Suplementi Pena Shqiptare/ Maks Velo, viktimë e pikturave të paekspozuara në publik

315
Sigal

Kujtesë në prag të  ditëlindjes së diktatorit komunist Enver Hoxha

Letërsi e shkruar në burgjet enveriste   

    

Parafytyroni  Maks Velon , kur thotë: “Nuk kish vend më të mirë për të pritur vdekjen e Enver Hoxhës se sa në burgun e Spaçit. Zor se mund të gjeje kaq njerëz të lumtur në këtë moment se këtu në burg. Burgu nuk ka kaluar asnjë herë një gëzim të tillë.

 

Lajmi i vdekjes së Enver Hoxhës në burgun e Spaçit

Në burg parrulla ka sa të duash, por fotografinë e Hoxhës nuk e kemi. Kjo gjë sikur përcakton  armiqësinë ndërmjet nesh dhe atij. Sikur do të thotë që të gjithë ne na ka futur Enveri në burg. Ky sikur e ndau këtë vend në miq dhe armiq. Armiqtë jemi ne. Mbaj mend si hetuesi mbas arrestimit, më dha të firmosë fletë-arrestin. Më këputi një grusht dhe më tha: ARMIK! Por deri më sot nuk kam arritur të kuptoj se amiku i kujt jam? Jam ulur dhe po ha bukë. Bëmë pushimin në një vend ku na zë dielli. Nga larg vjen një muzikë. Është altoparlanti para ndërmarrjes së shfrytëzimit. Po jep muzikë.  Mbasi dëgjoj me vëmendje kuptoj se është muzikë funebër. Në fillim nuk e përcaktova dot, pastaj mblodha veten…po, po është muzikë funebër. Këto pjesë jepen në çdo vdekje. Bethoven Sinfonia Nr 3, koha e dytë dhe Sonata e Shopenit për piano në Sibemol Minor. Është e vërtetë apo rastësi? Mbledh veten dhe jam i vëmendshëm… Ne presim vetëm një vdekje, mbi çdo gjë, mbi çdo vdekje, vdekjen e një njeriu. Kemi kaq kohë që e presim! Për herë të parë dëgjova që ai ishte keq në dhjetor 1973. Atë muaj pas mbledhjes së kolektivit, në byronë e projektimit ku punoja, më larguan nga Tirana dhe më çuan në fshatin Ndroq.

Duke shkuar me autobus, më zuri veshi se ai kish pësuar infarkt. Ndenji shtrirë dy muaj. Pastaj dëgjonim se është  me diabet, në gjendje të rëndë diabetike… por ai si për inatin tonë, vazhdonte të rronte e vazhdonte të dilte në parada, në kongrese; buzëqeshur duke tundur dorën. Që kur kam ardhur këtu në Spaç përsërit: Do të vdesë sot, do të vdesë nesër! Por kaluan shtatë vjet dhe ai pushkatoi gjysmën  e Byrosë Politike. More këta të Byrosë ishalla i zhduk të gjithë, se vetë e kishin fajin, po me ne ç’pati? Kampi ka vajtur sa s’mban më, 1200 veta. Jam në një gjendje që nuk më besohet se do të vdesë kurrë! Se ka për të na varrosur të gjithëve dhe për vete do të qëndrojë ashtu si kufomë, por do të qëndrojë me dorën përpara. Nganjëherë më zë frika se ky përbindësh është i pavdekshëm…Dëgjoj me kujdes i përqendruar. Muzika funebre vazhdon. Pastaj shoh lëvizje makinash, oficerësh. Rojet u dyfishuan. Rojet venë helmetat mbi kokë: Domethënë gjendje alarmi. Polici Mark na mbledh, na jep urdhër të lemë punën. Pastaj vjen urdhëri të kthehemi në kamp. Ora është njëmbëdhjetë e tridhjetë minuta. Kur dalim në rrugë shohim se po kthehen të gjitha brigadat. Asnjëri nuk thotë asgjë dhe çdo gjë nënkuptohet. Është një gjë e pritur gjatë, shumë gjatë…që në një moment bëhet realitet. Dhe ty  nuk të besohet akoma. Jemi afruar të gjithë afër kapanoneve tek përroi. Altoparlanti i vendosur në çatinë e mencës fillon lajmet. Heshtje pritëse. Spikeri jep lajmin e vdekjes të Enver Hoxhës. Asgjë tjetër nuk më ka gëzuar më tepër ndonjëherë se ky lajm.

