ndryshme juridike, si dhe atë të ndodhive dhe fenomeneve në shumë fusha të jetës, ekonomisë dhe shkencave të ndryshme.”

Përse nga ana Juaj është përzgjedhur përkthimi në shqip, pikërisht, i këtyre dy veprave të së drejtës italiane, Kodi Civil dhe Interpretimi i Kontratës?

“Për sa i përket përzgjedhjes së përkthimit në shqip të Kodit Civil Italian, siç është theksuar edhe në para-thënien e këtij punimi, ky kod është marr si model, pasi në ndryshim nga kodet e tjera bashkëkohëse evropiane, në të cilin përfshihet edhe Kodi Civil Shqiptar, ka në përmbajtjen e tij jo vetëm të drejtën civile, por edhe atë tregtare dhe të punës. Ai paraqitet si një kod i qëndrueshëm, me gjithë kohën e gjatë nga kur është miratuar (me dekretin mbretëror nr.262, datë 16 mars 1942) dhe përmban të përshtatura të gjitha Direktivat respektive të Komunitetit Evropian. Një nga treguesit e përzgjedhjes është edhe qëllimi i përafrimit me të drejtën italiane, pasi Italia është vendi partner, me të cilin realizohet ndër vite mbi 40% për qind të shkëmbimeve tregtare, të sipërmarrjes dhe të investimeve. Për sa i përket përzgjedhjes së përkthimit në shqip të Interpretimit të Kontratës, pikënisja e përzgjedhjes është parë nga disa këndvështrime:

Së pari, në përpunimin e mendimit juridik shqiptar mungon një vepër e tillë teknike, prandaj u pa si një qëllim për të realizuar një ndihmesë për botimet e këtij lloj, ende jo të lëvruara sa dhe si duhet nga doktrina dhe jurisprudenca shqiptare;

Së dyti, shumë prej dispozitave të Kodit Civil Italian gjejnë korrispondueset në Kodin Civil Shqiptar. Interpretimi i tyre prej Gjykatës së Kasacionit në Itali dhe, sidomos vendimet e seksioneve të bashkuara, janë një ndihmesë e drejtpërdrejtë për punën e gjyqtarëve, të trupave juridike të profesorëve dhe të studentëve të së drejtës, veçanërisht magjistratëve të rinj, si dhe të interesuarve të tjerë të fushës, avokatëve, studiuesve etj;

Së treti, në këtë vepër prezantohen institute të së drejtës civile italiane, koncepte të doktrinës dhe të praktikave gjyqësore, respektivisht jo të lëvruara dhe të aplikuara në doktrinën dhe jurisprudencën shqiptare, të cilat u japin zgjidhje racionale problemeve të ndërlikuara që lindin dhe ekzekutohen në fushën e kontratave, për të cilat lind si nevojë e dorës së parë kuptimi dhe interpretimi i tyre.”

Cila është vlera praktike e përkthimit të fundit të realizuar me Interpretimin e Kontratës?

“Siç është theksuar në parathënien e kësaj vepre, ajo paraqet karakter të theksuar utilitar, sepse përmban mjaft probleme juridike interesante, të cilat ndeshen në punën e përditshme të gjyqtarëve, avokatëve, studiuesve dhe të interesuarve të tjerë, veçanërisht avokatëve, që përballen nëpërmjet interpretimit dhe sqarohen në mënyrë sintetike nëpërmjet qëndrimeve (dhe unifikuese) që ka mbajtur Gjykata e Kasacionit (Supreme) Italiane për institute dhe marrëdhënie të ndryshme juridike, të cilat duhet të tërheqin më shumë vëmendjen e interpretuesve shqiptarë: për shembull, raporti në të cilin qëndrojnë kundrejt njëra tjetrës kontrata paraprake me kontratën përfundimtare, si dhe rastet kur njëra mbizotëron tjetrën; kontrata e veçantë në raport me kontratën e përzier, pjesë e së cilës ajo është; raporti dhe dallimi ndërmjet premtimit publik dhe ofertës publike; interpretimi i akteve të shoqërisë tregtare (akt themelimi dhe statuti) në bazë të rregullave të kontratave të disponuara nga kodi civil; interpretimi i kontratës sipas parimit të mirëbesimit, etj. Si e tillë, ajo merr vlerën e një udhërrëfyesi për të gjitha subjektet e interesuara.”

Duke u nisur nga profesioni juaj i avokatit, si do ta konsideronit situatën aktuale të sistemit të drejtësisë në vendin tonë?

“Situatën në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë në Shqipëri e konfirmon reformimi që po i bëhet, megjithatë nuk duhet përjashtuar, se në trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka individë që dallohen për përkushtim ndërgjegje të lartë dhe profesionalizëm.”

Cili ka qenë kontributi i subjekteve, të cilëve Ju u keni dedikuar mirënjohje dhe falënderime?

“Së pari, dua të falënderoj, së pari, trupën e Profesorëve Italianë, nën drejtimin e Prof. Piero Guido Alpa, si dhe të Drejtorisë së Botimeve, të shoqërisë botuese GIUFFRE s.p.a., që mundësuan botimin e kësaj vepre në Shqipëri, të përkthyer në gjuhën shqipe;

Së dyti, dua të falënderoj posaçërisht Redaktuesen Shkencore, Z.nja Elbana Lluri, për kontributin e jashtëzakonshëm në realizimin e këtij punimi;

Së treti, falënderoj posaçërisht komunitetin italian në Shqipëri, sidomos zotërinjtë Vincenzo Pastoressa, Gaetano Giovanni Castello, Lando Labricioso, Enea Leoncini dhe Klidi Baboçi, tek të cilët kam gjetur gjithmonë kontributin e pakursyer material, shpirtëror dhe profesional, në realizimin e këtij punimi;

Së fundi, dua të falënderoj drejtuesit dhe stafin e gazetarëve të Gazetës TELEGRAF, që rastësisht ose përkatësisht ndihuan dhe mundësuan në promovimin dhe marketingun e këtij punimi.”