Kemi 140 deputetë, që pashallarët e partive i vendosin në lista sipas orekseve  personale

Speciale nga Dr. Hekuran Rrapaj / Qeveria edhe pse ka bërë arnime, duket e lodhur nga majmëria, e plakur nga rehatia, e shkëputur nga hallet,  e mbytur nga korrupsioni. Shohim zyrtarë që paguhen me taksat e popullit mjeran, dhe që shpesh ministrat s’kanë fare lidhje me PS, por me miqësitë nepotike dhe lidhjet me oligarkinë. Njerëzit sorrollaten dhe nuk u zgjidhen hallet, pasi administrata e politizuar e di që si heq njeri nga puna se janë militantë. Grabitja e  pronës private me ligje klienteliste, legalizime në  tokën e tjetrit, loja me hipotekat, korrupsioni,  krimi i organizuar, masakra me arsimin, drejtësinë dhe autokracia politike

Qeveria edhe pse ka bërë mjaft arnime, duket e lodhur nga majmëria, e plakur nga rehatia, e shkëputur nga hallet, e mbytur nga korrupsioni

  • – Kemi 140 deputetë që kryetarët pashallarë të partive (PS dhe PD) i vendosin listat sipas orekseve dhe shërbimeve personale
  • -Shohim Ministri që paguhen me taksat e popullit mjeran, dhe që shpesh ministrat s’kanë fare lidhje me PS, por me miqësitë dhe qokat e Kryetarit të Qeverisë
  • -Njerëzit sorrollaten dhe nuk u jepet shpresë problemeve pasi administrata e politizuar e di që si heq njeri nga puna se janë militantë
  • -Shqiptarët, me qeveritë e deritanishme s’po gëzojnë pronën e tyre pasi ligjet dhe vendimet qeverisëse kanë zhbërë nocionin e pronës private
  • -Legalizimet bëhen vetëm për ndërtimet e paligjshme në tokën e tjetrit dhe kryhen lëvizjet e qëllimshme të hipotekave nga vend-origjina e tyre në Tiranë
  • -Korrupsioni i jashtëzakonshëm dhe krimi i organizuar po i marrin frymën këtij pushteti.
  • -Njerëzit e shkretë ikin nga malet e Kurveleshit, Mbishkodrës, Tropojës, Shishtavecitpër të drejtën e hipotekave në Tiranë dhe, drejtësinë e fitojnë, kur s’janë në këtë jetë
  • -Reformat arsimore nuk e kanë zgjidhur cilësinë e mësimdhënies, kualifikimet e mësimdhënësve dhe studentëve
  • – Autokracia dhe masa e urrejtjes së politikës ndaj njerëzve, sjell dëme të jashtëzakonshme shoqërisë dhe vendit, por në radhë të parë, vetë qeverisë dhe politikanëve.
Sigal

Dr. Hekuran Rrapaj

Muaj më parë, si rezultat i problematikave të shtuara ekonomike, sociale, korrupsionit dhe keq qeverisjes në Shqipëri kam shkruar se:Ose gjeje një rrugë, ose hape një rrugë, ose hapu nga rruga!Tashmë janë përfshira një pjesë jo e vogël shqiptarësh në këtë ide. Demonstruesit prej më shumë kohësh, akumuluan, duruan dhe u lodhën me mos zgjidhjen e problematikave të shumta, përballë një qeverisje reklamash, dhe fjalë oratorike të bukura.Nuk e gjykojmë Qeverinë aktuale bardhë e zi. Por, bilanci anon nga peshorja e së keqes. Qeverisja, edhe pse ka bërë mjaft arnime është e lodhur, e plakur në mendime dhe qëndrime. Demokracia apo shteti ligjor mbështet funksionueshëm mbi tri këmbë kryesore:

Zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pranueshme.

Zanafilla e problemeve! Rezultati! Mbi tridhjetë e pesë vjet cula bie në një vrimë. 140 deputetë që kryetarët pashallarë të partive (PS dhe PD) vendosin listat sipas orekseve dhe shërbimeve personale që iu bëjnë kandidatët ushtarë të bindur politikisht. Indikatorët reflektohet në përbërjen e administratës publike. Ministri që paguhen me taksat e popullit mjeran, dhe që shpesh ministrat s’kanë fare lidhje me PS, por me miqësitë dhe qokat e Kryetarit të Qeverisë. Sot vendosen, nesër dalin hajdutë, pasnesër hiqen dhe kaq. Një administratë e fryrë, numri nuk dihet. E gjitha kjo për jo më tepër se 1 milion e 200 mijë shqiptarë që janë sot në Shqipëri. Në fushata zmadhohet, pastaj, një mendimi alternativ dhe largohen. Një reformë administrative territoriale, kryetarë bashkish që rrinë të hallakatur me kompetenca të shkarkuara e të grumbulluara në Kryeministri. Njerëzit sorrollaten dhe nuk u jepet shpresë problemeve. Ata reagojnë! E mirë është kjo gjë?

