Forumi në gazetën “Telegraf”: KQZ-ja duhet të ndalojë kandidimin  në 25 prill të deputetëve dhe ministrave, që “flasin” në doset 184 dhe 339

490
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Forumi në “Telegraf”: Flasin Dr. Agim Nesho, Agron Duka, Prof. Dr. Kristaq Kume, Hysen Osmanaj: Mosdënimi i protagonistëve të dosjes 184 dhe 339, rrezikon edhe këto zgjedhje

KQZ-ja ka çuar në prokurori për hetime 28 kandidatë për deputetë, të cilët, sipas deklarimeve të tyre, apo indicieve të KQZ-së, ata kanë probleme me ligjin e dekriminalizimit. Mirëpo, për çudi, KQZ-ja nuk ka çuar në prokurori asnjë nga kandidatët për deputetë, të cilët, me ofiqe zyrtare, si ministër, apo edhe deputet dhe kryebashkiakë, ishin protagonistët kryesorë të dosjeve 184 dhe 339, të ushtrimit të presionit dhe kërcënimeve ndaj elektoratit, bashkëpunimit me njerëz të botës së krimit për të blerë dhe manipuluar votat në zgjedhjet e 2016 dhe 2017. SPAK, pranoi që nga këta persona të akuzuar në dosjet 184 dhe 339 kishin kryer veprën penale të krimit zgjedhor, por nuk i dënoi sepse kishin kaluar afatet. Por, edhe pse SPAK-u nuk i dënoi, derisa këta deputetë, ministra, madje edhe vetë kryeministri Rama u dëgjua të bisedonte me personat e akuzuar për krimin elektoral, pra kishte dijeni për veprimet e tyre penale të krimit zgjedhor, moralisht ata janë fajtorë dhe duhet që KQZ-ja t’i ndalojë për të mos kandiduar më për deputetë.  Mosdënimi nga SPAK i deputetëve, ministrave, kryebashkiakëve që u dëshmuan në autopërgjimet e dosjeve 184 dhe 339 të vjedhjes së votës, dëshmoi se vetë drejtësie e re e reformuar është katandisur në një shtojcë të qeverisë, apo vendimet e saj janë të diktuara politikisht. KQZ-ja duhet të distancohej nga politizimi I SPAK-ut, duke hequr nga listat për kandidatë për deputetë ata që në dosjet 184 dhe 339, edhe sipas arësyetimit të SPAK-ut,  u vërtetua që kryen veprën penale të krimit zgjedhor.

“Ndonëse ata që u kapën në krim zgjedhor nuk u ndëshkua ligjërisht, kanë mbi supe peshën e krimieve të pandëshkuara.”

Pyetjet, që gazeta “Telegraf” u drejtoi Dr. Agim Nesho, Agron Duka, Prof. Dr. Kristaq Kume, Hysen Osmanaj

1. SPAK pranoi që shumë deputetë dhe zyrtarë të lartë kryen vepër penale në krimin elektoral në Durrës dhe Dibër, siç dëshmuan dosjet 184 dhe 339, por për shkak të skadimit të afateve, ata nuk u dënuan. Ata që kryen vepër penale të krimit zgjedhor, a kanë fituar amnisti ligjore, sa të kandidojnë në 25 prill si deputetë?

2. Këta, që tani kandidojnë për deputetë, a duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit,  atë krim zgjedhor?

3. Nëse nuk e deklarojnë, a e kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit?

4. KQZ- ja, a duhet të kërkojë hetim për këta kandidatë? A duhet t’i përjashtojë nga lista e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe për arësye morale dhe politike?

Flasin për gazetën “Telegraf” :

 

“Mungesa e vullnetit politik për të dënuar ashpër protagonistët e vjedhjes së votave  lë dyshimin që edhe 25 marsi  mund të jetëë të rrezikuara”

Dr. Agim Nesho ish ambasador në SHBA: Për rastet e krimit elektoral në Dibër dhe Durrës nuk ka asnjë amnisti ligjore

-Zoti Nesho, SPAK pranoi që shumë deputetë dhe zyrtarë të lartë kryen vepër penale në krimin elektoral në Durrës dhe Dibër, siç dëshmuan dosjet 184 dhe 339, por për shkak të skadimit të afateve, ata nuk u dënuan. Ata që kryen vepër penale të krimit zgjedhor, a kanë fituar amnisti ligjore, sa të kandidojnë në 25 prill si deputetë?

