Gëzim Llojdia: Gusmari, panorama mes mes qiellit, humnerave dhe historive të lashta

Gëzim Llojdia

Por përtej kësaj bukurie, rruga mbetet e pambrojtur dhe e lodhur nga koha. Ajo kërkon ndërhyrje, riasfaltim dhe mbrojtëse anësore.Ngase në shumë vende fundi i saj të shpie drejt e në kanione.Ato gremina të thella,të habitshme dhe të bukura e të frikshme ku natyra e Kurveleshit shfaqet njëkohësisht madhështore dhe e rrezikshme, si një kujtim i gjallë i forcës së maleve.

1.Për të shkuar në Gusmar, sot ndiqet rruga e re Kuç deri te Lapidari i Gusmarit. Është një rrugë e shtruar me asfalt të zi,Ajo udhë që gjarpëron mes maleve dhe përshkon Shurrin e Kuçit. Është një udhë e bukur .Por gjithsesi mbetet e ngushtë.dhe e tëra e mbështetur herë pas here mbi shpatet e thepisura të vargmaleve. Teksa e përshkon, nuk mund të mos të kujtojë rrugët alpine, që ecin mes qiellit dhe humnerave…

Çdo kthesë e saj hap një panoramë të re. Herë shfaqen maja të larta të mbuluara me gjelbërim, herë lugina të thella që humbasin në horizont. Ajri është i pastër dhe i freskët.Dhe sec ka një heshtja të maleve.A mbart histori të lashta, të ruajtura brez pas brezi në kujtesën e banorëve të kësaj treve?

NOA

Po historia e Gjonlekës.

Dhe udhëtimi i Andon Zakos që thotë:Grykë e Kuçit kush ka shkuar/ dhe gjaku si ka qëndruar,/udhëtari nga të vej mal andej e mal këtej…Këtë rrugë, ose më mirë të them këtë shteg mali, e kam përshkuar dhjetëra herë në fëmijëri.Blegtoria kulloste në Radë ose në Shurr, te Shkëmbi i Kuq i Bletës, dhe ne shkonim në dajo. Vendi ishte i egër dhe i thepisur. Shkëmbinjtë ngriheshin madhështorë mbi shtigje të ngushta, ndërsa poshtë tyre hapeshin gremina që sot të ngjallin drithërima. Por atëherë nuk e njihnim frikën. Mosha e fëmijërisë ka një forcë të çuditshme i sheh pengesat si aventura dhe vështirësitë si lojë.Sot, kur kaloj përsëri nëpër ato vende, ndalem dhe i vështroj me sy tjetër. Shpatet më duken më të pjerrëta, greminat më të thella dhe rruga më e rrezikshme…Ndoshta nuk ka ndryshuar vendi, por kemi ndryshuar ne.Megjithatë, sa herë e përshkoj këtë rrugë, ndiej se po rikthehem në një pjesë të jetës sime. Çdo kthesë atje tj , çdo shkëmb dhe çdo shteg zgjon kujtime të hershme, që koha nuk ka mundur t’i fshijë. Malet vazhdojnë të qëndrojnë po aty, krenare dhe të heshtura, si rojtarë të kujtimeve të një brezi të tërë.

2.Pse quhet Shurr i Kuçe e gjithë ajo hapësirë e mbuluar me gurë të bardhë? Ndoshta emri ka lindur nga vetë natyra e vendit, nga përroi që në stinët e thata duket i qetë por që në dimër shndërrohet në një lum të furishëm. Megjithatë, vitet e fundit fuqia e tij duket se ka rënë. Ujërat nuk janë më ato që kanë qenë dikur dhe burimet po pakësohen vit pas viti.

Lumi i Kuçit ka disa burime dhe studiues të ndryshëm kanë lënë shënime e përshkrime shkencore mbi rrjedhën dhe veçoritë e tij. Por unë nuk dua të ndalem te faktet shkencore.Dua të flas për atë që nuk matet me instrumente dhe nuk shpjegohet me formula…Dua të flas për mistiken, për energjinë e padukshme që banorët e vjetër besonin se jetonte në këto ujëra.

Thuhet se në kohët e hershme ky lum quhej i shenjtë. Legjendat e zonës tregojnë se këto ujëra mbartnin një energji të veçantë. Ato nuk shuanin vetëm etjen e trupit, por edhe lodhjen e shpirtit. Njerëzit besonin se burimet e bekuara e ndihmonin njeriun të jetonte më gjatë, të ishte më i fortë dhe më i lidhur me tokën ku kishte lindur.Sot, kur shohim se edhe burimet e Lumit të Kuçit po pakësohen, pyesin veten nëse historia po përsëritet.Ndoshta kjo është vetëm një legjendë. Ndoshta është një mënyrë e të parëve tanë për të na kujtuar se natyra duhet respektuar. Por një gjë mbetet e vërtetë: ujërat e këtyre maleve kanë ushqyer breza të tërë njerëzish. Kanë rritur burra të fortë, trima e luftëtarë, që nuk iu trembën vështirësive të jetës. Banorët e kësaj ane besonin se forca e tyre nuk vinte vetëm nga mali dhe puna e rëndë, por edhe nga uji që pinin çdo ditë.Prandaj, kur qëndron pranë këtyre burimeve të ftohta e të kristalta, e kupton se ato janë më shumë se ujë. Ato janë kujtesa dhe historia , besim dhe jetë. Janë një lidhje e padukshme mes njeriut, natyrës dhe Zotit. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, për breza me radhë, ato janë quajtur ujëra të shenjta.

