Tymi i zi i aferave/ Zbulohet transaksionet zinxhir: Si ish-ministri Arben Ahmetaj i siguroi dhe mobiloi dy vila luksoze

Zoto që ‘vjel’ paratë e qytetarëve për inceneratorët nga arratia, kërkon pafajësinë. Dervishi: Tubi i pastrueses si kutia e Pandorës, i hapi rrugë çështjes Mc Gonigal,aktivistit deri te skandali me çarterat

BIRN: Transaksione zinxhir: Si Arben Ahmetaj i siguroi dhe mobiloi dy vila luksoze

NOA

SPAK thekson në kërkesën drejtuar Kuvendit se shtetasi Klodian Zoto fshihet pas porosisë së një vile në fshatin Hamallaj në një kompleks të ri turistik

Hetimi i Prokurorisë së Posaçme mbi ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj vëren se një vilë luksoze në ‘Green Coast’ u sigurua përmes transaksioneve të papaguara për ish-bashkëshorten, ndërsa një e dytë, u sigurua për bashkëjetuesen në Hamallaj, ku punimet u bënë falas nga një kompani që pati fituar tenderë të rindërtimit. Diku rreth gushtit të vitit 2022, lexuesi i sahatëve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në fshatrat Vuno, Palasë, Gjilekë e Iljaz në bregdetin jugor të Shqipërisë, merr një ankesë nga kompleksi Green Coast, një komunitet i mbyllur vilash luksoze ndërtuar përmes ligjit kontrovers të Investimeve Strategjike, miratuar në vitin 2015 me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në atë kohë, nën drejtimin e Arben Ahmetajt. Pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore për llogari të SPAK më herët këtë vit, punonjësi i OSHEE-së tha se e kishte marrë në telefon banorja e vilës 73, e cila i pati thënë që matësi nuk është në rregull, sepse i faturohet më tepër se sa konsumon. Punonjësi shkoi në vend, fotografoi sahatin dhe kartën e identitetit të ankueses dhe ia përcolli ankesën zyrës përkatëse. Specialistët e laboratorit bënë testimet dhe dolën në konkluzionin se sahati ishte në rregull dhe nuk kishte mbifaturim. Vetëm se incidenti i vogël dhe në dukje pa rëndësi, pritet t’i kushtojë jo pak ankueses, ish-bashkëshorte e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, pasi në këtë mënyrë, ajo ofroi prova dokumentare në bazë të së cilës, SPAK doli në konkluzionin se vila 73, formalisht nën pronësinë e një shqiptareje me banim në Zvicër, është në fakt pronë e padeklaruar e Ahmetajt dhe ish-bashkëshortes, Albina Mançka. Hetimi i Prokurorisë zbuloi se dy vila, një në Green Coast dhe një tjetër në fshatin Hamallaj të Durrësit, duket se janë përfituar nga Ahmetaj përmes skemave të ndryshme të pastrimit të parave. Në rastin e Hamallajt, punimet e rinovimit, me vlerë të deklaruar nga sipërmarrësi 137 mijë euro, nuk u likujduan kurrë. Deputeti Arben Ahmetaj akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kunër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion pasiv të lidhur me të ashtuquajturën afera e incineratorëve. Kuvendi ka miratuar një kërkesë të Prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestit ndaj Ahmetajt, por ndërkohë ai është larguar nga vendi.

Nga arratia Ahmetaj i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar ato si ‘përndjekje’.
Pyetur më herët në prokurori, Ahmetaj ka mohuar se vila në Green Coast ishte në pronësi të tij, ndërsa Mançka i ka thënë hetuesve se ajo e ka vilën vetëm në përdorim, ndërsa pronarja e saj është shtetasja Elda Dinaj, me banim në Zvicër, me të cilën ka miqësi të vjetër. Edhe Dinaj, marrë në pyetje nga prokuroria, i ka qëndruar versionit të Mançkës, ndonëse prokurorët i kanë vënë në dukje një mal me prova se marrëdhëniet e saj me pronën e blerë kanë qenë sporadike, ndërsa marrëdhëniet e Mançkës kanë qenë intensive, përfshirë planet për mobilim dhe arredim të brendshëm si dhe objektet personale të sekuestruara nga oficerët gjatë kontrollit fizik të vilës. Prokurorët vërejnë se në ditën që Dinaj nënshkroi kontratën e blerjes së vilës, sistemi TIMS tregon se ajo nuk gjendej në Shqipëri, ndërsa në mënyrë konveniente, noteri që regjistroi transaksionin, ishte i vëllai i Mançkës. Prokurorët vërejnë gjithashtu se pretendimet e Dinajt se punimet në vilë i ka paguar ajo vetë me para të sjella cash në Shqipëri duket se bien ndesh me faktin se ajo nuk ka deklaruar në doganë sjelljen e shumave të tilla, gjë që përbën detyrim ligjor kur kalon kufirin me mjete monetare të konsiderueshme.

