Një deklaratë e papritur dhe me tone të forta e kryeministrit Edi Rama nga Nju Jorku ka tërhequr vëmendjen, pasi ai kritikoi hapur ish-presidentin amerikan Joe Biden dhe Shtetet e Bashkuara për mënyrën se si, sipas tij, u trajtua çështja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili javën e kaluar u dënua nga Dhomat e Specializuara në Hagë me 25 vite burg për krime lufte.
Gjatë fjalës së mbajtur në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, Rama deklaroi se SHBA-të mund të kishin bërë më shumë për të mos lejuar nisjen e procesit që çoi në dënimin e Thaçit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Rama përdori tone të forta ndaj ish-presidentit amerikan Joe Biden, duke thënë se Thaçi ishte “tradhtuar” nga një vend që, sipas tij, duhej ta kishte mbështetur më shumë.
“Hashim Thaçi nuk është me ne këtu, sepse ky vend e tradhtoi. Joe Biden, që e emërtoi ‘George Washingtonin e Kosovës’, e tradhtoi. Edhe pse Gjenerali Clark dhe disa miq të shkëlqyer amerikanë bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin”, u shpreh Rama.





















