Takimi i Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, Bardhi: Parlamenti refuzon komisionet hetimore, opozitës po i mohohen instrumentet e kontrollit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur shqetësimin për funksionimin e Parlamentit dhe rolin e opozitës në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, Bardhi tha se integrimi europian nuk duhet të jetë thjesht një proces i miratimit të ligjeve, por duhet të shoqërohet me transformimin e institucioneve demokratike.

Sigal

Sipas Bardhit, Parlamenti duhet të garantojë jo vetëm përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, por edhe zbatimin e ligjeve, kontrollin mbi qeverinë dhe përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në procesin e reformave.
Ai u shpreh se shqetësimet për dobësimin e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin janë evidentuar edhe në nivel europian dhe se këto problematika duhet të adresohen edhe nga parlamentarët shqiptarë.

“Edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë i jep pakicës parlamentare të drejtën të kontrollojë Qeverinë, në realitet kjo e drejtë mohohet”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, gjatë vitit të parë të kësaj legjislature, opozita ka paraqitur shtatë kërkesa për interpelanca apo llogaridhënie me kryeministrin, të cilat, sipas Bardhit, nuk janë pranuar. Ai pretendoi se kjo ka kufizuar mundësinë e opozitës për të ushtruar funksionin e saj të kontrollit parlamentar.

Bardhi ngriti gjithashtu çështjen e komisioneve hetimore. Ai tha se opozita ka paraqitur gjashtë kërkesa për ngritjen e komisioneve të tilla gjatë kësaj legjislature dhe se, sipas tij, asnjëra nuk është miratuar nga mazhoranca.