Intervista/ Prof. Elmaz Sherifi: Shteti dhe dinjiteti i tij është bërë ‘shoshë’ nga aferat dhe skandalet

212

Intervistë/ Open Balkan do të marrë përgjigjen e merituar në 6 Dhjetor me protestën e opozitës. Dinjiteti i shtetit është bërë shoshë nga skandalet, thirrje për politikanët e përgjegjshëm. “të dalin nga memecëria” e të bëjnë oponencë ndaj qeverisjes së deformuar

Sigal

Prof. Elmaz Sherifi

“Shqiptarët emigrojnë pasi në politikë dhe në administratën e lartë shtetërore preferohen të paaftët e të korruptuarit, që zbatojnë urdhërimet e paligjshme për tenderat e PPP-të me taksat e shqiptarëve. Besoj te rikthimi i emigrantëve dhe rizgjimi nga mosbesimi për t’i “nxjerrë rrënjët” autokracisë dhe arrogancës së qeverisjes!”

 

Në një intervistë për Gazetën “Telegraf” Profesor Elmaz Sherifi ka komentuar aktualitetin politik ku ka deklaruar se protesta e 6 Dhjetorit është një mjet demokratik dhe ka një peshë të rëndësishme pasi do i japë përgjigje europianëve për orientimin e vërtetë të shqiptarëve. Sherifi gjithashtu ka një mesazh për socialistët që të dalin nga ‘rreshti i ushtarëve memecë’ dhe të bëjnë opozitën e një qeverisjeje të deformuar.

Një nga çështjet më shqetësuese të momentit është emigrimi, si i shihni deklartat e Kryeministrit Rama, i cili e konsideroi fillimisht një ‘trend’ emigrimin e të rinjve e më pas vijoi me sulme ndaj Britanisë e Francës, që nuk po menaxhonin dot emigrantët?

Nëse më lejoni, për plagën e emigrimit, do të preferoja të përdor metaforën e krahasimit të shqiptarëve me lejlekët. Lejlekët përfaqësojnë një nga llojet më të rrallë të shpendëve që janë konsideruar simboli i lumturisë dhe i mirësisë, sepse ata e zbukurojnë mjedisin, janë shumë të qetë, por duan siguri e prandaj foletë i ndërtojnë në lartësi. Por, në Shqipëri ata kanë statusin e të “rrezikuarit në mënyrë kritike për zhdukje”.

Edhe shqipëtarët po e braktisin vendin e tyre të bukur e të bekuar çdo ditë e masivisht, ikin ore ikin me “kokë pas”, sepse e kanë humbur besimin te qeverisja dhe zgjimi nga mosbesimi duket i largët, pasi po largohen me dhimbje edhe intelektualë e profesionistë të standardeve europiane, pasi nuk vlerësohen e madje përbuzen, kur në politikë dhe në administratën e lartë shtetërore preferohen të paaftët e të korruptuarit që zbatojnë urdhërimet e paligjshme për tenderat e PPP-të me taksat e shqiptarëve. Dallimi, midis emigrimit të lejlekëve dhe emigrantëve duket sikur janë rrugët nga kalojnë. Lejlekët asnjëherë nuk fluturojnë mbi dete e oqeane, ndërsa emigrantët kohët e fundit “rrugë të shpëtimit kanë gjetur Ngushticën e Lamanshit. Anglia po preferohet për marrjen e statusit të azilantit, se një gjykatë e Anglisë, pas kërkesës ligjore nga aktivistët e mbrojtjes të drejtave të njeriut vendosi ndalimin e përpumimit me procedura të shpejta të azilantit të paligjshëm, prandaj Anglia dhe Franca kanë shtuar buxhetet për ndalimin e emigracionit të paligjshëm.. Ndërsa kryeministri i Shqipërisë nuk e ka aspak shqetësim largimin e pjesës më aktive të shoqërisë për të cilën janë bërë shumë shpenzime e investime për edukimin dhe kualifikimin e standardeve europiane dhe me cinizëm e konsideron largimin “trend i kohës” dhe ka kurajon e të papërgjegjëshmit kur i konsideron shqiptarët “viktima të perandorive”. Shqiptarët e punësuar në Angli me manifestimin paqësor europian i dhanë një “shuplakë” edhe arrogancës së ministres që pati paturpësinë e budallait kur i cilësoi shqiptarët kriminelë, ashtu si shumë autoritete e media në Angli përshëndetën mendësinë europiane të protestuesve. Si përmbyllje të pyetjes do i referohem poezisë të Dritëro Agollit tonë të ndritur të emërtuar Lejleku, si thirrje plot shpresë e rikthimit në “vatrën e ngrohtë” e ndryshimin e statusit, nga emigrantë, në të vetëpunësuar e punëdhënës.