-Pyetja juaj është e drejtë dhe për rastet e krimit elektoral në Dibër dhe Durrës nuk ka asnjë amnisti ligjore. Për më tepër krimi elektoral i kryer është përfshirë në kushtet që Parlamenti Gjerman dhe Bashkimi Europian i kanë vënë Shqipërisë përpara nisjes së negociatave si vend kandidat i BE-së. Ajo që vihet re në këtë rast është se mungon vullneti politik i mazhorancës për të dënuar strukturat e saj, të cilat janë të përfshira në këtë masakër elektorale. Ky vullnet mungon për arsye se lidhjet e këtyre strukturave shkojnë deri lart dhe ajo që është më e rëndësishme është se qëndrimi ndaj kësaj cështje reflekton psikologjikisht qëndrimin që ka lidershipi për shtetin ligjor, funksionimin e institucioneve demokratike dhe procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për mazhorancën socialiste dhe liderin e saj zotin Rama, ajo që ka rëndësi është qëllimi për të mbajtur pushtetin dhe ky qëllim justifikohet me cdo mjet, duke përfshirë këtu edhe strukturat e inkriminuara të shoqërisë. Procesi elektoral është një nga kushtet kryesore të funksionimit të shtetit demokratik por elektoralizmi nuk do të thotë domosdoshmërisht se është vlerësimi i vetëm për funksionimin e shtetit demokratik. Sot Shqipëria është një vend që gjithmonë e më shumë po rrëshqet nga rruga demokratike, me një krizë disa vjecare instititucionale dhe me një parti-shtet që ka kapur institucionet e shtetit. Pavarësisht rezultateve elektorale cështjet e funksionimit të shtetit ligjor nuk mund të fshihen vetëm me rezultatin, kur ky rezultat manipulohet. Duket që ka pasur një influencë politike ndaj Prokurorisë që dosjet e krimit electoral 186 dhe 339 të gjykohen në nivel të ulët dhe përgjegjësit e këtyre akteve të ishin zbatuesit e tyre dhe jo autorët e këtyre skenarëve. Kjo për arsyen e thjeshtë që skemat mund të përdoren në të ardhmen. Mungesa e vullnetit politik për të dënuar ashpër inskenuesit e këtyre skemave lë dyshimin që edhe këto zgjedhje mund të jenë të rrezikuara. Prandaj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet anëtare të  BE-së gjithmonë e më shumë po shtojnë presionin për procesin zgjedhor, për mos-vjedhjen e votave dhe blerjen e tyre dhe për një proces të drejtë dhe të ndershëm.

– Këta, që tani kandidojnë për deputetë, a duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit,  atë krim zgjedhor?

-Ka individë të evidentuar në përgjimet e dala dhe të administruara në dosjet 186 dhe 339 që janë kandidatë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Juridikisht ata prezumohen të pafasjhëm për sa kohë që nuk ka një vendim të formës së prerë nga gjykatat. Në këtë rast ata jo vetëm do të deklaronin vendimin por nuk do të ishin të pranishëm në listat elektorale sepse nuk i lejon ligji. Ajo që dukshëm vihet re në këtë rast është lidhja e tyre me vendim-marrjen kryesore të partisë dhe dëshirën e lidershipit të parties, që zgjedhjet t’i shikojë vetëm si shumatore votash dhe jo si vullnet i shprehur pastër i opinionit publik. Ky është edhe dallimi i parë, në një shoqëri demokratike, midis partive si bashkim i lirë i qytetarëve që ndajnë ide dhe interesa të njëjta dhe regjimeve pseudo-demokratike që justifikojnë pushtetin dhe përfitimeve prej tij.

– Nëse nuk e deklarojnë, a e kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit

-Pyetja juaj është e drejtë në qoftë se mendojmë që në Shqipëri është një shtet demokratik funksional, ku jo vetëm institucionet por edhe vetë opinioni publik dhe mediat nuk do të lejonin veprime dhe qëndrime të rrezikshme të konkuronin. Sot realiteti është i ndryshëm dhe regjimi i instaluar i Rilindjes kërkon të justifikojë veprimet e tij duke shfrytëzuar presionin ndaj institucioneve dhe gjetur hapësira ligjore për të mbrojtur veprimet e tij. Prandaj regjimet jo-demokratike është e rëndësishme të cmontohen me një votë plebishitare dhe pastaj të mendohet për funksionimin e institucioneve dhe shtetit ligjor.

