Jemi ne shqiptarët zot, që duhet ta administrojmë Shqipërinë

786
Sigal

Avni Delvina, Artist

 Duhet të jemi ne, që të veprojmë, duhet ta kërkojmë ne llogarinë, ta kërkojmë demokracinë, duhet ne të pretendojmë një reformë në drejtësi si duhet. Sigurisht, brenda rregullave dhe normave të demokracisë, por duke treguar edhe temp, edhe nerv, dhe dinjitet në protesta dhe kërkesa. Jo kështu, ëmbël. Nuk ka më ëmbël

Jakup B. GJOÇA

Gazetar i “Telegraf”

Avni Delvina, pinjoll i familjes së madhe patriotike “Delvina” të trevës së Delvinës, është nga të paktë artistë që, edhe pse jeton larg Shqipërisë, artin e tij e ka vënë përditë në shërbim të Shqipërisë. Arti i artistit Avni Delvina, thuajse i përditshëm, është një zë, një revoltë, ndaj keqqeverisjes së popullit, ndaj plaçkitjes së pasurive kombëtare të Shqipërisë nga një grusht zyrtarësh të korruptuar, por, njëkohësisht, edhe një thirrje, një apel, ndaj ndërgjegjes së çdo shqiptari të ndershëm, kudo që ai jeton, në Shqipëri, apo në çdo kontinent. Avni Delvina, sikurse rilindësit tanë kombëtarë të shekullit të 19-të, tashmë në shekullin e 21-të me artin e tij, troket në ndërgjegjen e çdo shqiptari, që të zgjohet, të ndërgjegjësohet për Shqipërinë. Shumë vepra artistike të Avni Delvinës janë bërë simbol i Kombit për të gjithë shqiptarët, dhe vepra më e fundit artistike është Ramush Haradinaj, i veshur nga artisti Avni Delvina me flamurin Kuq e Zi, do të shkojë në Hagë, për t’u thënë ndërkombëtarëve, se Shqiptaria NUK NEGOCIOHET! Avni Delvina, në intervistën për gazetën “Telegraf”, me dhimbje të madhe thotë se kjo situatë e sotme, i ngjan një shpërbërje të madhe të historisë dhe të shoqërisë shqiptare”, ndërkohë që apeli i Avni Delvinës për shqiptarët është që “Ne shqiptarët duhet t’i dalim zot Shqipërisë, prandaj në protesta duhet dinjitet, nerv. Nuk ka më ëmbël…”

-Zoti Avni Delvina, si e shikoni situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri, duke qenë se ju jeni dhe larg Atdheut tuaj?

Të flasësh për situatën politike në Shqipëri është njësoj si të pretendosh të zgjidhësh nyjën gordiane pa shpatën e Aleksandrit të Madh. Më shumë se sa një situatë politike, kjo situatë, i ngjan një shpërbërje të madhe të historisë dhe të shoqërisë shqiptare. Shikon një popull të traumatizuar që të tjera ndjen e thotë, e të tjera bën ose struket në një ndrojtje dhe apati të madhe. Ndjen keqardhje që një popull me nerv dhe me arrivizëm të fortë, të katandiset në këtë gjendje. Mjafton te marrim shembujt e emigracionit, ku të gjithë shqiptarët pothuaj pa përjashtim janë shembullorë në vendet ku jetojnë dhe me egon e tyre për të qenë të respektuar dhe të vlerësuar.

Sipas jush, përse nuk reagojnë shqiptarët?

Nervin dhe dëshirën për të reaguar e ka dhe akoma nuk i ka vdekur, por mbase traumat e përditëshme të skandaleve, qofte politike e qofte e ekonomike, si dhe kompleksi i frikës dhe inferioritetit trashëguar nga e kaluara komuniste, ja kanë hequr stimën e vlerësimin ndaj vehtes. Mjafton ta krahasojmë me Italinë, ku unë banoj prej 30 vjetësh dhe mbase nuk është shembulli më i mirë. Do të ishte e pamundur që të vazhdohej normalisht, sikur nuk ka ndodhur asgjë me ato që ndodhin në Shqipëri. Reagimi do te ishte i menjëhershëm, duke nisur që nga intelektualët e deri të shoqeria civile, e cila është mirorganizuar dhe indipendente dhe plot me njerëz idealistë, të cilët janë tëe domosdoshëm për një mbarëvajtje pozitive. Në vitet 90 shqiptarët u ngritën kundër atij regjimi totalitar me atë dëshirën e madhe që e dua Shqipërinë si gjithë Evropa.

