Pëllumb Gorica: Përpjetë lartësive të Funarit

153
Sigal

Udhëpërshkrim nga Pëllumb Gorica

 

Mëngjes fundnëndori. Rrugët shtuar me lëvizje drejt vendeve të ndryshme. Vrulli i tyre shpërndan sa andej-këtej njerëzit, në qytete e fshatra, në peizazhet e qeta, në malet kreshtëlarta, mes pyjeve, ujërave liqenore dhe ajrit të pastër.

Udhëtimi herë të ngjan i lehtë, herë i vështirë, hera-herës fluturon i gjithi nga gëzimi përshkues.

Ngjitemi lartësive të Funarit, një nga trevat e njohura të Elbasanit, të dëgjuara për mikëpritjen, punëdashjen dhe përkushtimin ndaj kulturës dhe dijes. Rruga gjithë lakadredha çan përmes pyllit me pisha, dushqe dhe shkurre të veshura me ngjyrat e vjeshtës; kopshtijeve me perime, vreshta, ullinj, misër e jonxhë.

Në Letan fillon teleferiku i gurores, që ka heshtur në lëvizjen e tij robotike mes pemëve.  Ndalemi për të kundruar pamjet mahnitëse. Nga aty ke në pëllëmbë të dorës qytetin e Elbasanit, malet Bukanik e Tomorr, që shpojnë qiellin me shpatet e thikta, kodrat e buta të Shpatit dhe Sulovës; rrjedhën e lumit Shkumbin që shndrit prej mijëra e mijëra vitesh, duke mos pushuar asnjëherë për të krijuar begati në arat, pemtoret, ullishtat e vreshtat, që i kanë shtuar më shumë hijeshinë vendbanimeve të shpërndarë në të dyja anët e tij; fushën e Bradasheshit ku shtrihet Kombinati Metalugjik, si një bishë e egër dhe ndjellakeqe, me katrahurë ndërtesash.

Ndërsa gurorja që zgjatej e thellohej në një mënyrë të çuditshme dhe të pakuptimtë, vazhdon të kafshoj shkëmbinjtë që shëmbëllejnë si afreske lashtësie, në një hapësirë që lartësohet porsi kompleks arkitektonik. Gurorja i shëmton ethshëm, duke i humbur masën e së bukurës, me skrepat dhe fadromat që gumëzhinin pranë një tuneli si gojë e hapur që të frikëson me pamjen.

Ecën dhe syri të rrok larushi ngjyrash: masive pishash që gjelbëronin si të ishte pranverë. Aty-këtu pyje dushqesh, kullota, rrape, pemëtore, vreshta dhe ara që verdhullonin si të praruara nga vjeshta e artë. Vështron bukuritë natyrore dhe futesh thellë në historinë e vendbanimeve, por edhe takon banorët (të dëgjosh histori) e ndoshta të ecësh ca kilometra më këmbë.

Bixëllenja është vendbanim i bekuar. Si e tillë, ajo prezanton fytyrën e vërtetë të asaj që vizitori gjen në brendësi. “Ç’ka avllia, ka shtëpia”, – thotë një fjalë e urtë. Shtëpitë me një arkitekturë tipike qytetare elbasanase, të pajisura me mobilje dhe veshje të çdo lloji, nga puna e banorëve të saj, me pak oborr, rrugicat e pastra, oborret plot lule, kasollet e barit të thurura si kuti, pemët dhe kopshtijet nën rrugë, sinjalizonin se po hyje në një vendbanim me emër të madh.

-“Rreth viteve 1450-1460, -tregon Hamit Hida, – nëpër Bixillenjë kaloi Gjergj Kastrioti, bashkë me gruan e tij, Donikën. Qëndroi në një familje bixëllënjase dhe nisi kuvendimin me ‘ta. Banorët për të treguar se ishin bujarë dhe të pasur i shtinë për të ngrënë kalit të tij grurë. Kur e pa këtë skenë Gjergj Kastrioti uroi: “Mos u mbaroftë asnjëherë pasuria në këtë fshat.”

Mirpo, po të kishte ndodhur kjo, do të ishim një vend i tejbanuar, me pasuri të shumta dhe ekonomi të zhvilluar, do të kishim mundësi të ecnim si Bota e do të hapnim dyert që ata të vinin te ne dhe jo të ikim ne prej Bixëllenjës.