– KQZ- ja, a duhet të kërkojë hetim për këta kandidatë? A duhet t’i përjashtojë nga lista e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe për arësye morale dhe politike?

– KQZ është një institucion i pavarur dhe veprimtaria e tij kufizohet në zbatimin e ligjit. Nuk mendoj që ajo të gjykojë moralisht edhe për këtë cështje që opinioni publik qartësisht ka shprehur mendimin e tij. Prandaj në këtë proces midis vendim-marrjes së institucioneve dhe opinionit publik, ky i fundit duhet të përcaktojë zgjidhjet e mundshme me votën e tij. Shprehja me votë kundër fenomeneve të tilla është jo vetëm një detyrim moral por edhe një domosdoshmëri për të ardhmen demokratike të shtetit tonë.

 

“Regjimi i instaluar i Rilindjes kërkon të justifikojë veprimet e tij duke shfrytëzuar presionin ndaj institucioneve dhe gjetur hapësira ligjore për të mbrojtur veprimet e tij”

Agron Duka, kryetar i PAA: KQZ-ja duhet t’i largonte nga kadndidat për deputet ata që janë protagonist të dosjeve 184 të vjedhejs së votës

– SPAK pranoi që shumë deputetë dhe zyrtarë të lartë kryen vepër penale në krimin elektoral në Durrës dhe Dibër, siç dëshmuan dosjet 184 dhe 339, por për shkak të skadimit të afateve, ata nuk u dënuan. Ata që kryen vepër penale të krimit zgjedhor, a kanë fituar amnisti ligjore, sa të kandidojnë në 25 prill si deputetë?

– Dosjet e Dibrës dhe të Durrësit ishin një mundësi e mirë për drejtësinë e re për të fituar besimin e qytetarëve, si dhe të jepnin një shembull real për fundin e pandëshkueshmërisë për krimet zgjedhore. Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Ndonëse ata që u kapën në krim zgjedhor nuk u ndëshkua ligjërisht, kanë mbi supe peshën e krimieve të pandëshkuara. Këtë e dinë shqiptarë dhe të huaj. Tani na takon ne si opozitë të mbrojmë votën e lirë dhe qytetarëve të reflektojnë, pasi kanë parë me sytë e tyre këto 4 vite se si një pushtet që buron nga krimi zgjedhor, nuk është një pushtet në dobi të tyre dhe familjeve të tyre.

– Këta, që tani kandidojnë për deputetë, a duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit,  atë krim zgjedhor?

-Këto janë hollësi ligjore, që kam bindjen se kanë mjeshtërinë të kapërcejnë. Kur vjen puna për të mbrojtur interesat e tyre janë mjeshtra, madje nuk u nxihet as faqja, kur gjithë Europa i ka dëgjuar zërat e tyre teksa shantazhonin mësues, blinin vota, përdornin policinë si mburojë dhe të fortët si agjentë për këtë krim të shëmtuar kundër demokracisë. Gjithsesi, edhe nëse nuk e shkruajnë në formuluar, të jeni të bindur që ne nuk i kemi harruar, qytetarët nuk i kanë harruar, i mbajmë mend fytyrat dhe metodat e tyre, prandaj në 25 prill pjesëmarrja do të jetë më e lartë. Sado që të vjedhin, ne përsëri do të fitojmë. Ata tashmë janë pakicë dhe pakica nuk e mban dot peng shumicën e shqiptarëve.

-KQZ- ja, a duhet të kërkojë hetim për këta kandidatë? A duhet t’i përjashtojë nga lista e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe për arësye morale dhe politike?

– Interesi publik, shëndeti i jetës tonë politike, e ka të domosdoshme largimin e këtyre njerëzve nga politika. KQZ-ja do të duhej të vepronte në këtë kuptim, por mbetem dyshues që do ta bëjë këtë. Prandaj duhet të jenë qytetarët ata që do të duhet t’i japin një leksion në 25 prill, sepse ata që vodhën votat, rrezikojnë të vjedhin të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre. Shqipëria ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për të zhbërë simbiozën e politikës me krimin, që riciklon kriza politike, të cilat pastaj kthehn në kriza ekonomike që ndihen në xhepat e çdo shqiptari.

