Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar i PDK-së ka proceduar në Kuvend kërkesën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Hamza tha se Kosova po kalon ditë të vështira dhe se protestat e qytetarëve kundër vendimeve të Gjykatës Speciale nuk mund të injorohen. Sipas tij, as Kuvendi i Kosovës nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk ka ndikim në vend.
“Kjo gjykatë nuk është imponuar nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por është krijuar me Kushtetutën dhe ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës”, deklaroi Hamza.
Ai u shpreh se procesi që çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara nisi me raportin e Dick Martyt dhe rezolutën e Këshillit të Evropës, ku, sipas tij, në qendër të vëmendjes ishin pretendime të rënda ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj.
“Kosova mori një vendim të vështirë dhe veproi me bindjen se nuk kishte asgjë për të fshehur. Sot, pas më shumë se një dekade, ekziston një fakt që kërkon përgjigje. Në Dhomat e Specializuara nuk është ngritur një rast lidhur me pretendimet e Martyt”, tha Hamza.






















