Bashkitë në Shqipëri e Kosovë, me administratën më të madhe në rajon

33
Sigal

Krahasuar me nivelin referencë të përdorur nga Banka Botërore prej më pak se 25 punonjës për 1,000 banorë, rezulton se 51 bashki kanë një nivel të ulët se referenca. Në të kundërt, 8/61 bashki (bashkitë Dropull, Fushë-Arrëz, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë, Skrapar, Pukë, Tepelenë) qëndrojnë mbi këtë nivel referencë, duke sugjeruar për mbi-ngarkesë të punonjësve në raport me popullsinë e bashkisë.

Shqipëria ndërmori reformën territoriale në vitin 2015 me qëllim kryesor uljen e barrës administrative dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Pavarësisht këtij fakti, bashkitë zënë një peshë të madhe në totalin e punësimit publik në krahasim me rajonin.

Një studim i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) evidentoi se, pushteti lokal në Shqipëri punëson 30% të punonjësve në sektorin publik,.

Kjo peshë është më e ulët në Serbi, ku pushteti lokal punëson 15% të punonjësve në sektorin publik. Kjo peshë në Mal të Zi është 24%, në Maqedoninë e Veriut 16% dhe në Kosovë 33% me peshën më të lartë të pushtetit vendor në totalin e punësimit në sektorin publik.

Rritja e eficiencës në përdorimin e burimeve në dispozicion është sfidë e vazhdueshme për bashkitë kudo në botë, por edhe në vendet e zhvilluara.

Në Shqipëri, zgjerimi i gamës së shërbimeve publike vendore për t’u kryer nga bashkitë në vitin 2015 rriti ndjeshëm personelin e për rrjedhojë, edhe shpenzimet e tyre për personelin.

Në fund të vitit 2022, buxheti me fonde të veta për shpenzime për personelin e bashkive shënoi një nivel prej rreth 25 miliardë lekë, në rritje me rreth 5% krahasuar me një vit më parë dhe përfaqësoi rreth 43% të shpenzimeve me fonde të veta për të njëjtën periudhë.

Ky është niveli më i lartë historik i shënuar për shpenzimet e personelit me fonde të veta të bashkive, përcaktuar pjesërisht nga rritja e numrit të të punësuarve në bashki me rreth 5.3% në terma vjetorë në fund të vitit 2022.

Në terma mesatarë, për një të punësuar në bashki në vitin 2022 u shpenzuan rreth 56,868 lekë në muaj, rreth 1% më pak krahasuar me një vit më parë.

Kosto mesatare për të punësuar luhatet në një interval me vlerën mesatare maksimale prej rreth 70,915 në bashkinë Rrogozhinë dhe vlerën mesatare minimale prej rreth 32,917 lekë në muaj në bashkinë Memaliaj.

Rreth 72% e bashkive (44/61 bashki) vlerësohet të kenë një kosto mesatare për të punësuar nën vlerën mesatare për 61 bashkitë.

Krahasuar me nivelin referencë të përdorur nga Banka Botërore prej më pak se 25 punonjës për 1,000 banorë, rezulton se 51 bashki kanë një nivel të ulët se referenca.

Në të kundërt, 8/61 bashki (bashkitë Dropull, Fushë-Arrëz, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë, Skrapar, Pukë, Tepelenë) qëndrojnë mbi këtë nivel referencë, duke sugjeruar për mbi-ngarkesë të punonjësve në raport me popullsinë e bashkisë.

Gjithsesi shpenzimet e kryera nga bashkitë zënë 9% të shpenzimeve totale të qeverisjes së përgjithshme. Raporti i vendas i CO-plan tregon se treguesit e decentralizimit në kahun e shpenzimeve në vitin 2022 u ngadalësuan.

Mbulimi i shpenzimeve korente (për shpenzime personeli, operative dhe të tjera) vijon të përthithë burime në mënyrë të qenësishme (me fonde të veta dhe të kushtëzuara).

Komponenti i investimeve paraqet luhatshmëri të lartë, në varësi të kontributit nga fondet për investime të kushtëzuara. /Monitor