Pas 30 vjetësh, ne, jo vetëm që nuk vajtën në Evropë, por u kthyem mbrapsht dhe nuk ka më zë. Kush e ka vrarë këtë shpresë, sipas jush?

Më ngacmove, sepse unë jam një ndër protagonistët e Korrikut të ambasadave ku unë kam hyrë së bashku me time shoqe. Neve në korrik të vitit 1990 hymë në ambasadën italiane sigurisht hymë plot impulse, plot ëndrra, plot dëshira e shpresa për të rrezuar atë regjim e për të hyrë në rrugën e lirisë e të demokracisë.

Po në fakt, ato ditë që u futët në ambasadë, tek ju besoj prevaloi ajo, ndjenja e vrasjes së frikës?

Vrasja e frikës, në fakt aty nisi, aty u thye ai miti i pathyeshmërisë së diktaturës komuniste.

Pse sot tek shqiptarët, pikërisht ky nerv është i paralizuar? Të vrasësh frikën ndaj këtij pushteti totalitar, kur kemi 30 vite në …demokraci?

Shiko të jemi realist tani d.m.th., këto situata duhen parë dhe si ajo gota gjysëm e mbushur, pavarësisht nga dramaticiteti që po kalojmë duhet gjetur dhe optimizmi. Protestat e fundit që janë bërë nga opozita e bashkuar, ku sigurisht kanë marrë pjesë edhe qytetarë të tjerë të paangazhuar politikisht, kanë treguar që ka një dëshirë të fortë për ndryshim, ka një diçka, megjithatë nuk e di unë personalisht, ka një bllok, ka një black out, ka një pikë të zezë, e cila e mban të mpirë popullin tonë. E kam pak të vështirë t’i shpjegojë arsyet. Një shembull pozitiv është dhe protesta e Teatrit Kombëtar, një ndër protestat më qytetare në mbrojte të kulturës, në mbrojte të historisë, në mbrojtje të Tiranës. Ata artistë e qytetarë meritojnë respektin dhe mirënjohjen më të madhe, Ata janë bërthama, ata janë protesta më demokratike, më qytetare që është zhvilluar ndër vite. Sido që të jetë, një mbështetje e madhe nga ana e qytetarëve të Tiranës ka munguar ndaj tyre, dhe vjen me shumë ndrojtje, si duket këto lloj qeverish brenda tyre kanë edhe ndjelljen e frikës, shumë njerëz janë në punë, shumë njerëz kanë fëmijë, etj, domethënë ne kemi ato mbartjet e së kaluarës, të diktaturës, kemi akoma kompleksin e frikës.

Ku e shikoni rrënjët e së keqes?

Rrënjët e së keqes unë e shoh me një lloj, nuk ka, duhet të ketë dashuri nga ata që drejtojnë vendin, duhet të japin dashuri, dashuria nuk tregohet vetëm me fjalime, por tregohet me punë po e po se aty është bilanci kryesor, por është edhe pasioni, mënyra se si ti flet, komunikon me njerëzit, komunikon edhe me kundërshtarët e tu, do një sens, do një dashuri që ka tolerancë të madhe. Ata që drejtojnë Shqipërinë unë nuk i shikoj, nuk e di personalisht, nuk kanë asgjë të tillë.

Në qoftë se dikush do pyeste personalisht Avni Delvinën dhe do t’i thoshte: Të gjithë politikanët në Shqipëri njësoj janë, përse të protestoj, kë të mbështes? Ju si do t’i thoshit?

Jo unë këto forma përgjithësimi në përgjithësi mua nuk më pëlqejnë. Gjithmonë ka diferenca, unë i bazohem për shembull, marrim veprimet e fundit të Presidentit të Republikës z. Meta. Me thënë të drejtën jo vetëm mua, por ka krijuar një lloj vlerësimi nga shumë shqiptarë dhe unë jam referuar dhe në disa grafika në lidhje me këto ngjarje, kam bërë disa grafika në facebook, i jam referuar një thënieje të doktor Lazer Rabit, një studiues, publicist, një njeri që ka bërë mbi 40 vjet burg dhe pastaj që na ka lënë një sërë veprash dhe jetoi deri vonë në vitet 2000. Dhe ai thotë që “Një politikanë mund të bëjë shumë gabime në jetë po në qoftë se në momentin e duhur bën veprimin e duhur, ai i lan gjynahet dhe ngelet në histori”. Kështu që dhe veprimet e Presidentit të Republikës, unë i marr shumë në konsideratë dhe i vlerësoj jashtëzakonisht, duke u bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë dhe veprimet e tij kanë qenë shumë pozitive dhe prej atdhetari.