…U plakën, lindën, ikën larg,

po s’e harruan atë prag

 

Paçka se shkuan në mërgim

sërishmi erdhëm fluturim.

 

Më vjen në mendje një shtëpi

me mollë, dardhë e avlli.

 

Dhe se harron dot atë plep

ku kishte çerdhen një lejlek.

 

Stërnipi i tij akoma vjen…

Stërnip, njatjeta po të them

 

Do pleqërojmë ti edhe unë.

Si ne do të lindin shumë më shumë.

Eh Dritëro, o i papërsëritshmi Dritëro. Edhe unë besoj te rikthimi dhe rizgjimi nga mosbesimi për t’i “nxjerrë rrënjët” autokracisë dhe arrogancës së qeverisjes!

“Përpjekja për ta vazhduar propagandën e “Open Ballkan” më shumë se realitet, më ngjason me një dëshpërim. Një përgjigje më domethënëse mendoj se inicuesit Vuçiç- Rama do e marrin më 6 Dhjetor në Tiranë.”

Opozita ka lajmëruar për një protestë në 6 Dhjetor, ndërsa pritet që po në këtë datë do të ‘zbarkojnë’ në Tiranë edhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian, ju si diplomat si e shihni protestën përgjatë kësaj ngjarje të rëndësishme?

Protestat janë mjet jo vetëm si e drejtë subjektive dhe duhet të ketë sa herë gjykohet dhe ajo shërben si mjet sensibilizimi. Por protestat nuk janë për ato subjekte që kanë të drejtë kushtetuese të bëjnë edhe ligje, pra për partitë që populli, apo zgjedhësit e tyre i kanë votuar t’i përfaqësojnë në pushtetin legjislativ. Pra, në bindjen time nuk është mjet për arritjen e qëllimit, por mjet sensibilizimi. Kë do të sensibilizojë protesta institucionet e BE-së? Kuptohet që në këto situata, protesta synon të faktorizojë një subjekt politik apo individ, që edhe Partitë Popullore të Europës i kanë dhënë këshilla të reflektojë e të shikojë nga e ardhmja!

Si e shihni ripërtëritjen e Procesit të Berlinit me takimin në Bruksel dhe premtimin për mbajtjen e takimit të radhës në Tiranë?

Nisma e Kancelarit të Gjermanisë për rikthimin te Procesi i Berlinit erdhi në momentin kur inicuesit e Ballkanit të Hapur e tejkaluan “cakun” e së drejtës me propagandë që fsheh synimet e Vuçiçit të Serbisë, për t’u rikthyer te Jugosllavia e Milosheviçit zjarr venësit e luftënxitësit të Ballkanit. Përpjekja për ta vazhduar propagandën e “Open Ballkan” më shumë se realitet, më ngjason me një dëshpërim. Një përgjigje me domethënëse mendoj se inicuesit Vuçiç- Rama do e marrin më 6 Dhjetor në Tiranë.

Publikimi i të dhënave sensitive nga hakerat e Homeland Justice ka bërë që të ketë një mori akuzash ndaj kryeministrit për shpenzime luksi në udhëtimet me avion charter, por shefi i qeverisë është hedhur në aksion me akuza ndaj opozitës, si e shihni ju këtë sjellje?

Shteti dhe dinjiteti i tij është bërë shoshë, jo vetëm nga “plumbat e hakerave”, por edhe nga korrupsioni me inceneratorët, kalimi me urgjencë e procedurë të përshpejtuar i Ligjit për kalimin e Portit të Durrësit për ngritjen e pallateve, me listat e militantëve partiak, që paguhen për procese zgjedhore, me shpenzimet e luksit për zyra e udhëtime të shpeshta me çarter, dhe kryesorja me largimin e një partie të majtë nga programi i saj, që prioritet ka privatizimet, që zvogëlon pronën shtetërore e publike, dhe rrit numërin e të punësuarve në administratë. Kritikat e forta të Ambasadores SHBA, janë kambanë alarmi dhe tërheqje vemendje, prandaj ka edhe shumë nervozizëm nga kryeministri.