Funari të befason me shtrirjen, që tregon dhe pasqyron më së miri dhuratën e natyrës, të gërshetuar me mendjen dhe dorën e njeriut. Dhe e ka parë Zoti, ndaj e ka gostitur me ujin, liqene, ajrin, pyllin, barin, zogjtë, pemët frutore, kafshët, gurin, baltën dhe qetësinë. Shtëpitë të bukura dhe komode, por ato nuk kanë asnjë vlerë, kur një pjesë e tyre janë bosh, apo në ‘to banojnë pleq që ecin të kërrusur prej peshës së jetës.

Nga ato që kam lexuar prej studiuesit funaras, Ramazan Sherja, ka disa hamendje se “emërtimi Funar vjen nga togfjalëshi “fund are”, pasi i gjithë ky vend ishte moçal, vetëm një fund are kishte të përdorshëm, ku rritej bari dhe lulet e egra. Tregohet se këtu u vendosën rreth viteve 1815-1820, dy familjet e para nga Shëngjergji i Tiranës dhe nisën jetën e tyre, pa e kuptuar se po niste edhe një toponim i ri. Nga përdorimi i dendur i shprehjes “janë vendosur në një fund are“ i kalimtarëve të rastit, evolucioni fonetik dhuroi emrin e bukur Funar.”

Në dy liqene të bukur, që ndryshojnë nga madhësia, si një copëz parajse, ku freskohej dielli e krihej hëna netëve, shpirti të gjen paqe. I zhytur në peisazhin e krijuar të tyre, si dy bukuri, të ngjashme me dy pika uji, nga të gjitha anët shumëngjyrëshe shikon kompleksitetin e natyrës me tërë madhështinë e saj. Tek- tuk cicërimat e zogjëve, nga ata që nuk shtegtojnë dhe që gjithmonë e mbajnë të ngrehur folenë, duke kaluar dimërat aty, apo ndonjë pulbardhë, që zhytej në ujë e herë nxirrte kokën dhe fluturonte me një flatërim si prej engjëjsh mes atij pylli të dendur, jepnin imazhin e saktë të parajsës në tokë.

Liqenet dhe qielli duket sikur shkëmbejnë të kaltrën me njëri-tjetrin rrethuar nga një brez pishash. Ata furnizohen nga burime të nëndheshme që zbresin nga malet dhe ujërat e shirave, por të krijojnë përshtypjen sikur janë akullnajorë, në fakt janë vepër hidrike (rezervuaret i thonë banorët) me shumë vlerë për ata, e cila ka sjell një zhvillim të prodhimit bujqësor. Përveç se një vepër hidrike, por shfrytëzohen edhe për turizëm.

Tej një përroi të mbushur me rrepe shekullor (ishuj të gjelbër), të shfaqej befasisht Mollagjeshi, si në në pikturat e Claude Monet. Drurët e djegur të ngjajnë si balerina lakuriqe. Ndërsa pemët frutore të ngjajnë me një grua plot sharm e bukuri teksa zgjasnin degët përtej gardheve. Mollagjeshi është ndër të paktët, që nuk e kanë humbur origjinalitetin e peizazhit arkitekturor, por edhe atij natyror, shtrirë një hapësirë të gjerë, me thyerje të pakta, të buta e të këndshme të relievit, aty ku gjen qetësi, paqe e çlodhje në freskinë magjike të pyllit dhe ujërave sipërfaqësorë, që zbresin në luginat e thella.

Ndërsa ecim nëpër ato rrugica të ngushta, midis degëve të pemëve rrugicave gjithë freski, në arat dhe midis shtëpive, shkëmbehehemi me banorët e paktë, që të ftojnë e të pērcjellin me buzëqeshje, me shpirt bujar e të edukuar me mikpritje, e latuar prej etërve të tyre. Bujarinë e kanë shprehur në pyjet, bagëtitë dhe tokën, në shërbimin që i bën atyre, në mënyrën se si mbrojnë, i mbarshtrojnë sistemon e arat e sistemuara, madje u ndërton mure e gardhe, ku kultivohen misri, thekra, gruri, vreshta, pemët frutore dhe perimet.

Ca zhurma të llojllojshme, sikur krijonin një simfoni orkestrale, ndonjë ninullë të kyçura përgjithmonë brenda mureve, nga kohë a breza të ndryshëm, që përziheshin me të natyrës.