 

“Të pohosh se dosjet 184 dhe 339  përmbajnë elemente të veprës penale të krimit zgjedhor dhe pas kësaj, të mos gjykosh personat përgjegjës që konsiderohen se kanë konsumuar këtë vepër penale, është e barazvlefshme me amnistimin e këtij krimi zgjedhor”

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish kryetar i KQZ-së: SPAK-u, me mosdënimin e krimit zgjedhor, amnistoi vjedhjen dhe manipulimin e votës

– SPAK pranoi që shumë deputetë dhe zyrtarë të lartë kryen vepër penale në krimin elektoral në Durrës dhe Dibër, siç dëshmuan dosjet 184 dhe 339, por për shkak të skadimit të afateve, ata nuk u dënuan. Ata që kryen vepër penale të krimit zgjedhor, a kanë fituar amnisti ligjore, sa të kandidojnë në 25 prill si deputetë?

– Pas miratimit të Kushtetutës me referendum, në Nëntor 1998, reforma në sistemin e drejtësisë është ndër punët më të rëndësishme që  po behën nga shoqëria e jonë, në përpjekjet për të ndërtuar shtetin ligjor. Nevoja urgjente për një reformë të tillë është pasojë e faktit se, pushteti gjyqësor tek ne, realisht  ka vepruar si një pushtet  që nuk ka gjeneruar drejtësi, si një pushtet që shpesh ka funksionuar si mburojë dhe strehë për shkelësit e ligjit, për abuzuesit me pushtetin, për mbrojtjen më shumë se për dënimin e krimit, si një pushtet që jo rrallë ka vepruar i distancuar nga interesi i ligjshëm i shtetasve, si një pushtet që ka dënuar më të dobtin dhe ka institucionalizuar pandëshkueshmërinë për të fortët e pushtetit legjislativ ose ekzekutiv, qendror e lokal. Ndryshimi i kësaj gjendje mjeruese dhe me efekte të mëdha negative në gjithë jetën e vendit dhe të shoqërisë tonë kushtëzoi, si prioritet, ndër të parët, kryerjen e një Reformë të thellë në këtë sistem. Pritshmëritë nga kjo reformë janë të medha, por rezultatet e derisotme akoma nuk po ju afrohen këtyre pritshmërive. Mënyra se si i trajtoi SPAK dosjet 184 dhe 339, pa        hezitim mund të konsiderohet si një argument në favor të këtij pohimi.  Ndër arsyet nxitëse për ndërmarrjen dhe kryerjen e reformës në sistemin e drejtësisë ishte edhe sjellja e këtij pushteti ndaj të pushtetshmëve, e cila ngjizi në shoqërinë tonë fenomenin e pandëshkueshmërisë së tyre.  Veprimi dhe/ose mos veprimi i qëllimshëm i organeve të drejtësisë me afatet proceduariale, duke synuar dhe së fundi, duke i  përdorur ato si argumenta që pamundësojnë vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjeve, si pasojë e skadimit të afateve, ka qenë  dhe me sa duket, vazhdon të jetë, një ndër  problemet e mëdha që ka sistemi i drejtësise tek ne.  Të pohosh se dosjet 184 dhe 339  përmbajnë elemente të veprës penale të krimit zgjedhor dhe pas kësaj, të mos gjykosh personat përgjegjës që konsiderohen se kanë konsumuar këtë vepër penale, është e barazvlefshme me amnistimin e këtij krimi zgjedhor. Një sjellje e tillë e SPAK në zbatimin e detyrës, ka efekte të padëshiruara në dy dimensione njëkohësisht:  bien ndesh me pritshmëritë ndaj reformës në sistemin gjyqesor dhe ndikon negativisht në ecurinë e procesit zgjedhor që po zhvillohet dhe realizimit të standarteve në zgjedhjet e 25 prillit.  Një vendim i tillë i SPAK, në bazën e të cilit është pamundesia proceduariale për gjykim e shkaktuar nga skadimi i afateve, i “trimëron” gjithë ata që synojnë të përdorim mjetet jo ligjore në garën zgjedhore.

