Kthetrat e investitorëve strategjik/ ‘Gllabërojnë’ edhe 10 mijë m2 në Korçë nën maskën zhvillimit të turizmit, ku do betonizohet me hotele e restorante

46
Sigal

Gerian Kuka u paraqit këtë të mërkurë në SPAK për t’u pyetur lidhur me rolin e tij në hetimet për inceneratorët, në ngarkim të ish-ministrit Arben Ahmetaj. Më vonë gjatë ditës, kryeministri Edi Rama firmosi dhënien e një sipërfaqeje prej 10 000 m2 tokë shtet në përdorim të një firme në bashkëpronësi të biznesmenit, që ka marrë më herët statusin e investitorit strategjik. Rastësi?
Statusi i investitorit strategjik Biznesmeni Gerian Kuka rezulton bashkëpronar me 30 përqind të kuotave të “INVESTMENT and DEVELOPMENT ALBANIA” SH.P.K. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit, firma është regjistruar në QKB në maj 2019. Dy bashkëpronarët e tjerë janë Ilir Shtufi 30 përqind të aksioneve dhe Agim Zeqo ( i njohur edhe si “Gimi i Redbullit” ) me 40 përqind. Të tre, rezultojnë pronarë edhe në të tjera biznese, që kanë përfituar shuma të konsiderueshme monetare në procedura tenderuese dhe leje ndërtimore gjatë qeverisjes socialiste.“INVESTMENT and DEVELOPMENT ALBANIA”, me një vendim të datës 1 shkurt 2023, shpallet investitor strategjik nga Komiteti i Investimeve – kryetar i së cilit është kreu i qeverisë Edi Rama. Referuar vendimit, kompania synon ndërtimin e “GreenHouse Korça Resort”, një “strukture turistike elitare që do të ketë në përbërje një hotel me 5 (pesë) yje, me kapacitet total prej 94 (nëntëdhjetë e katër) dhomash, restorante, bare, SPA, etj” dhe me vlerë investimi mbi 18 mln euro. Projekti parashikohet të ndërtohet një sipërfaqe totale prej 10,000 m². Vendi i investimit është në territorin e Bashkisë së Korçës (zona kadastrale nr.8561, me numër pasurie 1/911) që prej Majit 2021 ka kaluar në pronësi të Ministrisë së Turizmit përmes një vendimi qeverie. Pas firmës së parë në shkurt, më 19 korrik 2023, Edi Rama hodhi të dytën. Këtë herë si kreu i qeverisë duke avancuar procedurat burokratike në favor të investitorëve strategjik.Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që 10 000 metra katrorë tokë shtet të “vihet në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik Green House Korça Resort, me subjekt investues Investmentand DevelopmentAlbania, sh.p.k.”.
Roli në dosjen “Ahmetaj”

Thirrja në SPAK paraditen e kësaj të mërkure për Gerian Kukën erdhi në kuadër të hetimeve për inceneratorët në ngarkim të Ahmetajt, që prokuroria e akuzon për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ish-ministri, sipas akuzës, ka pranuar qindra milion euro ryshfet nga Zoto dhe Mërtiri duke i favorizuar që kompanitë e tyre dhe të lidhura me ta të shtien në dorë kontratat koncesionare të incenratorëve të Elbasanit dhe Fierit. Referuar dosjes hetimore, Gerian Kuka ka qenë i përshirë në një transaksion për të maskuar dhurimin e vilës “Saphire nr. 22” në Hamallaj, nga përfituesit e koncesioneve të incenertorëve – Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, te Arben Ahmetaj. Prokuroria thotë se vila me sipërfaqe trualli 521.13 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 98 m2 “është përfituar në vitin 2017 nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në mënyrë të tërthortë nëpërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në emër të shtetasit Klodian Zoto, në vijim në emër të shtetasit Gerian (Geri) Kuka e më pas në pronësi të shtetases Erjola Hoxha, bashkëjetuese e personit nën hetim Arben Ahmetaj”.