Në Shqipëri u bë reforma në drejtësi, por çuditërisht mjaftoi firma e kryeministrit dhe gjyqtari i Durrësit menjëherë “dha” një vendimmarrje të dytë në favor të kryeministrit, duke rrëzuar gjithë procedurën juridike. Ky rast është një përjashtim apo është fytyra e drejtësisë së reformuar?

Ne menduam, se kishte një lloj shprese kur flitej për reformën në drejtësi, por mënyra se si po administrohet, mënyra se si po politizohet e bën akoma më të rrezikshme, shumë më tepër të rrezikshme se gjendja e keqe që ne kishim në drejtësi përpara se të bëhej reforma, kështu që unë personalisht kam bërë një sërë grafikash, për sa i përket drejtësisë shqiptare, ku unë e shoh që i ka hyrë një rrugë qorre, një rrugë shumë të rrezikshme dhe nuk e di shpresoj më tepër tek Zoti në këto momente, pastaj nga vetë historia ne do na nxjerrë si protagonist, ne popullin shqiptar, se ne vetë duhet t’i zgjidhim problemet tona, por reformën në drejtësi unë e shoh dramatike, domethënë po kalon nga shiu në breshër ose edhe më keq se breshëri.

Sipas jush, më mirë djepi bosh, se sa të ketë shejtanin brenda, në kuptimin që sot Shqipëria pas 3 vitesh nuk ka Gjykatë Kushtetuese?

Kjo është shpërbërje totale. Këto gjëra, sigurisht duhet të kenë qenë të parashikuara dhe me sa kemi lexuar, nga sa kam dëgjuar edhe nga Komisioni i Venecias. Nëse do ta trajtoje kështu, vetvetiu, kështu do të përfundonte reforma në drejtësi, jemi pa Gjykatë Kushtetuese, jemi pa Gjykatë të Lartë. Para pak kohesh, po bisedoja me një juriste italiane dhe i shpjegoja këtë situatë. Juristja italiane më tha: “Është e pamundur të ketë ndodhur kjo në Shqipëri. E pamundur, nuk dua ta besoj!” – Është e vërtetë, – i thashë unë. – “Atëherë, diçka e keqe do të ndodhë në vendin tënd,” – më tha juristja italiane. Tani kambanat e alarmit po bien prej shumë kohësh në Shqipëri, por si duket akoma nuk po dëgjohen siç duhet.

Ju jetoni në Itali. Në Tiranë, ka ardhur ambasador i BE një prokuror i Antimafias Italiane, që ka qenë simbol i luftës kundër mafias, por gjithë këto kohë, ky ish-prokuror i Antimafias, në kostumin e ambasadorit të BE pajtohet me zgjedhje pa opozitë, nuk flet kurrë për mafian shqiptare që bashkëpunon me deputetë për të blerë votat. E imagjinoni, dot, pot ë ndodhnin në Itali zgjedhje pa opozitë, ky ambasador i BE si do të vepronte?

Unë nuk e kam parasysh detyrën dhe funksionet që zotëria që ju përmendni, ka pasur më përpara në Itali, por, mënyra e sjelljes lë shumë për të dëshiruar, dhe krijon antipati tek populli shqiptar, që populli shqiptar është një popull pro-evropian dhe pro-amerikan në maksimum. Sjelljet politike të këtyre ambasadorëve, duke u nisur që nga Vllahutin etj., etj., dhe duke mbërritur deri tek ata ndërkombëtarë që janë akredituar në Tiranë, lënë jashtëzakonisht një shije të hidhur, saqë vetvetiu, po ngjallin një antipati në rritje, nga dita në ditë, dhe po humbasin, dhe më vjen keq, që edhe imazhi i të huajve, imazhi i demokracive perëndimore po dobësohet, po degradohet në sytë e shqiptarëve, thjesht nga sjellja e këtyre ambasadorëve të Evropës në Tiranë.

Gazeta “Telegraf”: Misioni politik dhe diplomatik i ambasadorëve që akreditohen në Tiranë është të mbrojnë standardet e demokracisë apo jo?

Po…

Por, kur shqiptarët shikojnë që këta ambasadorë mbështetin në 2019-n zgjedhje moniste, pa opozitën, atëherë, a nuk kanë të drejtë shqiptarët të dyshojnë tek këta ambasadorë?