-Këta, që tani kandidojnë për deputetë, a duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit,  atë krim zgjedhor?

– Vendimi i SPAK për të mbyllur procesin e gjykimit pa vendim, për personat që konsiderohen se janë përgjegjës për konsumimin e veprës penale të krimit zgjedhor, si pasojë e përfundimit të afateve proceduariale, ka të njëjtin efekt me vendimin që do t`i shpallte ata të pafajshem.  Mbyllja në këtë mënyrë e procesit të gjykimit, bënë që  dosjet 184 dhe 339, pavarësisht nga pretendimet politike, të mos kenë autorë nga rradhët e personave me përgjegjësi të dalluara politike. Ato nuk arrijnë të prodhojnë asnjë efekt për këta persona. Vendimi i SPAK ka bërë që, ligjërisht e drejta e tyre për të kandiduar në zgjedhjet e 25 prillit, te mos ndikohet fare nga përmbajta e këtyre dosjeve.  Referuar kërkesave te ligji për dekriminalizimin, personat emri i të cilëve  shkruhet në dosjet 184 dhe 339,  nuk kanë asnjë detyrim ligjor të deklarojnë një fakt të tillë në fomularin e vetëdeklarimit të kandidatit për deputet. Në këtë formular kandidati është i detyruar të deklarojë në se është apo jo subjekt i këtij ligji dhe, sipas ligjit, subjekte të tij  janë ata persona të cilët janë dënuar me burgim, me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës për vepra penale, ku perfshihen edhe “vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”. Personat që përmenden në dosjet 184 dhe 339 dhe që kandidojnë në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në 25 prill, referuar vendimit te SPAK për pushimin e gjykimit për arsye të kalimit të afateve proceduriale, lidhur me çfarë trajtohet në këto dosje  nuk kanë asnje detyrim ose pasojë ligjore, që mund të ndikojnë në kandidimin e tyre.

– Nëse nuk e deklarojnë, a e kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit? KQZ- ja, a duhet të kërkojë hetim për këta kandidatë? A duhet t’i përjashtojë nga lista e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe për arësye morale dhe politike?

– KQZ mund të kërkojë verifikimin e thelluar të të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit të kandidatëve për deputet.  Si rregull kërkesa për këtë verifikim duhet të përmbajë të dhëna, fakte apo rrethana specifike, të njohura botërisht. Por megjithë këtë, ligji thekson se mungesa e tyre, në çdo rast, nuk pengon fillimin e verifikimit.  Këtë të drejtë ligjore ka përdorur Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve për të mbështetur kërkesën, që ka bërë në Prokurorinë e Përgjithshme, për verifikimin e thelluar të vetëdeklarimeve të disa kandidatëve për deputet që garojnë në zgjedhjet e parlamentare të këtij viti. Në dijeninë time në asnjë rast, indicie për këtë kërkesë nuk kanë qenë dosjet 184 dhe 339. Vendimi i marrë nga SPAK ka bërë që, mundësia që kishte gjykimi i këtyre dosjeve për të krijuar një frymë, mjedis  dhe sjellje të ndryshme nga të mëparshmet, ndaj shkelësve të ligjit zgjedhor, të zerohet. Ky vendim e pamundëson çdo institucion, përfshirë edhe KQZ, të veprojë më tej, ndërkohë që duhet të kishte ndodhur e kundërta.  E përfshirë në një proces të rëndësishëm zgjedhor, shoqëria e jonë ka nevojë sot, më shumë se në çdo kohë tjetër, për  kontributin e të gjithëve, për parandalimin e shkeljeve të ligjit zgjedhor. Dhe kontributi më i mirë për këtë parandalim është zbatimi dhe veprimi efektiv i ligjit, dënimi i shkelësve të tij dhe jo fshehja e mosdënimi i  krimit, duke keqpërdorur përshembull afatet proçeduriale.  Mos gjykimi deri në fund i dosjeve 184 dhe 339 por shmangia e tij me arsye proceduriale  është një mesazh demotivues për reformën në sistemin e drejtësisë dhe motivues për të gjithe ata që synojnë  të përdorin mjete dhe të ndjekin rrugë jo ligjor në garën zgjedhore.