Problemi i pronës private

Shqiptarët, me qeveritë e deritanishme s’po gëzojnë pronën e tyre. Ligjet dhe vendimet qeverisëse kanë zhbërë nocionin e pronës private, duke vrarë besimin tek drejtësia dhe hallkat përgjegjëse qeverisëse. Krimi në familje dhe në shoqëri është i shtuar nga kjo arsye. Kanë marrë nga një certifikatë në pronën e tjetrit me disa mbivendosje. Legalizimet bëhen për ndërtimet e paligjshme në tokën e tjetrit. Lëvizjet e qëllimshme të hipotekave nga vend-origjina e tyre grumbullimi në Tiranë. Pronarë të ligjshëm: Farefisnitë e politikës.

Gjyqësori i pavarur

Kemi paguar, kemi besuar dhe shpresuar për drejtësi të pavaruar funksionale. Korrupsioni i jashtëzakonshëm dhe krimi i organizuar po i marrin frymën edhe këtij pushteti. Njerëzit e shkretë ikin nga malet e Kurveleshit, Mbishkodrës, Tropojës, Shishtavecit, Kalisit etj., për të drejtën që kërkojnë drejt kryeqendrës së grumbullimit të gjykatave e hipotekave në Tiranë dhe, drejtësinë e mundimshme, mund ta fitojnë, kur s’janë më në këtë jetë. Poshtërsi!Qeverisja, domethënë shansi kur njerëzit i binden ose dhe e “durojnë” atë, mund të mbështetet në motive të ndryshme të përuljes. Përulja mund të jetë pastërtisht e kushtëzuar nga situata e interesave, pra nga shoshitjet e qëllimeve racionale të avantazheve dhe të disavantazheve nga ana e personit që bindet. Nga ana tjetër ajo mund të argumentohet me “zakonin” e pastër, me ambjentimin e topitur ndaj veprimtarisë së mësuar apo ambientuar me keq qeverisjen, ose thjesht, nga ana ndjesore me simpatinë e pastër personale të sunduesit, Kryeministrit apo Kryetarit të partisë. Tashmë kjo është zhbërë!Është pikërisht, një sundim i mbështetur mbi themele të tilla, prandaj dhe qeverisja është relativisht e lëkundshme, pa orientim përballë kësaj revolte qytetare. Të tillë tipa dhe karaktere, shumica në anominitet, i shohim përditë nëpër portalet e stisura të rrjeteve sociale. Mungesa e informacionit apo intelektit përfaqësues po bën një grindje/sharjeje me lloj-lloj epitetesh nga disa “partizanë” që duan konflikt. Portalet kanë mbështetje nga qeveria, nga forcat kryesore të politikës si dhe nga një shtresë shumë më e privilegjuar.

Një orkestër “idiotësh”

Në këtë vorbull përfshihen edhe politikanë deputetë dhe ministra, të cilët kanë harruar origjinën nga kanë ardhur dhe përse janë në parlament. Një orkestër “idiotësh”, sharje dhe akuza për njëri-tjetrin, për armikun e jashtëm, për “spiunat” që na ka “zaptuar”. Asnjë shpresë për mjeranët që kalojnë muajin me aq para sa ata pinë kafen e mëngjesit.Kryeministri duhet ta kuptojë (sigurisht që e kupton por…!?) që populli ka tronditje të besimit në këtë legjitimitet dhe, kjo, ka zakonisht pasoja të gjithanshme. U ngopëm me reklama. Reflekto i dashur për gjithë thesin e keqqeverisjes. Populli kërkon transparencë dhe mbështetje sociale dhe ekonomike. Kërkon llogaridhënie. Mos e dëmtoni veten, mos na prishni Partinë Socialiste si Sali Berisha dhe Aleksandër Meksi më 1997.Ata kërkojnë shëndetësi funksionale për të pasur e të varfër, qytetit dhe fshatit. Nuk ke!? Shumica e problemeve shëndetësore qytetarët i zgjidhin jashtë vendit, kryesisht në vendet fqinjë dhe më shumë Greqia ka qenë më e dominuar. Spitalet e rretheve janë të mbyllura, kurse për kujdes shëndetësor në fshat as mendohet fare.

Që këtej del vlera dhe motivi se me tolerancë politike qeveria aktuale paraqet respektin ndaj të tjerëve. Përqendrimi acarues, gjuhës përjashtuese, nga palët, qytetarë dhe politikë, e zhvendos – herë me dëshirë manipuluese e disa herë jashtë kontrollit të situatës – misionin dhe realizimin e programeve në dobi të perspektives qeverisëse, për të ardhmen dhe ngritjen ekonomike, sociale, kulturore, të dashurisë e besimit për shtetin dhe qeverisjen në Shqipëri.

Kush nga politikanët apo familjet e tyre marrin shërbimin mjekësor në spitalet tona shtetërore?