E gjithë kjo lëvizje e ndërkombëtarëve në një harmoni dhe unison kaq të madh dhe në mbështetje të dukshme ndaj qeverisë, lë për të dyshuar që ka një lloj orkestrimi, e që dikush në njëjës ose në shumës ka interesa prej vitesh në vendin tonë. Këta veprojnë me një përpikëri të habitshme, duke na gjetur gjithmonë të papërgatitur edhe për faj të një kompleksi inferioriteti që ne mbartim nga izolimi i se kaluarës komuniste ndaj tyre, duke ju atribuar cilësi dhe përgjegjësi që atyre nuk ju takojnë. Ka ardhur dita që shpresat dhe ëndrrat e mëdha demokratike mos t’i varim me tek ambasadorët e ndërkombëtarët, por t’ju dalim zot vet dhe me bindjen e plotë, se çdo ndryshim në Shqipëri duhet dhe do të ndodhë gjithmonë nëpërmjet nesh, qe jemi zotër të këtij vendi dhe të fatit e të së ardhmes sonë. Jo më shumë se dy javë më parë një përfaqësues hungarez e tha copë, që lërini ndërkombëtarët dhe të huajt dhe përballuni vetë me lirinë dhe demokracinë në vendin tuaj. Shpesh herë ndërkombëtarët kanë qenë protagonistë të grafikave të mia të publikuara në rrjetet sociale, ku nuk ka munguar në to, edhe ironia dhe sarkazma ndaj tyre.

Gazeta “Telegraf”: Shqiptarët ushqejnë shpresën e madhe që do të vijnë në Tiranë SHBA dhe BE, do të vijë FBI që të arrestojë zyrtarët e lartë shqiptarë që korruptojnë e bashkëpunojnë me krimin, ndërkohë që ambasadorët e shteteve të tyre heshtin edhe kur dëgjuan audio-përgjimet tek “Bild”. Sa duhet të besojmë që ndërkombëtarët do të jenë shpëtimtarët e Shqipërisë?

– Në përgjithësi ne jemi të ndrojtur dhe të pa mësuar për të kërkuar të drejtat tona, dhe në një farë mënyre i presim të gatshme nga të tjerët, duke mohuar gjithë atë potencial dhe energji që kemi si popull. Një impuls dhe sinjal i madh ndryshimi edhe për ne shqiptarët ishte edhe fitorja dhe ardhja e Donald Trump, si Presidenti i SHBA. Kjo qe një goditje antiestablishment që duhet të shfrytëzohet edhe nga ne shqiptarët. Që një sinjal i madh, sepse unë shikoja mënyrën e reagimit, luftën që iu bë Trumpit nga shtypi botëror, duke u nisur nga Nju York Times dhe shume gazeta e media amerikane, e deri tek gazetat këtu në Itali, ishte një luftë sepse Trump solli një frymë të re, dhe kjo frymë e re që solli Trumpi solli një frymë të re edhe tek shqiptarët. Unë i shikoja shqiptarët shumë të frikësuar dhe shumë të heshtur, e pothuajse gati të dorëzuar. Por, që nga nëntori i 2016-s, gjërat kanë ndryshuar, ka një hapësirë, ka oksigjen më shumë, ka një kurajo qytetare më shumë, duke nisur që tek protesta historike për mbrojtjen e Teatrit, te Astiri, e deri tek protestat e vazhdueshme të partive të opozitës, ku një pjesë e madhe e pjesëmarrësve janë janë njerëz të pa rreshtuar politikisht. Por edhe me njerëzit, duke parë rrjetet sociale, ka një kurajë shumë më të madhe sesa para 2016-s. Ndryshimet vijnë edhe me impulse, edhe me sinjale, nuk vijnë gjërat vetëm me veprime. Duhet të jemi ne, që të veprojmë, duhet ta kërkojmë ne llogarinë, ta kërkojmë demokracinë, duhet ne të pretendojmë një reformë në drejtësi siç duhet. Sigurisht brenda rregullave dhe normave të demokracisë, por duke treguar edhe temp, edhe nerv, dhe dinjitet në protesta dhe kërkesa. Jo kështu, ëmbël. Nuk ka më ëmbël. Jemi ne që duhet ta administrojmë Shqipërinë.

 

Vijon nesër

Roli i ndërkombëtarëve në politikën shqiptare.

Simboli i protestave për Teatrin Kombëtar.

Konspiracioni ndaj Ramush Haradinaj

Parlamenti shqiptar, opozita “e re parlamentare” Akademia e Shkencave, ligji antishpifje, pse ikin shqiptarët nga Shqipëria…?!