Poeti sarandiot Ibrahim Didani, pas disa librave të suksesshëm për fëmijë edhe të rritur,vjen para lexuesit me librin e ri “Stinë Dashurie”një përmbledhje poetike me ndjeshmëri artistike.”Stinë dashurie” është një libër ku dashuria shfaqet si një cikël jetësor , si stinë që vjen , ikën dhe rikthehet , duke marrë me vete ngjyrat e shpirtit. Poeti nuk e kufizon dashurinë vetëm në dimensionin erotik , por e shtrinë atë në marrdhënien me jetën , natyrën ,mallin. Në këtë vëllim ,Ibrahimi mbetet besnik i një gjuhe të qartë, të rrjedhshme dhe komunikative ,duke ruajtur thjeshtësinë që e ka karakterizuar dhe në librat e mëparshëm ,por tashmë me një thellësi refleksive. Poezitë ndërtohen mbi ndjenja të përjetuara , mbi përditshmëri të ngrohta e herë – herë melankolike ,ku dashuria shfaqet si shpresë, si plagë e si shërim njëkohësisht.
Motivet e natyrës , stinët, drita dhe koha, janë elementë bashkëshoqërues të vargjeve ,duke krijuar një atmosferë intime , ku lexuesi gjen veten pa vështirësi.”Stinë dashurie” lexohet si një ditar poetik , ku çdo poezi është një ndalesë ndjenje . Ky libër dëshmon se Ibrahim Didani ,ka kaluar nga poezia e drejtëpërdrejtë drejt një lirike më të përmbledhur e më të menduar ,duke i dhënë lexuesit jo vetëm emocione,por edhe hapësirë për reflektim. Në vijim analiza e vargjeve do të na ndihmojë të ndalemi më thellë në figuracionin poetik ,simbolikën e stinëve, dhe mënyrën se si dashuria shndërrohet në bosht të kësaj vepre poetike. Te poezia “Mos luaj me ndjenjat” ,dhe pikërisht me vargjet”
Në këtë mbrëmje magjepse,
ku dritat ndriçojnë dhe sytë.
Pse e dashur më trazon mendimet,
më përkund mes ëndrrash dashurinë?
Dhe më tej vazhdon:
Pra, më puth e dashur në buzë.
Prej epsheve, puthjeve malluar.
Pastaj tek ti pak nga pak të dehem,
prej ndjenjave, ndezur, përvëluar.
Këto vargje të poezisë”Mos luaj me ndjenjat” krijojnë një atmosferë intime dhe njëkohësisht të pasigurt ,ku ndjenja e dashurisë lëkundet mes magjisë dhe trazimit shpirtëror.”Në këtë mbrëmje magjepsëse” hapja vendos menjëherë një gjëndje poetike. Mbrëmja shfaqet si hapësirë simbolike e rrëfimit të ndjenjave , një kohë ku emocionet bëhen më të ndjeshme dhe mendimet marrin ngjyrë ëndrrash.”Ku dritat ndriçojnë dhe sytë”. Drita nuk është vetëm fizike , por edhe shpirtërore.”Sytë” sugjerojnë shikimin e dashurisë , komunikimin e heshtur mes dy njerëzve , një ndriçim të brendshëm që shkon përtej fjalës.”Pse e dashur më trazon mendimet?”.Këtu shfaqet konflikti emocional. Dashuria nuk është qetësi e plotë , por një forcë që prish rendin e mendimeve, që fut dyshim dhe pasiguri. Pyetja retorike e forcon këtë gjëndje trazimi.
” Më përkund mes ëndrrash dashurinë”.Metafora e përkundjes e paraqet dashurinë si diçka të brishtë , të paqëndrueshme ,që endet mes ëndrrës dhe realitetit. Kjo përforcon titullin e poezisë : një lutje e heshtur për të mos u luajtur me ndjenjat. Në tërësi vargjet bartin një ndjeshmëri të thellë lirike, ku dashuria shfaqet si magji ,por edhe si rrezik emocional. Poeti ndërton një gjëndje të ëmbël shpirtërore, duke e bërë lexuesin pjesë të dilemës shpirtërore mes shpresës dhe frikës së zhgënjimit. Te poezia” Një ditë mbeta pa shkruar” le të kujtojmë vargjet:
E para ditë që vjershë nuk bëra!