Vdekjen e tij e shijova këtu në kampin e Spaçit, kampi më i tmerrshëm i Evropës dhe besoj i botës në këtë periudhë. Nuk mund të gjeje vend më të përshtatshëm se kampi ynë për të dëgjuar këtë lajm të shkurtër. Zor se mund të gjeje kaq njerëz  të lumtur në këtë moment se këtu në kampin e Spaçit. Njerëzit pasi kanë dëgjuar lajmin lëvizin lart e poshtë. Të burgosurit hiqen sikur nuk u ka bërë asnjë përshtypje lajmi. Gjendja tensionohet papritur. Ata e dinë mirë që në burg janë njerëzit që e urrejnë më shumë Enver Hoxhën. Papritur kampet politike vihen në qendër të vëmendjes. Kanë kujdes mos shpërthejë ndonjë revoltë.

Ne ishim armiqtë e tij. Kështu na kishte deklaruar në Kongresin e Partisë: “Armiq të popullit”. Ky ishte titulli ynë. Këtë titull e kemi merituar me vuajtje të panumërta dhe nuk e lëshojmë. Vetëm se më kot ai thoshte se ne ishim Armiqtë e Popullit. Ne ishim armiqtë e tij dhe të komunizmit. Kjo po, ishte e vërtetë.

…Në taracë po shetit Beqir Alia me dy shokë inxhinierë. Janë grupi “sabotues” i naftës; aty te shkallët janë ulur revizionistët; matanë tek stoli po diskutojnë grupi “sabotues” i bunkerëve; tek dera e mencës del Vasili me Kocin nga grupi i polakëve. Gruaja e Vasilit, polake, që u akuzua dhe u dënua si kryetare e grupit u lirua si e pafajshme nën presionin e shtetit polak, kurse të gjithë pjestarët e tjerë të grupit vazhdojnë burgun. Mbasdite na mblodhën në mencë. Të gjithë rrinë të shkujdesur. Asnjë emocion. Nuk u lëviz asnjë muskul. Jemi shndërruar në aktorë të vërtetë. Komisari lexon një telegram ngushëllimi që do t’i dërgohet KQ të Partisë. Kush ka pyetje ?  A. u çua dhe tha: “Zoti komisar, dua të vete në varrin e Enver Hoxhës dhe t’i vë një tufë me lule”. Ne ulëm kokat se nuk qeshnim dot. Mbas mbledhjes, ulur në stolat e mencës po mendoj: Ky diktator e shkatërroi vendin e vet si asnjë pushtues në histori. Diktatorët në fillim marrin pushtetin dhe pastaj diktojnë gjithë jetën ekonomike dhe politike. Dhe dal ngadalë besojnë dhe vetë se janë gjeni. Atëhere kur besojnë gjeninë e tyre, i drejtohen artit që t’i përjetësojë. Enver Hoxha, si gjithë diktatorët hiqej si mik i artit dhe artistëve. Bile muajin e tij të lindjes, tetorin e caktoi si muajin e letërsisë dhe arteve. Në mbrëmje dal nga salla e televizorit dhe shkoj të rreshtohem për çajin e darkës. Një erë e lehtë si fllad po fryn. Sot ky kamp po më pëlqen! Vërtet nuk kishte vend më të mirë për të pritur vdekjen e Enver Hoxhës, se sa në Spaç. Më së fundi ia vlejnë këto vuajtje, ajo hetuesi, ky burg. Ka rëndësi ku të gjen çdo ngjarje, dhe mua vdekja e këtij kryemafiozi më gjeti këtu në Spaç. Kampi nuk ka kaluar asnjëherë një gëzim të tillë.

Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës. Pasi mbaron gjimnazin,  vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Në vitin 1979 arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg. Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër edhe i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar. Maks Velo është autor i një sërë botimesh si vëllime me tregime: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, me mbresa të tmerrshme nga periudha e jetës në burg.   “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura ” etj. U nda nga jeta në Tiranë në 7 maj 2020.

Tregimet  nga jeta në  burg na krijojnë një imazh të qartë për burgun e tmerrshëm të Spaçit; burg ku kalonin dënimin të gjithë intelektualët që me idetë, mendimet, veprimarinë e tyre binin ndesh me politikën e Partisë në pushtet. Burg ku miopia dhe injoranca komuniste mendonte se me forma edukimi do t’u ndryshonte pikëpamjet për rregjimin gjakatar që kishte pushtuar gjithë vendin.

 

Citojmë disa fragmente:

  Tregimi “Parrullat”

…Ngado që të shkoje në kamp, të dilnin përpara parrulla. Ngjisje shkallët dhe në muret anash kishte nga dy parrulla; merrje kthesën përballë kishe tjetër parrullë; futeshe në menxë, po ajo gjë. Në sallën e televizorit, mbi dyert e hyrjes së dhomave, në korridoret, ballkonet ishin mbushur me parrulla. I vetmi vend ku mund të qetësoje sytë nga parrullat ishte guzhina. Ajo ishte sterrë nga tymi dhe të gjithë e dinin se këtu nuk mund të shkruhej asgjë… Kur doja të shpëtoja nga parrullat, shkoja dhe ulesha në një stol të guzhinës, mbështetesha mbas murit të ftohtë dhe hidhja sytë në murin e nxirrë me mëndje bëja ndonjë vizatim. Kjo më qetësonte.