3.Sapo rruga fillon të marrë tatëpjetën, vëren se ujërat janë futur në një kanal ndërtuar dikur nga bonifikimi. Kanali është hapur në faqen lindore të malit, i gdhendur mes shkëmbinjve dhe duke përshkuar një territor të ashpër. Edhe sot ai dëshmon për përpjekjet e njerëzve për ta vënë natyrën në shërbim të jetës dhe të punës.

…Pak më tej më del përpara Radi.Dikur ishte një vendbanim i vogël, me pak shtëpi e me pak njerëz, por me shumë histori. Në anën e majtë të tij dallohet ende një rrugë e vjetër me kalldrëm, e cila zbret nga Valthi. Gurët e saj, të vendosur me mundim nga duart e njerëzve të dikurshëm, vazhdojnë t’u rezistojnë viteve dhe stinëve. Pranë saj gjendet edhe një burim i madh. Nuk është nga ata burime që rrjedhin qetësisht, por nga toka shpërthen një sasi e madhe uji, sikur vetë mali të marrë frymë përmes tij.Edhe Radi më duket se ka ndryshuar. Dikur, kur ngjiteshe drejt tij, të krijohej përshtypja e një vendi të egër e të thepisur. Sot relievi më duket më i butë, sikur mali të jetë ulur disi. Ndoshta është e vërtetë, ndoshta është vetëm një ndjesi e krijuar nga koha dhe kujtimet, por ndryshimi të bie në sy.Rruga vazhdon më tej drejt Zarelit. Përballë shfaqet Shkëmbi i Bletës. E kisha harruar ngjyrën e tij të pazakontë, një të kuqe të ndezur, si hekuri.Kur kalon këto vise, kujtimet të kthehen vetvetiu. Dikur, në atë thatësirë të madhe, ujërat gjendeshin poshtë.Më kujtohet se në atë luginë me gurë të tharë ndodhej një krua që quhej Kroi i Kasëmit. Uji i tij ishte i kthjellët si kristali dhe me një ngjyrë të lehtë qelibari. Pasi kishim ecur gjatë, pinim aty derisa shuanim etjen për të vazhduar rrugën.Më pas ngjiteshim drejt Qafës së Këmbëzit. Ishte një e përpjetë e fortë, që ngrihej dhjetëra metra mbi luginë Sot rruga është përmirësuar dhe është ndërtuar me kthesa që e bëjnë ngjitjen më të lehtë. Janë vendosur edhe barriera mbrojtëse, por sërish mbetet një segment që do të duhej të ishte më i gjerë. Në disa vende rreziku ndihet ende, sidomos kur në kthesat e ngushta përballesh me automjete të mëdha apo foristrada që zbresin nga mali.Por sapo arrin në majë. Të duket sikur je ngjitur me ashensor nga një botë në tjetrën. Panorama hapet e gjerë dhe ajri bëhet më i freskët. Pikërisht aty, në Qafën e Këmbëzit, hyn zyrtarisht në Kurveleshin e Sipërm, në një krahinë që ruan ende krenarinë, historinë dhe madhështinë e maleve të saj.Dikur në atë qafë rriteshin e lulëzonin shkurre lajthish të egra,. Në pranverë ato mbusheshin me gjelbërim, ndërsa në vjeshtë gjethet e tyre merrnin ngjyra të arta e të kuqërremta, duke e bërë peizazhin edhe më të bukur. Pak më tej shtrihej një liqen i vogël.Më kujtohet se, kur udhëtonim drejt fshatit Progonat vite më parë, në atë vend pamë disa buldozerë që punonin mes shkëmbinjve e terrenit të thyer. Zhurma e motorëve dëgjohej larg, ndërsa makineritë hapnin e zhvendosnin masive dheu e gurjet. Po ndërtohej një ujëmbledhës që do të grumbullonte ujërat e shirave dhe do t’i vinte në ndihmë jetës së asaj treve. Ishte një përpjekje për t’i dhënë më shumë gjelbërim dhe më shumë mundësi një zone ku toka pjellore ka qenë gjithmonë e pakët.Kurveleshi i Sipërm është një krahinë e ashpër malore. Kudo shtrihen shpate shkëmbore, gryka dhe kreshta të zhveshura, ndërsa parcelat e tokës bujqësore janë të rralla.Prandaj ndërtimi i atij liqeni u pa si një zgjidhje e rëndësishme dhe si një investim që do t’i shërbente brezave.Megjithatë, natyra dhe kushtet gjeologjike të zonës duket se nuk u nënshtruan lehtë planeve të njerëzve. Liqeni kishte një mangësi të madhe: nuk arrinte ta mbante ujin. Gjatë dimrit, kur shirat binin me bollëk dhe lloherat zbresnin me vrull nga shpatet e maleve, ujëmbledhësi mbushej shpejt. Sipërfaqja e tij shkëlqente nën dritën e diellit dhe të krijonte përshtypjen se më në fund problemi ishte zgjidhur. Por me kalimin e ditëve niveli i ujit binte vazhdimisht. Uji humbiste diku në thellësi, sikur toka e etur ta thithte pa pushim.

