Shqipëria ka humbur gati një të katërtën e popullsisë që nga fillimi i viteve 2000, duke shënuar tkurrjen më të fortë mes vendeve europiane. Sipas të dhënave të Eurostat, më 1 janar 2026 Shqipëria numëronte rreth 2.34 milionë banorë, nga 3.06 milionë në vitin 2000 (Eurostat raporton shifrat e publikuara nga INSTAT).Në 25 vjet, popullsia e vendit është pakësuar me rreth 721 mijë persona, ose 23.6%. Nga të dhënat rezulton se Shqipëria ka humbur pothuajse një në çdo katër banorë që kishte në fillim të mijëvjeçarit.Kjo rënie, sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, është më e larta në Europë. Shteti i dytë me tkurrjen më të lartë është Bullgaria, që pa një reduktim prej 21.6% në të njëjtën periudhë. Në vend të tretë është Kosova, për të cilën tkurrja është llogaritur nga viti 2003, kur raportohet e dhëna më e hershme. Nga ajo periudhë, popullsia e Kosovës është tkurrur me 19.3%.Rënie të fortë ka shënuar edhe Lituania, me 17.8%, e ndjekur nga Rumania me 15.2%, Kroacia me 13.8%, Serbia me 13.2% dhe Gjeorgjia me 11.1%.Në Maqedoninë e Veriut, popullsia është pakësuar me 10%, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë me 9.5%. Hungaria ka humbur 7.2% të popullsisë, Polonia 5%, Armenia 4%, Greqia 3.8% dhe Estonia 2.9%.Të dhënat tregojnë se pothuajse i gjithë Ballkani Perëndimor ka humbur popullsi, por Shqipëria mbetet në krye të renditjes për nga ritmi i tkurrjes.Serbia ka humbur rreth një të tetën e banorëve në krahasim me vitin 2000, Kroacia afërsisht 14%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut rreth një të dhjetën.Përjashtimi i vetëm në rajon është Mali i Zi, ku popullsia rezulton 3.3% më e lartë se në vitin 2000.
Rënia e popullsisë, nga emigracioni i lartë dhe plakja graduale e popullsisë
Shqipëria po përballet njëkohësisht me tri goditje demografike: emigracion të lartë, rënie e lindjeve dhe plakje e shpejtë.Emigracioni është faktori kryesor që po ndikon këtë tendencë. Largimi i vazhdueshëm i të rinjve ka zvogëluar jo vetëm numrin e banorëve, por edhe bazën e popullsisë në moshë riprodhuese. Si rrjedhojë, numri i lindjeve ka rënë me shpejtësi, ndërsa raporti mes të rinjve dhe të moshuarve po përkeqësohet.


















