Mimoza Ahmeti: Doja të isha Ministre e Ëndrrave

213
Sigal

Në jetë kam takuar dy miliardierë, njëri grek dhe një amerikan, por për çudi s’kam fjetur me asnjërin prej tyre!

Intervistoi: Fadil Shehu

Mimoza Ahmeti është këngëtare, poete dhe autore këngësh e njohur. Mimoza Ahmeti nuk mund të ndahet asnjë çast nga poezia dhe muzika. Të dyja për të janë mjaft të rëndësishme. Muzika i ka dhënë shumë dhe ndihet krenare që ka mundësi të krijojë, por edhe të dëgjojë muzikë të krijuar nga qenia e saj. Tregon se poezia është arti i vetëm në Shqipëri që ka ecur pozitivisht këto vitet e fundit. Mimoza Ahmeti sapo është kthyer nga dy festivale ndërkombëtare të poezisë, realizuar në Itali, pikërisht në qytetet Napoli dhe Frosinone. Ndihet mjaft mirë dhe e vlerësuar nga mikpritja e homologëve. Për më tepër, me natyrën e saj çapkëne, Ahmeti është ngjitur në skenë dhe ka kënduar dy nga këngët e saj.

Sikur t’ju afronin një post me rëndësi në qeveri, cilin prej tyre do të preferonit?

Po të kishte Ministri Ëndërrimi, padyshim do të preferoja të isha ministre e ëndërrave, por kurrësesi e pallatit të ëndërrave.

Sikur këtë vit të ishe Moza çapkëne, studentja e dikurshme, çfarë profesioni do të zgjidhje në jetë?

Mendoj se asnjë prej profesioneve nuk do të zgjidhja, sepse më pëlqen të jem pjestare e të gjitha profesioneve.

Sikur të ndodheshe midis poezisë dhe prozës madje dhe pikturës, cilën do të zgjidhnit?

Tani unë them nëse nuk do të isha midis poezisë dhe prozës, do të isha një njeri pa vlerë,pra vetëm zero.

Sikur në një ekspozitë të ekspozonit librat tuaj, cili prej tyre do të kishte më tepër sukses?

Besoj se libri më i keq do të ishte më i sukseshëm, sepse do të përfshinte më tepër lexues.

Sikur në krijimtarinë tuaj, krahas suksesit të qëndronte dështimi, çfarë do të bënit?

Asgjë të veçantë nuk do të bëja, pasi tek unë besoj janë që të dyja këto dy dukuri.

Sikur të nderoheshit me çmimin “Nobël”si do të ndjeheshit?

Padyshim do të ndjehesha shumë e lumtur, por njëkohësisht pak e fyer. Sepse do të kisha kapur pragun më të lartë, dhe zakonisht aty preket dhe hiçi.

Sikur t’ju jepej rasti të kalonit pushimet në një vënd të bukur, cilin vënd do të preferoje?

Do të doja të shkoja në një vënd ku të kishte oqean, buzë të cilit të kishte ndërtesa mesjetare dhe veshje të viteve tridhjetë, në veçanti, midis unazës të qafës së Spanjës, ku ajo bashkohet me trupin e Francës.

Sikur zemra juaj të bashkonte ndjenja njerëzore, cilën ndjenjë do të servirje me shumë dëshirë?

Nuk e di nëse e qeshura është ndjenjë, por nëse kjo do të ishte kështu, gjëja që do t’ju dhuroja njerëzve, do të ishin të qeshura të bujshme.

Sikur të takoheshe me një miliarderë, do të doje të kaloje një natë me të?

Kam përshtypjen se takimi me një miliardier, është mjaft special. Kam takuar në dy raste miliardierë. Njëri grek dhe një amerikan. Jam ndier shumë mirë, por më kujtohet se greku nuk donte të flinte me mua, dhe më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme, ndërsa me amerikanin më kujtohet që u trubullua disi situata. Do të thosha se sa më e ndërlikuar të jetë ndjenja, me një miliarder, aq më i vështirë kalimi i një nate, dhe aq më e përgjakshme bëhet ndjenja. Nuk ka ndjenja të shitura, megjithëse unë …nuk kam fjetur një natë me asnjë miliarder.(Qesh)

Sikur të ishe shumë e pasur, çdo të bënit me gjithë ato para?

Të them të drejtën mua nuk më ka tërhequr asnjëherë filantropia, kam bërë gjëra për njerëzit dhe njerëzit kanë bërë shumë për mua. Po të kisha vërtetë shumë para, kohën time nuk do t’ia kushtoja më parasë, por artit.

Sikur të kërkonim nga Mimoza, se cila pjesë e trupit të saj është më e përkryer, çdo të thoshte?

(Buzëqesh) Unë them se pjesa më e bukur më e mirë tek unë është në vështrimin që shfaq e ofron çdo ndjenjë.

Sikur të kishe përpara disa prej problemeve të jetës sonë të përditshme, cilën prej tyre do të dëshiroje të realizoje të parën?

Liria e komunikimit për mua është gjëja më parësore e komunikimit fizik e shpirtëror. Nëpërmjet internetit, një pjesë e këtij komunikimi është zgjidhur. Nëse ne shqiptarët do të kishim disi më herët liri të plotë lëvizje, them se jeta jonë do të ishte shumë herë më ndryshe.