Thuhej se specialistët kishin shtruar në fundin e rezervuarit një shtresë plastike të posaçme për të penguar depërtimin e ujit. U bënë përpjekje, u shpenzuan mjete dhe u harxhua punë e madhe, por rezultati mbeti i njëjtë. Liqeni vazhdonte historinë e tij të vjetër.

Miniera.Në Qafën e Këmbëzit dikur ishte një minierë fosfori. Miniera është në anën e kundërtë të udhës. Sot, për të zbritur te miniera e kupton se sa e vështirë duhet të ketë qenë ndërtimi. Faqja e malit është tepër e pjerrët, me shkëmbinj, që bien pothuajse pingul mbi luginë. Pikërisht në atë shpat të egër ishte hapur galeria kryesore.Nuk e mësova kurrë se kur pushoi së funksionuari miniera. Dhe cilat qenë arsyet e braktisjes së saj. Ndoshta rezervat e mineralit u pakësuan.Ndoshta kostoja e nxjerrjes u bë e papërballueshmeMë kujtohet se në vitet 80, kur ishim ende nxënës, shkuam në Gusmar. U futëm në hyrjen e galerisë dhe nisëm të ecim me kujdes në errësirën e saj. Brenda pamë disa vagonë të vegjël metalikë, të mbetur mbi shina. Tuneli zgjatej përpara nesh, duke humbur në errësirën e thellë të malit.Megjithëse jashtë mbretëronte zagushia dhe dielli përvëlonte gurët e shpatit, brenda galerisë ndihej një freski pothuajse dimërore. Ajri ishte i lagësht dhe i ftohtë, ndërsa heshtja krijonte një ndjenjë misterioze.Nuk pamë asnjë punëtor, nuk dëgjuam zhurmë makinerish apo trokitje veglash. Dukej sikur koha kishte ndalur aty brenda. Vagonët, shinat dhe galeria e gjatë rrinin si dëshmi të një aktiviteti në atë cep të Kurveleshit.Sot nuk di të them se cili ishte fati i saj.Duhej shkuar atje.Por duhej bërë udhë në këmbë. Ndoshta galeria ka mbetur si atëherë e braktisura në errësirë.

4.Fshati.Në Gusmar kam shkuar të paktën dy herë, në kohën e sistemit të vjetër. E kujtoj ende një ditë vjeshte, kur në atë krahinë të thellë të Kurveleshit zhvillohej ,Festa. Ishte fundi i nëntorit, një kohë kur malet tashmë kishin filluar të rëndoheshin nga i ftohti dhe era zbriste nga qafat si një frymë e ashpër dimri.Megjithatë, fshati atë ditë ishte i gjallë si rrallëherë. Kishte ardhur njerëz nga gjithë Labëria. Disa të veshur me kostume popullore. Flamujt valëviteshin në ajrin e ftohtë, këngët polifonike ngriheshin. Ishte një festë që i jepte jetë gurit dhe erës.Më vonë dëgjova se Festa e Çlirimit nuk zhvillohej më në Gusmar, por ishte zhvendosur në Buronjat e Kuçit, më 25 qershor.Herën e dytë shkova me shkollën. Fshati më u duk ndryshe. Nuk ishte më ai vend i largët dhe i thjeshtë që kisha mbajtur në mend, por një hapësirë më e heshtur, më e thellë në vetvete. Rruga që zbriste drejt Nivicës dukej sikur humbiste nëpër shpate të pjerrëta, duke u tretur nëpër gremina dhe kanione që hapeshin papritur poshtë.Aso kohe te shkolla na priti një mësues i ri, sapo i diplomuar. Ajo shkollë më ka mbetur e ngulitur në kujtesë: një ndërtesë e vogël, me dritare të vjetra, me mure guri që mbanin mbi vete peshën e viteve.Sot, kur rikthehem në Gusmar, gjithçka më duket e ndryshuar. Fshati ka marrë një tjetër frymëmarrje. Shtëpitë janë rrethuar me pemë dhe gjelbërim, ndërsa rrugët i përshkon një qetësi që nuk e kisha parë më parë. Herë pas here kalojnë turistë, të tërhequr nga bukuria e egër e natyrës, që vazhdojnë rrugën drejt Nivicës.

Por përtej kësaj bukurie, rruga mbetet e pambrojtur dhe e lodhur nga koha. Ajo kërkon ndërhyrje, riasfaltim dhe mbrojtëse anësore.Ngase në shumë vende fundi i saj të shpie drejt e në kanione.Ato gremina të thella,të habitshme dhe të bukura e të frikshme ku natyra e Kurveleshit shfaqet njëkohësisht madhështore dhe e rrezikshme, si një kujtim i gjallë i forcës së maleve.