Gëzim Loka:   Dita e Lurës, ku mori udhë malli dhe gëzimi ynë lurian…  

168
Sigal

Reportazh/ Çeku Pavel Kume, kishte ardhur nga Çekia për të drejtuar një aksion për pyllëzimin e Lurës

 

Dita e Lurës nisi një ditë para, të shtunën në Tiranë, me një grup miqsh lurianë e jo lurianë. Konkretisht nisi në një takim të përzemërt me mikun e Lurës, sekretarin e përgjithshëm të shoqatës “Tirana” Skënder Farka, një nga dashamirët dhe ndihmësit aktivë të krahinës sonë gjatë këtyre viteve të fundit.

Gjithashtu takime me miq, shkrimtarë, gazetarë, ndjekës të turizmit malorë, me të cilët shpesh ndaj mendime dhe qasje për Lurën tonë.

Më 25 shtator u nisëm nga Tirana unë me një grup intelektualësh, shkrimtarësh dhe udhëtarësh të apasionuar të botës shqiptare. Kishin ardhur nga Berati, Tirana, nën drejtimin e shkrimtares dhe moderatores së talentuar Flora Agolli, bashkë me Luljeta Mullai, Bashkim Kullau, Hysen Hysa, Ibrahim Kabili.

Në mikrobuz nisi biseda e zjarrtë, pozimet me foto kudo ku ndaleshim gjatë udhëtimit, ku gjatë gjithë kohës në fokus ishte Lura jonë.

Gjatë rrugës pimë dy kafe pune, njërën në Rrëshen e tjetrën në Kurbnesh, ku rishtas, herë -herë me humor e alegri të paparë, shkonte ku shkonte fjala rrotullohej rreth Lurës sonë, e cila po na priste solemnisht, mbështjellë me emocionin e pritjes së bijve.

Në orën 13 arritëm në Lurë ku na pritën me gëzim e dashuri  kryetari i Shoqatës “Lura jonë” Dali Gjoçi dhe kryetari i Veteranëve të Lurës Nikollë Vladi. Qenë mbledhur dhe shumë lurianë dhe veprimtaria nisi që aty, me këngë e valle shtruar aty në shesh, ku ende s’kishte ardhur Dita e Lurës, por festa dhe gëzimi lexoheshin në sytë e të gjithë lurianëve.

Një kafe në kafenenë e Faik Bucit, ku na shërbeu me shumë dashamirësi djali i Faikut, Shpëtim Buci, na bëri që ta mbledhim veten nga rruga e lodhshme dhe të niste rishtas me pasion e përkushtim rrjedha e muhabeteve të holla luriane.

Miqtë ndiheshin shumë mirë dhe u përfshinë në humorin lurian, sikur të kishin lindur e të qenë rritur këtu, në këto pragje kullash…

Këngët dhe alegria vazhduan për një kohë të gjatë, për të vijuar më tej tek lokali i Rrush Hotit, ku qëndruam deri në orën 11 të natës.

Shkuam për të fjetur në hotelin e Hasan Hotit ku miqtë mbetën të kënaqur me kushtet dhe shërbimin e ofruar.

Të nesërmen, pas kafesë së mëngjesit, në orën 10 nisi Dita e Lurës, ceremonia zyrtare. Dali Gjoçi, kryetari i Shoqatës “Lura jonë”, në fjalën e tij të hapjes, uroi gjithë lurianët dhe mysafirët ditë të mbarë dhe suksese në këtë veprimtari.

Referatin kryesor e mbajta unë, autori i këtyre radhëve, Gëzim Loka. Folën në vijim Flora Agolli, që me pathos foli për këtë krahinë kaq mikpritëse dhe me njerëz të zgjuar, më tej Hysen Hysa, që u ndal tek bukuritë e Lurës, si një nga mrekullitë më të bukura shqiptare e evropiane. Luljeta Mullai foli për mrekullinë që natyra ka ujdisur në dheun lurian, për gjurmët e historisë nëpër kohërat luriane. Bashkim Kullau, që erdhi nga Berati, foli me zemër në dorë dhe i emocionuar nga pamja që kishte përpara syve, një bukuri e hazdisur alpine, siç e quajti ai Lurën tonë. Ibrahim Kabili u ndal tek mikpritja, kjo dhunti e njerëzve fisnikë, që udhëhiqen nga kararet e dheut lurian dhe ia japin mikut zemrën në dorë.