Ferrat mbi çatitë e shtrembëruara, iu kacavirren oxhakëve të ftohur. Sheh të padukshmen matanë kanatave të portës, brenda mureve, që të ftonin në dritëhijet e shkëlqimit të dikurshëm, në pluhurin e imët që molja ka lënë trarëve, apo në copat e suvajave të zbardhura. Sheh edhe sende që as nuk hyjnë në punë, që dëshmonin sjelljen shkatërruese ndaj sē vjetrës. Rrasa guri të kapërthyera, dyer të mëdha e të zakonshme për sytë, të nxira nga koha e lagështira, lloze të dyfishtë dhe, hyrje të dukshme nga perëndimi, si për të treguar se lindjet dhe jeta këtu ishin më të mirëpritura se perëndimet dhe vdekjet. Dhe kur i kujton, që sot nuk janë asnjë nga këto, madje janë fare pak njerëz që jetojnë këtu ndjen një dhimbje nga largimet pas viteve 1990 të shumicës së banorëve drejt Tiranës dhe botës moderne, të gjejnë diçka më të mirë.

Në Mollagjesh rastisi të takohemi me Xhemal Shushkun, një burrë përtej të pesëdhjetave. Ndjen një lloj ngrohtësie në bisedë me ‘të sikur kuvendon me burra të urtë, nga ata që të gjendeshin në kohë të vështira, ulur në mbështetëset e gurta, që s’kishte forcë t’i tundtte nga vendi.

-Mollagjeshi herët, – të thotë Xhemali,- që në Mesjetë dhe një kohë të gjatë më pas, ishte më i pasuri në krejt malësinë e Elbasanit, ndërsa sot është kthyer në një lagje të varfër.

Për një copë herë biseduam rreth familjeve të Mollagjeshit, me gjyshër e stërgjyshur. Aty të duket sikur dëgjon histori, që mbartin kaq shumë dhimbje e brenga, por edhe të bukura e të gëzuara, dashuri e pasione të fshehta. Zë vënd me të madhe dhe shprehja: Nuk të mjafton as një natë dimri.

Xhemalin e pyesim se çfarë kuptimi ka emërtimi i Mollagjeshit dhe prej nga rrjedh.

“Një jabanxhiu, vendasit i lavdëruan shumë fshatin e tyre. Këtu do të gjesh mollë kur të teket. I huaji kur u kthye në vendlindjen e tij, u tha bashkëfshatarëve të vet: më pëlqen shumë vendi. Në çdo kohë që do të shkosh atje, mollë do të gjesh. Dhe kështu mbeti emri Mollagjesh”.

Banorët e Mollagjeshit me një zgjuarsi të lindur, por edhe dashuri të rrallë për punë e dituri, kanë shkëlqyer kudo, duke nxjerrë aq shumë personalitete, në fushën e artit, sportit, muzikës, arsimit, shkencës, etj. Nuk është rastësi fakti që dy djem të Mollagjeshit janë bërë persona publikë: Luan Shabani, peshëngritësi kampion edhe në Greqi, si dhe këngëtari Rati (Florat Shushku).

Mollagjeshi, gjithashtu është çlodhës, për spektrin e shikimit, ngaqë përfshin gjithë panoramën e maleve të Pashkasheshit, Priskës dhe Dajtit me thyrjet e dukshme të relievit të tyre që shfaqen vargan-vargan deri te mali me Gropa. Në këtë natyrë të larmishme, që të mbush me frymëzim e nuk ngopesh duke e soditur, vështrimin e tret në fshatrat e Tiranës: Kllojkën, Darshenin, Selbën e Shëngjergjin me shumë mistere, me shumë histori, ngjarje, zhvillim e qytetërim.

Përballë shtrihet Cërruja e rrethuar mahnitshëm prej pyjeve, prrenjëve e gurëve shkëmborë ku mbretëron qetësia dhe nusëron paqja. Deri më sot nuk dihet ndonjë histori prej të moshuarëve rreth arsyes përse e kanë thirrur Cërrujë. Qysh në pamjen e parë duket që etimologjia e emrit është e formuar prej ujit që rrithte. Më larg Korra, një kopësht i Edenit, me shtëpi të larta, tapeti i gjelbërt i livadheve, gurgullima e krojeve ara, burime, pemë frutore dhe njerëz të mirë. Në fillim të viteve ’70 ishte një vendbanim plot gjallëri, por sot e boshatisur nga banorët drejt qëndrave të mëdha urbane, sepse jeta aty ishte bërë e vështirë, nga politika e mbrapsht që e shpopulloi.

Zbritëm të shpenguar shpatit të kodrës ku shtrihej Mollagjeshi, duke marrë pas vetes aromën e mollëve dhe peizazhin me plot ngjyra, që të mbush me ajër, më shumë se sa ato që shtrihen gjithmonë afër nesh, të uzurpuara nga gllabërues e përfitues të natyrës sonë të bukur e tërheqëse.