Suplementi Pena Shqiptare/ Bardhyl Agasi: Mbi librin e fundit me poezi të Myzejen Kondurit

62
Sigal

Ndoshta janë të pakët njerëz që e dinë (S3) se Myzejen Konduri është autore e 16 librave të botuar, njëmbedhjetë për fëmijë dhe pesë për të rritur. Libri i saj i botuar së fundi është një përmbledhje me poezi me titullin metaforik Drita e Mjegullës. I lexon të gjitha poezitë me një fryme, jo vetëm nga mënyra e të shkruarit, nga vargu i rrjedhshëm, nga muzikaliteti ritmik, nga gjuha e figurshme, nga sinqeriteti dhe thjeshtësia komunikuese, por dhe nga tematika e gjerë që pasqyrojnë dhe trajtojnë ato. Ndryshe nga shumë vëllime të botuara kohët e fundit, ku nuk ndjehet një tematikë e gjerë, sidomos nga ajo e aktualitetit, në vëllimin e Kondurit janë problemet e përditshme, lexuesi gjen vetvehten, aspektet e jetës së tij, shqetësimet e tij dhe të gjithë shoqërisë. Njeriu i thjeshtë, ai i ndershmi, që punon e mundohet për të mbajtur familjen, fëmijët e tij, qëndrimi ndaj dukurive negative të realitetit tone, ndaj korrupsionit, dhunës ndaj gruas, braktisjes së prindërve, largimi në masë i të rinjve, zvogëlimi i nxënësve në shkolla, lënia e punëve në fshat, rendja pas pasurisë, dhe deri në trajtimin e temave ndërkombëtare si lufta në Ukrainë, ajo e ngrohjes globale etj dhe gjithmonë ndjehet qëndrimi i saj qytetar, larg indiferencës..Poezitë me temë nga politika, që ende luan rol përçarës, ku partitë veprojnë si metastaza, tregojnë kthjelltësinë e mendimit të saj politik, paanshmërinë dhe objektivitetin në qëndrimet që mban.. Megjithatë ajo ngrihet kundër atyre që derdhin helm kundër vendit të vet, që të etur për pushtet cënojnë deri zgjedhjet e lira, vjedhjen e votës., Autorja me ton demaskues ngrihet ndaj atyre që shpërdorojnë besimin e popullit, shndërrohen në shpërdorues të pushtetit, zhyten në vese, shkëputen nga hallet e përditshme të njerëzve. Por poetja sqaron pozicionin e saj, ku ndaj pushtetarëve të tillë bën diferencim të tyre nga ata të ndershmit që punojnë e luftojnë me ndërgjegje për konsolidimin e demokracisë në vendin tonë,.

…I gjori burrë psherëtiu

dhe nuk foli.

Fytyra e shtetit

njollosur në fytyrën

e një horri…

Nuk mund të mos përfshiheshin në tematikën e librit të kësaj autoreje dhe ngjarje të tilla të mëdha si ajo e pandemisë dhe ajo e tërmetit që dhimbjen më të madhe e solli pikërisht në Durrësin e saj të dashur, duke marrë shumë jetë njerëzish. Plot ndjenjë mirënjohjeje ajo u drejtohet mjekëve, që u përpoqën deri në vetmohim dhe pacientëve u dhanë jetë të dytë, kur të gjithë në atë periudhë të rënduar tek ata i kishin zemrat dhe sytë. I gjithë vëllimi poetik përshkohet nga lirizmi i ngrohtë. Pamvarësisht problemeve shqetësuese të realitetit, notat e gëzimit të jetës, të dashurisë, miqësisë së pastër, solidaritetit, besimit tek një e ardhme më e bukur, tek rinia bëjnë që të ndjesh një optimizëm shpirtëror, bukurinë e jetës në Shqipërinë tonë, me natyrë aq të mrekullueshme… Tema e dashurisë zë një vend të gjerë në libër. Dhe aty ku nuk i këndohet drejtpërdrejt, dashuria ndjehet kudo. Mallëngjyese shprehet dashuria për nënën, që ende për ikjen e saj sytë i ka të lagur, apo për babain, amanetin e të cilit kurrë s‘e baltosi. Por dashuria në kuptimin më sublim hedh dritën e saj si ndjenja më e bukur që i jep jetë jetës, si një lidhje e pandashme gjer në fund të saj. Vargu i Kondurit rrebelohet edhe ndaj atyre rasteve kur dashuria braktiset, e lënë në mes, e shkelur, zhgënjyese, duke ngjallur dhimbje, e cila shndërrohet deri në urrejtje, në revoltë ndaj çdo akti mashtrues. Mbushur gjithë zemërim tingëllojnë vargjet e saj poetike kur ndesh raste të dhunës ndaj vajzave dhe grave.

…E urrej që në palcë,

njeriun që ve dorë mbi atë,

të mirën, të heshturën,

të duruarën…

Po aq rreptë vargu poetik i Kondurit godet dhe mbi ata bij të pandërgjegjshëm, që braktisin dhe lenë në varfëri prindërit e tyre. Poezia e Myzejen Kondurit shquhet nga sinqeriteti, ashtu siç është vetë ajo në jetën e saj. Ajo është larg tendencës për ta bërë vargun të ndërlikuar, me ngarkesë figurash të panevojshme. Është një poezi e thjeshtë, e mveshur me një figuracion të natyrshëm, ku më të shpeshta janë metaforat, që nuk janë të pakta ato që të rrënjosen në mendje, si…Trishtimi rri varur  në degën e pemëve..,mungesa jote pikon dhimbje…më dashuro si yjet qiellin, si deti bregun…dhe sa e sa figura të bukura që asaj i burojnë natyrshëm nga shpirti i saj i madh poetik. Mbasi e mbaron së lexuari këtë libër vetiu të lind një pyetje e tillë, se si ajo na zbulon një dritare kaq të gjerë tematike. Dhe sigurisht ata që e njohin nga afër poeten do të përgjigjen me siguri nga vetë jeta e saj, sepse M. Konduri nuk është vetëm një shkrimtare dhe poete e talentuar, por dhe nje aktiviste e njohur shoqërore, kryesisht në mbrojtje të të drejtave të grave dhe vajzave jo vetëm në Durrës, por më gjerë.