 

“Mos gjykimi deri në fund i dosjeve 184 dhe 339 por shmangia e tij me arsye proceduriale  është një mesazh demotivues për reformën në sistemin e drejtësisë dhe motivues për të gjithe ata që synojnë  të përdorin mjete dhe të ndjekin rrugë jo ligjor në garën zgjedhore”

Hysen Osmanaj, ish anëtar i KQZ-së: KQZ duhet të kërkonte hetim të thelluar për kandidatët deputetë e ministra të dosjeve 184 dhe 339

SPAK pranoi që shumë deputetë dhe zyrtarë të lartë kryen vepër penale në krimin elektoral në Durrës dhe Dibër, siç dëshmuan dosjet 184 dhe 339, por për shkak të skadimit të afateve, ata nuk u dënuan. Ata që kryen vepër penale të krimit zgjedhor, a kanë fituar amnisti ligjore, sa të kandidojnë në 25 prill si deputetë?

-Të gjithë  zyrtarët e lartë  shtetëror dhe politik  që kanë kryer vepra penale të krimit zgjedhor lidhur me dosjet  184 dhe 339 në Durrës dhe Dibër nuk janë amistuar, pasi  siç  dini edhe SPAK e pranoi që ata kane kryer vepër penale të krimit zgjedhor, por nuk u dënuan se gjoja kanë kaluar afatet kohore dhe si rezultat  nuk u dënuan. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë ka sanksione të rënda për vepra të tilla dhe në varësi  të këtyre veprave  ligji i ”dekriminalizimit” i penalizon, duke ju ndaluar kandidimin për deputet dhe zgjedhjen apo emërimin në struktura të larta shtetërore. Veprat penale të krimit zgjedhor të këtyre dosjeve janë krime zgjedhore të njohura dhe të zbuluara nga SPAK, të vëzhguara dhe të konstatuara nga  vëzhgues vendas e ndërkombtarë të zgjedhjeve dhe të bëra publike në raportet përfundimtare të zgjedhjeve, siç është  ai i OSBE/ODIR-it. Këta zyrtar nuk mund të kandidojnë jo vetëm për deputetë, por as për anëtar të komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta apo të treta.

– Këta, që tani kandidojnë për deputetë, a duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit,  atë krim zgjedhor?

-Në formularin e dekriminalizimit duhet ta deklarojnë patjetër, për ndryshe ata shkelin ligjin e dekriminalizimit dhe duhet të kallzohen për ndjekje penale, por nuk di të them se deri ku ka shkuar hetimi dhe ndalimi për ta. Sido që të jenë rrethanat për këta zyrtarë të lartë të përfshirë në dosjet 339 dhe 184,  ata duhet të deklarojnë në formularët e dekriminalizimit pasi kanë qenë subjekt i SPAK.

– Nëse nuk e deklarojnë, a e kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit?

– Mendoj se e kanë shkelur ligjin, por i mbron “Maliqi” subjekti politik që i kandidon dhe kryetari i saj, sot në detyrën e Kryeministrit, veprat penale zgjedhore, të kryera si duket me bekimin e plotë të tij. Mos dënimi i këtyre veprave penale të krimit zgjedhor tregon edhe një here se si është bërë reforma në drejtësi dhe efektiviteti i saj, sa ka nderhyrë politika në këtë reformë dhe se politika është shumë herë më keq se drejtësia në këtë vende.

– KQZ- ja, a duhet të kërkojë hetim për këta kandidatë? A duhet t’i përjashtojë nga lista e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe për arësye morale dhe politike?

-KQZ-ja kërkon hetim të thelluar nisur nga deklarimet në formularin e dekriminalizimit, nga informacionet e Drejtorisë se Pergjithshme te Burgjeve, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Sa i përket rastit konkret, KQZ duhet të kërkonte hetim të thelluar, pasi këto janë fakte të njohura tanimë botërisht dhe pa tjetër duhet të kërkonte hetim të thelluar. KQZ-ja i perjashton apo heq nga listat vetëm per arsye ligjore, në zbatim të ligjit zgjedhor,  për arsye morale dhe politike i përjashton  nga lista vetëm forcat politike të cilat i kandidojnë, por kjo tregon se sa moral ka politika në vendin tonë dhe se sa zgjedhje të lira dhe demokratike synojmë ne të bëjmë.