Dhoma e vilës me emrat e fëmijëve
Prokurorët kanë zbuluar se vila në fshatin turistik ‘Green Coast’, me çmim fillestar prej 381 mijë eurosh, është blerë fillimisht Interte Express, kompania nën pronësinë e biznesmeni kontrovers Mond Bego, e cila ka paguar vetëm 50 mijë euro dhe vijon të konsiderohet debitore nga shitësi. Kjo vilë është shitur më pas nga Inerte Express për 300 mijë euro te shtetësja Elda Dina, e cila ka paguar vetëm 120 mijë euro. Pavarësisht këtyre transaksioneve, në regjistrin e shitësit, Green Coast shpk, vijon të nxjerrë debitor kompaninë Interte Express, pavarësisht se afati kontraktual për shlyerje ka qenë vetëm 12 muaj, ndërsa kontrata parashikon penalitete të konsiderueshme për pagesa të vonuara, të cilat, duket se nuk janë zbatuar nga ana e shitësit. “Nga hetimet ekziston dyshimi se edhe kjo është një pasuri e fshehur nga shtetasit Arben Ahmetaj dhe Albina Mançka, e derivuar nga të ardhura të paligjshme dhe objekt i veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale,”- thuhet në dosjen që Prokuroria e Posaçme i dërgoi Kuvendit të Shqipërisë. Prokurorët vërejnë se edhe gjuha e përdorur në komunikimet e një punonjësi të kompanisë Inerte Express tingëllon si e lidhur me transaksione fiktive. Kështu, përmes një numri telefoni, pronarin e të cilit prokurorët e kanë identifikuar në dosje vetëm me emër dhe pa mbiemër, pyetet punonjësi “nëse duhet të bëjnë ndonjë qarkullim”. Komunikuesi vëren më tutje se “duhet të mbyllin vilën 73, e kanë mbetur pasi kanë arkëtuar vetëm një pesëdhjetëshe dhe janë për t’u qarkulluar edhe 337,731 dhe duhet të zgjedhë bankën ku do t’i kalojë.” SPAK gjithsesi nuk ka identifikuar burimin e parave të përdorura për blerjen e kësaj vile ndërsa akuzon Ahmetajn dhe Mançkën për pastrim parash dhe deklarim të rremë të pasurisë. Provat kyçe të prokurorisë duket se janë siguruar nga sekuestrimi i të dhënave në një studio arkitekturore të punësuar nga Ahmetaj dhe Mançka për rinovime të pronave të shumta të tyre, si dhe të faturave dhe dëshmive të mbledhura nga një numër i madh qytetarësh dhe biznesesh, që kanë punuar për rinovimin – nga shitësit e pllakave te bojaxhiu apo te pastruesja. Nga dizajnot e përgatitura nga studio e arkitekturës, prokurorët zbuluan se si emrat e dhomave në vilën që supozohet se është nën pronësinë e Dinajt, janë mobiluar duke mbajtur emrat e Mançkës dhe fëmijëve të saj, ndërsa edhe porositë e mobiljeve janë bërë në të njëjtin konktekst. Historia e të dyja vilave, zbardhur nga hetimet e SPAK, paraqet një lidhje të ngushtë mes kompanive që përfitojnë kontrata publike apo licenca dhe korrupsionit politik, e pakufizuar kjo te skandali i incineratorëve, që ishte pikënisja e hetimeve. Hetimet zbulojnë gjithashtu shpenzime për mobilime luksi me një palë kolltuqe që kushtojnë mbi 5 mijë euro apo një krevat që kushton 4800 euro. Hetimet kapin një episod në të cilin, procesi i rivlerësimit të pronave të patundshme, i ndërmarrë nga qeveria “Rama” në vitet 2019-2021, duket se ka krijuar edhe hapësirë manovrimi për pastrim parash me kosto minimale. Kjo vërehet në procesin e rivlerësimit të një apartamenti, të blerë fillimisht për 45 mijë euro dhe të rivlerësuar për 130 mijë euro, duke legalizuar efektivisht diferencën prej 85 mijë eurosh kundrejt një kostoje minimale fiskale prej 2 për qind. Në të dyja vilat janë përdorur disa transaksione për të fshehur origjinën dhe destinacionin e pasurisë, transaksione ku përfshihen disa kompani. Hetimi, ndonëse i kufizuar te Ahmetaj dhe dyshimet për përfitime të paligjshme prej tij, duket se hap pista të shumta hetimore për korrupsione të tjera të dyshuara. “Nga hetimet ekziston dyshimi se edhe kjo është një pasuri e fshehur nga shtetasit Arben Ahmetaj dhe Albina Mançka, e derivuar nga të ardhura të paligjshme dhe objekt i veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale,” shkruhet në kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit ndaj arrestit të deputetit Arben Ahmetaj nga Kuvendi i Shqipërisë.

Vila në Hamallaj
Sipas hetimit, vila u porosit fillimisht në qershor 2017 nga Klodian Zoto, i cili, menjëherë ia përcjell drat-kontratën Mirel Mërtirit me porosinë: çoja pak frat t’i hedhi një sy dhe të më thotë për të dhënat që janë ok.” Duket se frat shkurt për fratello [vëlla në italisht] është mënyra se si Zoto dhe Mërtiri i drejtohen me përkëdheli Ahmetajt në këtë kohë. Vila dykatëshe me 517 metra truall dhe 221 metra ndërtim, ka çmimin 129 mijë euro. Në nëntor të atij viti, kompania njofton Zoton se vila ka përfunduar së ndërtuari. Sipas kontratës, shuma e parave të rëna dakord duhej të paguhej tani. Në shkurt 2018, kontrata anulohet, pasi Zoto nuk pagoi.