Petraq Fusha po qëndronte në mes të sheshit para hyrjes së spitalit kur dikush i thirri në emër. Ai ktheu kokën dhe pa një nga shokët e Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”. Dukej i shqetësuar. Sytë i kishte të përlotur dhe fytyrën të mbuluar me djersë. Diçka duhej t’i kishte ndodhur, në mos atij, të paktën një pjestari të familjes, ose edhe një shoku, sepse asnjë njeri nuk shkon në spital pa pasur një hall. Petraq Fusha e njohu dhe pasi e takoi, e pyeti: – Ndriçim, çfarë ke, pse ke ardhur? – Petraq i dashur! Një fatkeqësi më ka ndodhur. Kam tre fëmijë dhe për bela, don të vijë në jetë edhe i katërti. – Ky është një lajm i mirë dhe jo një fatkeqësi. – Ç’ti bëj sime shoqeje. Ajo kërkon ta abortojë dhe më ka vënë në një pozitë të vështirë. – Ta abortoj? – Po. Po, ta abortojë! Për më tepër, kërkon që t’i gjej ndonjë mjek, ose në të kundërt, e kupton se çfarë do të bëj ajo. Si të të them! Unë nuk merrem me aborte. Duhet ta vizitojë ndonjë mjek i asaj fushe, dhe ai, nëse gjen të themi ndonjë simptomë ku mund të kapet, atëherë mund ta ndihmojë. – Ti je kardiolog dhe me dy kolegë mund të lëshoni një raport sikur gruaja ime vuan nga një sëmundje zemre dhe se e ka të domosdoshme ndërprerjen e barrës. Ata, pasi ta kenë në dorë raportin, me siguri do ta ndihmojnë. Asnjë nuk do ta dijë të vërtetën. – Të duket e thjeshtë. Një veprim i tillë bën shkelje ligjore. – Të lutem më ndihmo! Edhe sikur të dua, nga ana e jonë do të duhen tri firma. Thuaju dy kolegëve dhe mendoj se nuk do të të refuzojnë, për më tepër që je dhe shef pavioni. Eh Ndriçim, Ndriçim! Petraq, vere dorën në zemër. Doktor Petraqi si u mendua disa sekonda, tha: Ka vetëm një mënyrë! Thuaje? Sille nesër bashkëshorten të paktën sa ta shikojmë, që të justifikohemi për raportin që do të lëshojmë. E di që nuk vjen. Është kokëfortë. Do të justifikohet se i vjen turp të vizitohet në këtë moshë dhe për më tepër që nuk është e sëmurë. Po më fut në telashe. Megjithatë më jep të dhënat personale të saja dhe adresën e shtëpisë ku banoni. Ndriçim Kalushi e mashtroi shokun e tij duke i dhënë emrin dhe mbiemrin e një gruaje tjetër. Petraq Fusha çuditërisht e kaloi këtë pasaktësi dhe me dy kolegë firmosën raportin që ai i kishte premtuar shokut të tij. Të nesërmen, Ndriçimi mori në dorë raportin, ku mjekët, në mungesë të pacjentes, pasi “e kishin pyetur e vizituar tri-katër javëshen shtatëzënë” dhe pasi ishin “bindur”që ajo vuante nga miokarditi akut”, për t’i shpëtuar jetën, rekomandonin ndërprerjen e barrës. Me një filxhan kafeje te klubi i spitalit, Ndriçim Kalushi u largua i lumturuar pasi kishte arritur atë që donte. Ai ishte një mashtrues. Në të vërtetë, nuk kishte mbetur shtatzënë e shoqja, por e dashura e tij. Ai ishte shef reparti në një ndërmarrje ushtarake. Aty punonte si sekretare një vajzë bjonde e brishtë. Ndriçimit prej muajsh i kishin mbetur sytë tek ajo dhe herë pas here e provokonte derisa e futi në dorë. Pas tri-katër muaj takimesh plasi bomba. Ajo kishte mbetur shtatzënë. Rrugë të mesme nuk kishte, ose duhej të abortonte, ose duhej të martohej me shef Ndriçimin, ashtu sikundër ai i kishte premtuar. Po atë ditë, me Raportin Mjekësor në duar, ai e takoi atë dhe i tha: Aluona, ja ku e ke raportin dhe që nesër mund të shkosh të abortosh. Ti më premtove se do të martoheshim. Nuk e kishim lënë që të abortoja? Problemi u ndërlikua. Gruaja nuk do të ma japi divorcin! Në shtëpi ka plasur sherri. Ti e kupton se në çfarë pozite jam? Do ta marrin vesh fëmijët, për më tepër që vajza e madhe është 15 vjeçe. Po unë çfarë faji kam? Ti më mashtrove me premtime e me fjalë të ëmbëla. Të lutem! Ajo nuk e zgjati. Pasi mori në dorë atë copë letër, që quhej Raport Mjekësor, të nesërmen, në vend që të shkonte në maternitet për të abortuar, shkoi drejt e në Ministrinë e Mbrojtjes. Aty e priti sekretarja dhe nëpërmjet saj, ajo takoi ministrin. Ai, pasi i hodhi asaj një vështrim, e pyeti:- Pse ke ardhur vajzë? Shoku ministër, jam sekretare në ndërmarrjen ushtarake N*. Shefi i repartit, më vjen turp ta them, më mashtroi duke më premtuar se pasi të ndahej nga e shoqja, do të martohej me mua.- U takon ta zgjidhni midis jush këtë problem.- Por ai më ka lënë shtatzënë dhe kërkon që unë të abortoj. Atëherë do ta thërras të vijë këtu dhe do t’ju ballafaqoj që të jem dhe unë i qartë, jo vetëm për marrëdhëniet që keni midis jush, por edhe për vendimin që do të marr.- Shoku ministër, ai më ka mashtruar jo vetëm mua, por ka mashtruar edhe mjekët e spitalit ushtarak. Ata, pa më parë dhe pa ditur se kush jam, kanë lëshuar këtë Raport Mjekësor që unë kam në duar, – dhe ja zgjati atij. Ai i hodhi asaj një vështrim të ftohtë dhe prerazi i tha: Vajzë, problemin e fajit e ke ti në dorë. Vepro si të duash. Me të tjerët do të merrem unë. Ajo doli kokulur dhe nuk dinte si të vepronte, të shkonte për të abortuar, apo të këmbëngulte që shef Ndriçimi të ndahej nga e shoqja dhe ta merrte atë për grua. Ministri u tregua i vendosur: Ndriçim mashtruesi u çmobilizua nga ushtria, doktor Petraqi u transferua në një brigatë këmbësorie, ndërsa dy mjekët e tjerë, për shkelje të etikës mjekësore, morën vërejtje me paralajmërim.






