Më tej diskutuan kryetari i Veteranëve të Lurës, Nikollë Vladi, i cili u ndal tek rëndësia e Ditës së Lurës dhe mesazhet që kjo ditë e lumnueme jep ndër lurianë e jo lurianë, ndër turistë e miq të Lurës.

Diskutuan gjithashtu ish kryetari i komunës Lurë, Haki Gjokola, që u ndal në vlerat e traditave dhe zakoneve luriane të ardhura nga brezi në brez. Lazam Kaci foli për kodet e burrnisë luriane, për historinë e lashtë dhe të re të Lurës, që i kanë rrënjët në këto pragje kullash, që siç tha ai duhen mbajtur në këmbë e rindërtuar.

Fjalën e mbylljes e mbajta përsëri unë, me cilësinë e iniciatorit dhe moderatorit të kësaj veprimtarie dhe të kryeredaktorit dhe botuesit të gazetës “Lura”.

Maliq Buci me të shoqen kishin ardhur nga Tirana si dhe shumë të tjerë, që me praninë e tyre e bënë më të bukur Ditën e Lurës.

Ishte i pranishëm në Ditën e Lurës përfaqësuesi i njësisë administrative Lurë, Mali Hoti.

Në Ditën e Lurës morën pjesë: Dali Gjoçi, Nikollë Vladi, Maliq Hoti, Fatos Deda, Rrush Hoti, Ilir Lila, Ali Koçeku, Xhafer Hoti, Haki Gjokola, Ylli Gjoçi, Asllan Dodgjini, Hamdi Buci, Rustem Bruçi, Hasan Hoti, Mitat Buci, Selman Bruçi, Maliq Buci, Isuf Dodgjini, Agim Gjoçi, Lazam Kaci, Lavdrim Haldeda, Hasan Neka,Halit Buci Suleman Hoti (Ceni )

Shpëtim Buci që na mori me furgon nga Tirana, na shoqëroi dhe na shërbeu në lokalin e tij me shumë përkushtim e bujari, Selim Buci, Lik Skana, Shefqet Buci.

Edhe ajo ditë kaloi me alegri, humor, këngë e valle, ku shkëlqyen me batutat, humorin dhe poetikën e tyre grupi i të ardhurve nga Tirana, më në krye Flora Agollin, e cila ishte shpirti dhe zemra e kësaj veprimtarie të bukur.

Të nesërmen, para se të niseshim për në Tiranë, u takuam dhe patëm një bashkëbisedim shumë të ngrohtë me Llesh Doçin, shkrimtar, poet, biznesmen, drejtori i shkollës “Dom Nikollë Kaçorri”, i cili na priti dhe na sajdisi me shumë dashamirësi në lokalin e tij të ndërtuar me shumë shije. Takuam këtu dhe Kastriot Doçin, mësuesin lurian, që gjithashtu është njeri i fjalës dhe i humorit dhe e do shumë Lurën, ku po kontribuon me të gjitha mundësitë e tij.

Patëm një takim mbresëlënës dhe me çekun Pavel Kume, i cili kishte ardhur që nga Çekia për të drejtuar një aksion për pyllëzimin e Lurës, mision që kishte disa kohë që e kryente me shumë përkushtim e fisnikëri dhe ndihej i mrekulluar nga magjitë e natyrës luriane. Çeku shoqërohej nga inxhinieri i talentuar i pyjeve Ymer Mena.

Të gjithë të ardhurit, siç ishim,pasi u përshëndetëm me lurasit që na pritën me aq gëzim e dashuri, u nisëm për në Tiranë, rishtas me këngë e humor dhe me Lurën në fokus të të gjitha bisedave tona.