Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Xhaferri: Hiri i dashurisë

 

HIRI I DASHURIVE

Sigal

Digjet hëna ngjyrë argjendi,

Diku fshehur pas një mali,

Digjet buza e një vajze,

Digjet zemra e një djali.

Digjen yjet nëpër net,

Digjen ëndrrat brenda gjirit,

Digjet shpirti Shën Marisë,

Porsi flaka e qiririt.

Digjet burri për një grua,

Ndaj dhe letra shpesh i nis,

Mbi pëllëmbën e një lisi,

Digjet gjethja e hardhisë.

Digjet vjeshta e bekuar,

Dhe vërtit gjethet në erë,

Digjet rrushi nëpër vreshta,

Mezi pret të bëhet verë.

Digjen gjethet e një bliri,

Digjet bari në korie,

Digjet zemra e një nëne,

Për njëmijë e një arsye.

Digjen hëna e argjentë

Diku fshehur pas një mali

Digjen buza e nje vajze,

Digjet zemra e një djali….

 

Është i madh Atdheu

Është i madh Atdheu, shumë i madh,

Me fusha, me qiej, me re.

Megjithatë, ne mund t’i nxejmë të gjitha në kraharor,

Se është Atdhe.

Është i madh Atdheu, eh sa i madh,

Me lumenjtë, me detet, me brigjet dhe dallgët.

Por ne mund t’i mbajmë të gjitha në kraharor.

Mund të mbajmë edhe dëshmorët, këngët, plagët.

Është i madh Atdheu, shumë i madh,

Me malet e larta, me krye përpjetë.

Megjithatë, mund të përqafohet me dy duar,

Siç përqafohet diçka e shenjtë.

Po, po, është i madh Atdheu ynë.

Është e shenjtë kjo tokë, këto vende.

Prandaj mos vono.

Bëji një vend Atdheut atje ku ke zemrën tënde.

Është i madh Atdheu, shumë i madh,

Me fusha, me qiej, me re.

Megjithatë, ne mund t’i nxejmë të gjitha në kraharor,

Se është Atdhe