Ata janë të pakënaqur për pasuritë dhe pronat publike, pa transparencë dhe pa përfshirje qytetare. Ato janë shumë… kush i gëzon sot ish-pronat publike, për shembull, fabrikat dhe uzinat funksionale, pronat e Bashkimeve Profesionale, të rinisë, të pionerëve, hotelet e turizmit të dikurshëm apo shtëpitë e kulturës, pasurinë e nëntokës e atë minerale, pronat e ushtrisë dhe shitjen e armatim-municionit. Ku janë paratë?  Nuk po  flasim dhe për ndotjet ambientaliste. Reformat arsimore nuk e kanë zgjidhur cilësinë e mësimdhënies, kualifikimet e mësimdhënësve dhe studentëve. Janë fiktive. Arsimimi nuk ka zgjidhur dhe as është përfshirë mendimi intelektual në rrugëzgjidhjen e halleve dhe problemeve ekonomike e sociale. Intelektualët e pavarur që kanë dhënë mendime e japin zgjidhje profesionale janë anatemuar. Duruam, por kupa u mbush. Këto dhe shumë e shumë të tjera, kanë sjellë dallime në strukturën e shoqërisë. Atje ku nuk pranohen dallimet dhe e drejta e ekzistimit të tyre nuk pranohet as e drejta e tolerancës. Pra, nuk ka tolerancë pa njohjen e të drejtës së dallimeve. Me njohjen e të drejtës së ekzistimit të dallimeve bëhet një hap përpara në mirëkuptimin reciprok, në gatishmërinë për dialog, për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve apo kolektiviteteve të ndryshme që kanë mbushur bulevardet brenda dhe jashtë Shqipërisë.Me tolerancë politike qeveria shqiptare duhet të përpiqet gjakftohtë, por dhe bashkësia ndërkombëtare, për zgjidhjen e shumë konflikteve dhe, të krijojnë kushte që shqiptarët të respektohen ndërmjet veti, të dashurohen nga qeveria. Kjo është mënyra e vetme që të ruhet paqja, siguria, integriteti dhe hyrja në Bashkimin Evropian. Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë me lloj-lloj epitetesh veprimet dhe mendimet qytetare, qoftë ky dhe Kryeministri.

Njerëzit janë të lodhur

Autokracia dhe masa e urrejtjes së politikës ndaj njerëzve, sjell dëme të jashtëzakonshme shoqërisë dhe vendit, por në radhë të parë, vetë qeverisë dhe politikanëve.

Në kuadër të institucioneve dhe nëpërmjet mekanizmave të veprimit reagues për mirëqeverisje do të mund të krijohen kushte reale për ruajtjen e paqes dhe ardhmërisë, integrimin evropian, zgjedhje të lira e të ndershme në luftë më korrupsionin, krimin e organizuar, në mbështetje të ligjit dhe stabilitetit, etj. Ndërsa Partia e Rilindjes do të realizojnë vlerat që e përcaktojnë kuptimin e ekzistencës njerëzore nëpërmjet programeve politike qeverisëse. Që këtej del vlera dhe motivi se me tolerancë politike qeveria aktuale paraqet respektin ndaj të tjerëve. Përqendrimi acarues, gjuhës përjashtuese, nga palët, qytetarë dhe politikë, e zhvendos – herë me dëshirë manipuluese e disa herë jashtë kontrollit të situatës – misionin dhe realizimin e programeve në dobi të perspektives qeverisëse, për të ardhmen dhe ngritjen ekonomike, sociale, kulturore, të dashurisë e besimit për shtetin dhe qeverisjen në Shqipëri. Karakteristikë për skenën tonë politike mbetet përfshirja partive politike, e dobët, shumë pak rezultative në jetën politike në funksion të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit, ngjashmëritë në programet dhe praktikat e tyre politike dhe elektorale, veprimi i tyre politik i dyzuar – mbështetur nga një mos tolerancë ndërpartiake, vulgare, mashtruese deri dhe në antikombëtare.

Varfëria dhe mungesa e mundësisë

Varfëria dhe mungesa e mundësisë për plotësimin e nevojave themelore njerëzore janë shkaqe kryesore të revoltave e lëvizjeve popullore. Kur njerëzit krahasimisht të varfër shohin që të tjerët jetojnë shumë më mirë, kur ata pasurohen në punët e qeverisë, atëherë duhet reflektuar dhe dëgjuar, jo përjashtuar.Pjesa më e madhe e qytetarëve (nuk flas për ekstreme të politikës dhe individëve të veçantë), lidhet me ideale barazimtare, domethënë, me idetë e një shpërndarjeje më të barabartë të pasurisë e të pushtetit. Ata kërkojnë ndryshime në organizimin e funksional të qeverisë, shoqërisë dhe jo në parulla harbutshe. Përfundimisht: Revoltë qytetare, pavarësisht përfundimeve të mëtejshme, vrau frikën dhe ndërgjegjësoi shoqërinë dhe politikën për mirë qeverisëse, për legjimitetin e kontratës sociale.