Në çdo Kongres partie Enveri lëshonte një parrullë. Gjithë Shqipëria jetonte me këto parrulla, parrullat e ditës siç quheshin. Sipas kohës lexojmë:  Armiqtë në litar./ Rroftë shoku Tito. / Lavdi Marksizëm Leninizmit. / Bujqësia çështja e gjithë popullit. / Poshtë kulakët. / Poshtë Titoja. / Rroftë Bashkimi Sovjetik. / Klasa punëtore në pararojë. / Gruaja forcë e madhe e shoqërisë sonë. / Poshtë revizionizmi sovjetik. / Rinia është armata e partisë./ Rroftë Kina e Maocedunit. / Ushtri e popullit ushtar. / Poshtë imperializmi amerikan. / Shqipëria kockë e fortë që do t’i mbetet në fyt çdo armiku. / Parti Enver jemi gati kurdoherë. / Ta bëjmë fshatin si qytetin. / Me forcat tona. / Lart frymën revolucionare. / Në një dorë kazmën, në tjetrën pushkën. / T’u qepemi maleve, t’i bëjmë pjellore si fushat. / Poshtë revizionizmi kinez. / Feja opium për popullin. / Jugu të ndihmojë veriun. / Arti perëndimor, pilulë e helmuar. / Kombinati metalurgjik, çlirimi i dytë i Shqipërisë. / Lufta e klasave motorri i lëvizjes së shoqërisë etj. Mirëpo në burg këto parrulla tingëllonin fallco dhe në kontrapunt me ambientin. Të gjithë bënim sikur nuk i shihnim  dhe kur i ngrinim sytë i hiqnim prej andej me një buzëqeshje dhe ironi të lehtë. Të burgosurit shihnin me indiferencë dhe shpesh kishte edhe antiparrulla.

Tregimi “Ora Politike”

Gjëja më absurde ishte edukimi politik. Ishte një gjë e sforcuar dhe e kotë. Ne që quheshim armiqtë e rregjimit, armiqtë e rrezikshëm me potencë, përderisa na kishin burgosur, donin të na edukonin, sikur të ishim një tufëe shkollarësh. Kryesorja në burg ishte: dhuna, pastaj ishte shfrytëzimi i pamëshirshëm fizik dhe i fundit riedukimi. Një hipokrizi të tillë nuk bënte asnjë shtet. E bënin kinezët riedukimin, por ata e besonin. Gjithmonë e kam pyetur veten, megjithë mend Ministria e Brendshme besonte se mund të behej një farë riedukimi?  Listat e punës shpalleshin çdo fillim muaji. Organizimi i orës politike bëhej me zona dhe brigada pune, ku çdo brigadë duhej të grumbullohej në një dhomë fjetjeje… Lexoheshin artikuj gazetash, për më tepër veprat e Enverit. Këto orë leximi ishin torturë e vërtetë. Kështu torturohej e gjithë Shqipëria. Propaganda ishte si një drogë e detyruar për të gjithë kombin. Sa më tepër i dëgjoje me vemendje, aq më tepër bindeshe për gabimet fatale të këtij sistemi; për ecjen e çmendur drejt një gremine, që nuk dihej se kur do i dilte përpara këtij vendi, por që do t’i dilte do t’i dilte patjetër përpara. Dhe atëhere ky socializmi shkencor i Enverit do të qorollisej. Një rrëzim do ta kish patjetër ky komb i drejtuar me djallëzi, nga një aluçinant mysliman.

 

Ministria e Brendshme jo vetëm me orët e edukimit nuk kishte asnjë rezultat, por edhe kur i premtohej të burgosurve politikë liria në këmbim të mohimit të bindjeve të gabuara ndaj politikës së drejtë të partisë, ata nuk pranonin. Qani Çollaku, vëllai i Heroit të Popullit Reshit Çollaku dhe i Dëshmorit të  Luftës Nacional –Çlirimtare Muharrem Çollaku i dërgon një letër Enver Hoxhës ku shpreh disa pakënaqësi lidhur me probleme të arsimit dhe artit. Për këtë letër u dënua me 7-vite burg për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor. I kërkuan disa herë tërheqjen e letrës, në këmbim të lirisë, por ai nuk pranoi. Intektuali i vërtetë nuk thyhej, por vazhdonte duke numëruar ditët në burg pa ndryshuar bindjet e tij. Ironia më e madhe është, se në demokraci, e bija punonte në administratën e Kuvendit Popullor dhe në vitin 1998, donin ta hiqnin nga puna. Vetëm me ndërhyrjen e Pjetër Arbnorit u anulua largimi i saj.