Kryeministri Edi Rama deklaroi se investimet e huaja sjellin vende pune të mirëpaguara për shqiptarët, ndërsa shtoi se vetëm investimi në Zvërnec do të sjellë 10 mijë vende pune.Rama ishte në Pashaliman, Vlorë, ku u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit mes kompanisë italiane “Fincantieri’, kompanisë shqiptare “Kayo” dhe shkollës industriale “Pavarësia”, për zhvillimin e praktikave profesionale dhe mundësi punësimi në fushën e ndërtimit dhe industrisë detare.Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Rama vlerësoi se këto investime të mëdha që vijnë kanë ndër të tjera edhe këtë komponent shumë të rëndësishëm, punësimin.“Të gjithë atyre që flasin në hava për investitorët e huaj, për investimet e huaja, për partneritet me të huajt që ju merrkan punën shqiptarëve, dua t’ju them që jo, e vërteta është e kundërt. Në radhë të parë këto investime vijnë për shqiptarët, vijnë për ata të cilët duan punë, duan të jetojnë me punë, janë të gatshëm të sakrifikojnë në punë dhe përmes punës të rriten dhe të ngjisin shkallët e një karriere profesionale, që sa më lart ngjitesh aq më mirë të paguan”, shtoi Rama.Kjo sipas tij, “është e vërtetë për këtë investim, por është e vërtetë për çdo investim tjetër”.
“Kjo është e vërtetë dhe për të gjitha investimet në turizëm. Investimi për të cilin bëhet një diskutim marramendës dhe absurd sjell, jo 500 si këtu, por 10.000 mundësi të reja vendesh pune dhe natyrisht sjell 10.000 mundësi të reja vendesh pune për në radhë të parë djemtë dhe vajzat e kësaj zone dhe atyre nga gjithë Shqipëria që do të duan të bëhen pjesë”, shtoi Rama.
Miratohet Akti Normativ, çojmë në 2.6% shpenzimin për mbrojtjen
Kryeministri Edi Rama informoi se qeveria do të miratojë Aktin Normativ që e çon shpenzimin për mbrojtjen në 2.6% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit.Rama ishte i pranishëm sot në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes gjigandit italian të industrisë detare “FINCANTIERI”, kompanisë shtetërore “KAYO” dhe Shkollës Industriale “Pavarësia” në Vlorë, me synim zhvillimin e praktikave profesionale dhe mundësi punësimi në fushën e ndërtimit dhe industrisë detare.“Pas këtij takimi qeveria shqiptare do të miratojë një akt normativ ku ndër të tjera Shqipëria do të angazhojë të gjithë financimin e nevojshëm për të arritur targetin e përcaktuar nga anëtarësia jonë në NATO, që e çon në 2.6% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit, shpenzimin tonë për mbrojtjen”, bëri të ditur Rama.Sipas tij, përfituesit e drejtpërdrejtë janë të gjithë ata që janë pjesë e strukturës sonë të ministrisë së Mbrojtjes, por edhe të gjithë ata të cilët do t’i bashkohen hap pas hapi kësaj rritje të jashtëzakonshme të kapaciteteve tona të mbrojtjes e sigurisë”, shtoi Rama.Pjesë e kësaj sipas tij, është edhe rritja e industrisë ushtarake.
Rama: Flamingot dhe sorrat me korbat i ndan hendeku që ndan paqen me dhunën
Kryeministri Edi Rama reagoi sërish për protestën kundër investimit në Zvërnec.
Kryeministri theksoi në një postim se “flamingot dhe sorrat me korbat i ndan pikërisht hendeku që ndan paqen me dhunën”.
“Të parët duan që Shqipëria të jetë më e mirë, më e drejtë, më e pastër, ndërsa të dytët e duan Shqipërinë shesh për horrllëk, dhunë, pisllëk…”, shkruan Rama.
Kryeministri nënvizon se, “flamingot do ta kenë atë që kërkojnë, kurse dështakëzemërakët e kores së zezë të kësaj proteste, do marrin atë që meritojnë sorrat dhe korbat”.




