“Shteti dhe dinjiteti i tij është bërë shoshë, jo vetëm nga “plumbat e hakerave”, por edhe nga korrupsioni me inceneratorët, kalimi me urgjencë e procedurë të përshpejtuar i Ligjit për kalimin e Portit të Durrësit për ngritjen e pallateve, me listat e militantëve partiak, që paguhen për procese zgjedhore, me shpenzimet e luksit për zyra e udhëtime të shpeshta me çarter.”

Në një nga publikimet tuaja ju shpreheni se ‘arrogancës së qeverisë ‘traun’ mund t’ia vendosin socialistët’ ndërsa qeveria po përballet me akuza të shumta nga qytetarët dhe opozita, çfarë mund të bëjnë socialistët në këtë rast, ndërsa jemi në prag të zgjedhjeve vendore?

Kur PD i mori të gjitha pushtetet e shtetit pas ardhjes në pushtet e “mbyti” pesha e pushtetit dhe “prodhoi” dhunën e manipulimin e zgjedhjeve parlamentare më 1996, sepse, opozita ishte shumë e dobët dhe e pabesueshme dhe mendësisë autokratike të qeverisjes, nuk i bënte oponencë partia me maxhorancë parlamentare. Kjo ishte arsyeja që botova edhe një libër për deformimet e thella të qeverisjes, derisa u krijua në mars 1997 Qeveria e Pajtimit Kombëtar dhe vetë PD, e kryetari i Parlamentit të kohës e përshëndeti si shpëtimtare kur ajo mori votëbesimin. Të njejtën situatë dhe mendësi qeverisje e vërej edhe tani kur një parti i ka të gjitha pushtetet e shtetit edhe vetëqeverisjen vendore dhe kur opozita është në konfliktin midis legjitimitetit dhe ligjëshmërisë, nuk ka oponencë brenda PS. Pra ishte thirrje që më të përgjegjshmit me kontribute reale politike, të “dalin nga rreshti i ushtarëve memecë” dhe të bëjnë oponencë domethënëse kundër deformimeve serioze të moralit të qeverisjes dhe shtrembërimeve të dukshme të parimeve të qeverisjes së drejtë dhe parimeve të shtetit të së drejtës. Ambasadorja e SHBA paralajmëroi ndalimin e  ndikimit dhe ndërhyrjes në zgjedhjen e Kryetarit të SPAK. Shumë e rëndë deklarimi “bëni transparent procesin” ! Kush do e deformojë procesin, opozita ?

“Më të përgjegjshmit me kontribute reale politike, të “dalin nga rreshti i ushtarëve memecë” dhe të bëjnë oponencë domethënëse kundër deformimeve serioze të moralit të qeverisjes dhe shtrembërimeve të dukshme të parimeve të qeverisjes së drejtë dhe parimeve të shtetit të së drejtës.”

Si pritet të zhvillohen këto zgjedhje duke marrë parasysh që PS duket se ka vënë ‘veto’ për shumë nga çështjet që opozita ka kërkuar diskutime, siç është edhe rasti i reformës territoriale dhe më vonë edhe ndarja e buxhetit që ka një ndikim të konsiderueshëm në këtë proces?

Pushtetin vendor vetëqeverisës e ka një parti dhe reforma Administrative -Teritoriale u bë për qëllime politike elektorale. Dështimi i reformës vërtetohet dhe bëhet i besueshëm me rritjen e shpenzimeve për administatën me 20 përqind dhe falimentimin e disa bashkive që kanë resurse të mëdha. Kush ka besuar se do pranohej një hartë e re administrative shfaq naivitet të pakorrigjueshëm. Aq më keq për opozitën që shkoi në Komisionet Parlamentare me dy projekte! E çuditshme kjo opozitë, që propagandon se është e bashkuar dhe deklaron se është e përçarë. Me cilën logjikë argumenton fitoren? Faleminderit.