Fleta e bardhë bosh më mbeti,
Në mëndje më vinin shumë gjëra,
E dashura, hëna dhe deti.
Pastaj poezia mbyllet:
Ndoshta nga ajo që më iku larg;
që iku si mjegull, si erë!
Një gjë ti pëshpëritje çdo natë,
se vetëm vdekja do n’a ndajë ndonjëherë.
Tek poezia “Një ditë mbeta pa shkruar” poeti ndalet te një moment i pazakontë, pothuaj tronditës për krijuesin: heshtja e fjalës. Vargjet hapëse shprehin një mungesë që nuk është thjesht teknike , por shpirtërore:
“E para herë që vjershë nuk bëra,
Fleta e bardhë bosh më mbeti”
Këto tri figura, e dashura , hëna dhe deti, janë elementë klasikë të frymëzimit poetik:dashuria, ndriçimi i brendshëm dhe pafundësia. Megjithatë , ato mbeten vetëm në mëndje , fjala nuk zbret në varg. Kjo krijon një tension mes pasurisë së ndjenjës dhe pamundësinë për t’a shprehur. Në vargjet përmbyllëse, poezia merr një ton më të thellë ,meditativ.Këtu shfaqet humbja si shkak i heshtjes poetike. Krahasimet me mjegullën dhe erën e bëjnë largimin të paformë , të paprekshëm , por edhe të dhimbshëm. Është një largim, që nuk lë gjurmë të qarta ,vetëm boshllëk.
“Një gjë pëshpëritje çdo natë,
se vetëm vdekja do na ndajë ndonjëherë.”
Mbyllja është e fuqishme dhe dramatike. Pëshpëritje e natës shndërrohet në një betim dashurie të përjetshme, ku ndarja e vetme e mundshme është vdekja. Kështu , poezia që nisi me mungesën e vargut , përfundon me një pohim absolut të ndjenjës ,duke treguar se fjala mund të hesht përkohësisht , por dashuria dhe dhimbja mbeten burime të pashtershme të poezisë.
” Një ditë mbeta pa shkruar” është një poezi për krizën e krijimit , për momentin kur poeti humbet fjalën ,por jo ndjenjën.Ajo dëshmon se edhe heshtja mund të jetë poezi, sepse në të fshihet një botë e tërë emocionesh, që presin të marrin zë. Në këto vargje , poeti e personifikon brengën si një qënie që rikthen kujtimet , duke e shndërruar atë në një forcë aktive te ndërgjegja. Pyetja retorike “Pse moj brengë…?” hap menjëherë një dialog të brëndshëm ,ku kujtimi nuk është thjesht rikthim , por plagë e ëmbël që zgjon shpirtin. “Kujtimet vinë ngadalë si rreze diejsh”, metaforë, që tregon se rikthimi i së shkuarës nuk është i dhimbshëm , por i ngrohtë, ndriçues ,megjithëse trondit gjumin e shpirtit. Strofa e dytë thellon dimensionin intim: mosha e rinisë përfaqëson kohën e pafajësisë dhe dashurisë së sinqertë. Vargjet” Edhe sytë dinë të flasin,edhe buzët dinë të heshtin” , janë kulmi poetik i fragmentit,një antitezë e bukur që shpreh komunikimin e heshtur të dashurisë së vërtetë ,aty ku fjalët bëhen të panevojshme. Në tërësi , poezia “Kujtime” ndërton një atmosferë nostalgjie të ndjerë ,ku e shkuara nuk vjen si dhimbje e ashpër , por si dritë e zbehtë që ndriçon thellësinë e shpirtit dhe më pas një mall të heshtur ,por të përjetshëm.
“Stinë dashurie” e poetit sarandiot I.Didani,shfaqet si një libër ku dashuria nuk mbetet vetëm ndjenjë intime, por shndërrohet në përjetim poetik, që kalon nëpër stinë e përsiatje. Poezia e tij rrjedh natyrshëm, ku fjala nuk kërkon zbukurime të tepërta për të prekur lexuesin. Didani e ndërton botën e tij poetike mbi sinqeritetin e ndjenjës dhe me lidhjen e ngushtë me vendlindjen. Dashuria në këtë libër herë ndizet si pranverë e herë zbehet si vjeshtë ,por kurrë nuk shuhet, ajo mbetet një forcë që mban gjallë ndjenjën dhe shpresën.




















